Analisti Skënder Minxhozi është ndalur sot te debati që ka përfshirë PD-në pas vendimit që mori kryedemorati Lulzim Basha, i cili përjashtoi nga grupi parlamentar Sali Berishën.
I ftuar në ‘Real Story’ në ‘News24’ Minxhozi tha se këto debate brenda PD-së, janë një lajm i mirë për palën tjetër, PS-në.
“Ka një shprehje që thotë; uji nuk kalon në të njëjtat ura. Se ka kaluar Berisha nja 3 herë, çdo kalim ka një sasi djegiesh impulsesh. Karriera politike s’mund të zgjatet pafundësisht. Njeriu konsumohet pas disa vitesh, me marrjen e pushtetit, apo qëndrimin në opozitë, si në rastin e Bashës. Sot kemi një Berishë, i zbutur nga mosha, që paraqitet i dëmshëm vetëm për Lulzim Bashën, siç paraqitet tani dhe jo më gjerë se kaq. Një parti që është 100 mijë vota poshtë pragut elektoral të marrjes së pushtetit, e vetmja dhe ka sherr të brendshëm pasi janë kryer zgjedhjet, ky është lajm i mirë për palën tjetër. Ky konflikt do të ketë kosto në vota, njerëzore. Do të ketë harxhim duke mos u marrë me qeverinë, por me vetëveten. Do ketë pasoja të zgjatura në kohë. Po e ndjek atë që po bën ish-kryeministri ndaj pasardhësit të tij. Këtu jemi përballë dy gjendjesh. Me të drejtë ai merr anën procedurale, por vjen një moment që përsa i përket gjendjes së parë, të zgjidhjes me një firmë kryetari të statusit të ish-kryeministrit, duke e nxjerrë nga grupi, kjo është që të mbajë sherrin jashtë selisë. Basha e mori përgjegjësinë vetë.
Orët e parë kur kishte mëdyshje nëse kemi të bëjmë me një lojë perfekte treshe; SHBA, Berishë, Bashë, kjo ka rënë. Ndodhemi në një situatë që po përplasen dy gjendje. Është një gjendje që po përpiqet të zgjidhet nga ana procedurale, ku zoti Basha sot nuk tejkaloi rreshtat me ato që thotë. Por nuk krahasohet me atë çka tha Berisha, që i ndërroi dhe emrin. Ka dhe një problem shumë të madh me veten dhe me mënyrën se si e shtron problemin te Berisha. Nëse ti e çon deri këtu që sa të thuash; ‘partia ime ka një peng’, atëherë ti duhet të zgjidhën problemin më madhor. je ti që duhet të zgjidhësh problemin (Berisha). Problemet e tjera janë të rrjedhura. Nëse ai është derivat i Ramës, ti duhet ta heqësh këtë derivat. Ti do lësh që të konsumohen zgjedhjet, një farsë, dhe mos të flasësh fare, kjo tregon se je i gatshëm që të durosh 2013-ën, 2017-ën dhe 2021, kjo nuk ngjit.”, tha Minxhozi.