MENU
klinika

Nga Enver Robelli

Merkel i krijoi hapësirë Beogradit për të mos pranuar Kosovën

15.09.2021 - 10:51

E pyetur nëse Beogradi duhet të pranojë Kosovën para se të hyjë në BE, kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës në Beograd tha:

“Disa çështje zgjidhen tek në fund të procesit. Çdokush e di që Kosova nuk është e pranuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”

Këtu Merkel nuk i bën presion Serbisë për ta pranuar Kosovën, por duke rrudhur supet thotë: po Kosovën as 5 shtete të BE-së nuk e pranojnë, rrjedhimisht pse ta pranojë Serbia?

Ajo s’ka nevojë ta thotë këtë hapur, mjafton të nënkuptohet. Në vijim të deklaratës së saj Merkel tha se “me siguri nuk ka kuptim që të flitet në mënyrë permanente për problemin e fundit, para se t’i qasemi problemeve të tjera”.

Për Merkel njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është “problem i fundit”, jo i pari. E rrezikshme ishte edhe një paralele që Merkel bëri në Beograd.

Ajo tërhoqi vëmendjen se sa gjatë është dashur të presë Gjermania derisa me marrëveshjen “dy plus katër” më 1990 “u krijua qartësi”.

Kjo marrëveshje mes dy Gjermanive, Bashkimit Sovjetik, Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve hapi rrugën për bashkimin e Gjermanisë.

Krahasimi i pritjes së Gjermanisë për bashkim me pritjen e Kosovës për pranim nga Serbia është absurd.

Gjermania është ndarë pas Luftës së Dytë për arsye që dihen. Kosova, ndërkaq, ka qenë viktimë e agresionit serb. Siç shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nëse si masë merret përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më 1945 dhe nënshkrimi i marrëveshjes “dy plus katër” më 1990 dhe nëse kjo masë vendoset në raport me qershorin e vitit 1999, kur Serbia e humbi kontrollin mbi Kosovën, atëherë Beogradi gjendet në vitin 1967.

Sipas kësaj logjike dhe po qe se historia e Gjermanisë është masë kohore, atëherë Serbia ka kohë ta pranojë Kosovën deri në vitin 2044, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me sarkazëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


1913/ “Krimin do ta kryente një spiun shqiptar”

Ngriti flamurin e Shqipërisë/ Planet serbe për të vrarë priftin