MENU
klinika

Nga rënia e papunësisë tek deficiti dhe goditja ekonomike

Masat kufizuese fundosën buxhetin e shtetit

27.09.2021 - 13:59

Masat kufizuese të qeverisë gjatë 2020 goditën fort buxhetin e shtetit. Qeveria ka çuar në Kuvend buxhetin faktik për vitin 2020, ku bëri një bilanc të situatës financiare të vitit që lamë pas. Në raport bëhet me dije, se Shqipëria është veçanërisht e ekspozuar ndaj tkurrjes ekonomike të lidhur me pandeminë për shkak të marrëdhënieve të saj intensive me disa nga ekonomitë e BE-së të prekura më rëndë nga pandemia, si dhe sepse ajo mbështetet fort në sektorin e turizmit.

Po ashtu, theksohet se ndikimi i pandemisë në tregun e punës ishte i ndjeshëm dhe kjo veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit që lamë pas. Sa i përket shkallës së papunësisë, në raport bëhet me dije se ajo ishte 12.3% në tremujorin e fundit të vitit 2020, duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar kjo me vitin 2019. “Ndikimi i pandemisë në tregun e punës ishte i ndjeshëm, veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Megjithatë, një pjesë e punësimit u rikuperua gjatë gjysmës së dytë të vitit si pasojë e rihapjes graduale të ekonomisë dhe masave të marra për subvencionimin e pagave dhe implikimet strukturore afatgjata për tregun e punës nuk janë shqetësuese. Shkalla e papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2020 ishte 12.3%, me një rritje të lehtë nga niveli prej 11.6% që shënonte në fund të vitit 2019. Ndërkohë, punësimi u kontraktua me rreth 1.8% në krahasim me një vit me parë dhe n? fund të vitit 2020 numri i të punësuarve në Shqipëri ishte 1,172,988 persona”, thuhet në raport.

Deficiti fiskal dhe të ardhurat

Sa i përket deficitit fiskal, në raportin për buxhetin faktik të qeverisë bëhet me dije se deficiti rezultoi të ishte për vitin 2020, 6.9%, duke qenë kështu më i ulët sesa kufiri ligjor i vendosur prej 8.4%. Nga ana tjetër, në buxhetin faktik të qeverisë vihet re një rritje e borxhit publik për shkak edhe të huamarrjes nga qeveria për të përballuar pandeminë që ka prekur vendin. “Deficiti fiskal në 2020 arriti në 6.9% të PBB-së, nga një mesatare prej afro 2% në tre vitet e mëparshme, por megjithatë rezultoi më i ulët se sa kufiri ligjor prej 8.4% e PBB-së, ndërsa borxhi publik arriti nivelin prej 76% të PBB-së, në rritje me pothuaj 10 pikë për qindje nga viti 2019.

Sidoqoftë, borxhi publik rezultoi më i ulët se sa pritshmëritë fillestare prej rreth 80%, ndonëse u rrit për herë të parë pas katër vjetësh, për shkak të nevojës së huamarrjes së qeverisë për të përballuar efektet e krizës së pandemisë”, deklarohet në raport. Lidhur me të ardhurat totale të buxhetit, në buxhetin për vitin 2020 bëhet me dije se të ardhurat për vitin 2020 ishin 425.9 miliardë lekë. Duke i krahasuar me një vit më parë, në raportin e buxhetit thuhet se të ardhurat totale të buxhetit ishin më të ulta. “Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për vitin 2020 ishin 425.9 miliardë lekë, ose rreth 34.4 miliardë lekë (- 7.5%) më pak se një vit më parë.

Edhe ky kontraktim i të ardhurave, edhe pse nga më të fortit në dekada, sërish rezultoi të ishte ndjeshëm më i zbutur se sa parashikimet fillestare. Si peshë ndaj ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme publike arritën në 26.5% të PBB-së (nga 27.4% në 2019). Në terma nominalë, shpenzimet e përgjithshme publike gjatë vitit 2020 ishin 536.2 miliardë lekë, ose 44.3 miliardë lekë (9.0%) më shumë se në vitin 2019”, thuhet në buxhetin për 2020.