MENU
klinika

Miti modern i Da Vinçit

500 evente për 5 shekujt

21.03.2019 - 13:00

Viti 2019 shënon 500-vjetorin e vdekjes së gjeniut universal të shkencës, artit, arkitekturës dhe inxhinierisë, që me veprën e tij i parapriu të gjitha kohërave: Leonardo Da Vinçit!

Autori i “Darkës së fundit”, i “Xhokondës”, i dhjetëra shpikjeve që mbi 5 shekuj më parë ishin avangardë për njerëzimin, modernizmin e mjaft epokave, ndërroi jetë më 2 maj të 1519, në komunën franceze Amboise.

Në 500-vjetorin e vdekjes së tij qeveria italiane ka programuar plot 500 evente gjatë gjithë këtij viti, prej ku veçohet çelja e muzeut “Scuderie del Quirinale” pranë selisë së Presidencës në Itali. Ekspozita speciale titullohet “Leonardo Da Vinçi”- Shkenca para të gjitha shkencave.”

Mbi 200 dorëshkrime, skica, dokumente origjinale, makete arkitekture, piktura, fotografi, mes të cilave gjendet i vetmi libër me shënimet origjinale të Da Vinçit, dëshmojnë në këtë ekspozitë veprën e Leonardo Da Vinçit, në kontestin kulturor e artistik që karakterizonte Italinë e 400-500 viteve më parë.

Ekspozita është e ndarë në 10 pavijone, për secilën prej temave kryesore të veprës së Leonardo Da Vinçit: mendimit të tij teknik e humanist të formuar në Toskanë, shfaqur përmes skicave të shpikjeve të makinave të mëdha në zhvillimin e ndërtimit, në artin e luftës, në studimin e anatomisë së zogjve dhe teknikat e fluturimit të makinave, që paraprinë idenë e avionëve të parë, projektet arkitektonike mbi qytetet ideale e deri tek biblioteka private e Da Vinçit, që përfshin edhe një libër kuzhine.

Për herë të parë për publikun vendas, në këtë ekspozitë ekspozohen 10 skica origjinale të Da Vinçit, që i përkasin Kodikut të Atlantikut, të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane.

Përmes ndërtimit të kontestit kulturor të kohës, ndikimit nga disiplina të ndryshme e përshkrimit të aftësive teknike e shkencore të Leonardos, kjo ekspozitë ka ofruar një vizion më të gjerë e të plotë të figurës së gjeniut.

Miti modern i Leonardo Da Vinçit, befason edhe sot, 500 vite nga vdekja e tij.

Nuk ka një disiplinë ku ai nuk ka eksperimentuar, që nga arti, filozofia, shkenca dhe anatomia.

“Leonardo Da Vinçi, na bën të jemi krenarë ne italianëve, – u shpreh pak ditë më parë, gjatë prezantimit të vitit të Da Vinçit, kryeministri italian Giusepe Conte.

Do të jetë një festë që do të zgjasë gjatë gjithë vitit, një rast më shumë për të vlerësuar Italinë dhe Leonardon tonë: këtij gjeniu universal, të njohur në të gjithë botën”, – u shpreh Conte.

Ekspozita kushtuar gjeniut pa kohë, shfaq aspektet unike dhe inovative të krijimtarisë artistike dhe gjetjeve shkencore të Da Vinçit, si vlera të padiskutueshme të tij përballë modernizimit.