MENU
klinika

Analiza

Kulti i personalitetit të Xi Jingping, një rrezik serioz për Kinën

16.09.2021 - 20:14

Nga Gideon Rachman, Financial Times

Shumë shpejt fëmijëve kinezë deri në moshën 10 vjeçare do t’u kërkohet të marrin leksione mbi idetë e presidentit Xi Jinping. Para se të mbushin vitet e adoleshencës, prej tyre do të pritet të mësojnë histori mbi jetën e udhëheqësit kinez, dhe të kuptojnë se “gjyshi Xi Jinping është kujdesur gjithmonë për ne”.

Kjo gjë duhet të jetë një këmbanë alarmi për Kinën e sotme. Pasi i bën jehonë kultit të personalitetit që kishte dikur Mao, dhe bashkë me të, urisë dhe terrorit të shkaktuar nga ky i fundit gjatë Hapit të Madh Përpara dhe Revolucionit Kulturor.

Nga Rusia e Stalinit tek Rumania e Çausheskut, nga Koreja e Veriut e Kim deri tek Kuba e Kastros, kombinimi i kultit të personalitetit dhe sundimit të Partisë Komuniste, është zakonisht një recetë për varfërinë dhe brutalitetin.

Këto krahasime mund të duken të nxituara, duke pasur parasysh pasurinë dhe sofistikimin që ka sot Kina. Transformimi ekonomik i këtij vendi në dekadat e fundit, ka qenë i jashtëzakonshëm, duke e motivuar Pekinin të promovojë një “model kinez” nga i cili mund të mësojë e gjithë bota.

Por është e rëndësishme të bëhet një dallim midis “modelit të Kinës” dhe “modelit Xi”. Modeli kinez i reformimit dhe hapjes, i hartuar dhe zbatuar fillimisht nga Deng Xiaoping, bazohet tek refuzimi i kultit të personalitetit. Deng u bëri thirrje zyrtarëve që “të kërkojnë të vërtetën tek faktet”.

Politika duhet të udhëhiqet nga një vëzhgim pragmatik i asaj që funksionon, sesa nga deklaratat madhështore të Kryetarit Mao. Që zyrtarët të lejoheshin të eksperimentonin me politikat e reja ekonomike, ishte vendimtare që vendi të shkëputej nga frika dhe dogma e lidhur me një udhëheqës të gjithëfuqishëm.

Kufizimet e mandatit të presidentit kinez u prezantuan për herë të parë në vitin 1982, duke ia kufizuar në dy mandate 5-vjeçare pushtetin çdo udhëheqësi. Në vitet pas vdekjes së Deng, Kina kishte arritur të realizonte dy kalime të rregullta të udhëheqjes, nga Jiang Zemin tek Hu Jintao, dhe nga Hu tek Xi Jingping në vitin 2012.

Kufizimet synonin qëtë zgjidhnin problemin e trashëgimisë, që shqetëson shpesh shtetet njëpartiake. Pas kësaj, udhëheqja kolektive e partisë, do të kishte më shumë rëndësi sesa udhëheqja karizmatike e një njeriu të vetëm. Por, në epokën e Xi, Partia Komuniste Kineze ka përqafuar edhe një herë një kult të personalitetit.

Kjoka dominuar idetë e Xi Jinping mbi kushtetutën e re që u miratua në një kongres në vitin 2017. Ky ishte një nder qëi ishte dhënë më herët vetëm një udhëheqësi tjetër gjatë kohës që ishte ende në pushtet:Maos. Në vitin 2018, kufizimet e mandateve presidenciale të epokës së Deng u hoqën, duke krijuar terrenin që Xi të sundojë për dekada, në mos deri në vdekje.

Intensifikimi aktual i kultit të personalitetit nga Xi, duket si përgatitje për kongresin e PKK që pritet të mbahet vitin e ardhshëm, dhe ku dëshira e udhëheqësit kinez për të qëndruar në pushtet pafundësisht, do të vuloset nga partia që ai e kontrollon tërësisht.

Xi është gati i sigurt se do të arrijë të zbatojë idetë që ka në kokë. Mbështetësit e tij do ta përshëndesin këtë veprim. E pse jo? Udhëheqësi kinez propagandohet të jetë një “perandor i mirë” – një udhëheqës i mençur, i cili po bën të gjitha lëvizjet e duhura për të modernizuar vendin.

Sigurisht këtu nuk duhen harruar reformat e ndërmarra nga Xi, si goditja e korrupsionit dhe një politikë e jashtme më agresive. Po ashtu mund të justifikohen fushatat aktuale për të zvogëluar pabarazinë midis kinezëve, dhe për të kontrolluar fuqinë e kompanive të mëdha të teknologjisë.

Por të gjitha këto politika, mund t’i përkeqësojnë më tej gjërat. Kështu,frikësimi i Tajvanit, mund të çojë në një konfrontim të panevojshëm me SHBA-në. Ndërkaq, goditja e kompanive të mëdha të teknologjisë, mund t’i frikësojë sipërmarrësit dhe të pengojë zhvillimin e sektorit privat.

Vështirësia më e madhe është se nëse gjërat shkojnë keq, për këdo do të jetë shumë e vështirë që ta thotë hapur këtë gjë. Të gjitha kultet e personalitetit, bazohen mbi idenë se udhëheqësi i madh është më i mençur se kushdo tjetër që e rrethon. Nuk mund të pranohet pretendimi se ai ka bërë gabime.

Kritikët kinezë që mendonin për një keq-menaxhim të pandemisë së Covid-19 nga ana e presidentit Xi janë futur në burg. Në Kinën e Xi nuk do të ketë hetime publike apo dëgjime parlamentare në lidhje me origjinën apo menaxhimin e pandemisë.

Kulti i presidentit Xi është ndërkohë shumë poshtërues për zyrtarët e arsimuar të shtresës së mesme dhe asaj të lartë të Kinës, të cilët janë të detyruar që të studiojnë çdo ditë mendimet dhe e idetë e Xi në një aplikacion special.

Prej tyre pritet që të shprehin respekt për mendimet e udhëheqësit, dhe të përsërisin vazhdimisht frazat e tij të preferuara, të tilla si “malet e gjelbra dhe uji i pastër, janë të barabarta me malet prej ari dhe argjendi”.

Çdokush që e konsideron këtë ritual të kundërshtueshëm apo për të qeshur, do të ishte i zgjuar që t’i mbante për vete këto mendime. Kulti i Xi Jingping, nënkupton se mungesa e sinqeritetit dhe frika kanë depërtuar thellë në sistemin kinez.

Edhe vazhdimi i udhëheqjes së Xi në të ardhmen, është ndërkohë një recetë për një krizë të ardhshme të trashëgimisë së pushtetit. Udhëheqësi kinez është aktualisht 68 vjeç. Në një moment, ai nuk do të jetë më i aftë për të qeverisur. Por si do të largohet nga posti që mban? Krijimi i një kulti të personalitetit nga Xi, dhe lëvizjet e tij për t’u shndërruar në një“sundimtar të përjetshëm” janë pjesë e një modeli global shumë shqetësues.

Në Rusi, Vladimir Putin po kryen ndryshime kushtetuese, që do ta lejojnë atë të mbetet në postin e presidentit edhe kur të jetë në të 80-at. Donald Trump “bënte shaka”kur thoshte se Shtetet e Bashkuara duhet të imitojnë Kinën për heqjen e kufijve të mandatit presidencial.

Por sistemi politik në SHBA ka kontrolle dhe balanca, të cilat deri më tani kanë arritur që t’i pengojnë instinktet më të këqija të Trump. Ndërkohë në një vend të tillë si Kina – pa gjykata të pavarura, pa zgjedhje apo media të lira – nuk ka kufizime të vërteta ndaj kultit të udhëheqësit. Kjo është arsyeja pse Xi është tani më një rrezik për vendin e tij.