Në një kohë që COVID-19 po merr trajta të gjithëllojshme, duke ndryshuar gjenet me qëllim që të mbijetojë, mjekët epidemiologë kanë marrë në analizë mutacionin ekzistues, duke e krahasuar me atë që kaluam në janar-shkurt.
Është eksperti i Shëndetit Publik, Ilir Alimehmeti ai që kësaj here, nuk paraqet një studim të huaj, por një analizë të tijën, duke hequr paralele mbi dy variantet në fjalë, “Alfa” e “Delta”.
Pas analizimit të testeve të kryera, infektimet ditore, hospitaizimeve dhe fataliteteve, mjeku arrin në konkluzionin se varianti i fundit paraqitet më qetë se vala e dimrit.
“Shtrimet në spital gjatë valës ‘Delta’ janë 11.4-fish më të ulëta se sa gjatë valës ‘Alfa’ (p < 0.001): 36,4 numri mesatar i të shtruarve në spital gjatë valës ‘Delta’, 413,9 numri mesatar i të shtruarve në spital gjatë valës ‘Alfa’.
Humbjet e jetës gjatë valës ‘Delta’ janë 13.8-fish më të ulëta se sa gjatë valës ‘Alfa’ (p < 0.001): 42 humbje jete gjatë valës ‘Delta’, 579 humbje jete gjatë valës ‘Alfa’.
Vdekshmëria e rasteve me ‘Delta’ (CFR – Case Fatality Rate) rezulton 4.2-fish më e ulët se sa gjatë valës ‘Alfa’.
Por, në të gjithë indikatorët vala ‘Delta’ duket qartësisht më e qetë në Shqipëri në krahasim me valën ‘Alfa’, edhe pse numri i testimeve është shtuar gjatë valës ‘Delta’ dhe ka një dokumentim më të lartë”.
Ky efekt, sipas tij është pasojë e numrit të lartë të personave që e kanë kaluar infeksionin në rrugë natyrore dhe numrit të personave të vaksinuar, sidomos të personave në kategoritë vulnerabil. Përfundimi i referohet të dhënave të marra nga buletini ditor i Ministrisë së Shëndetësisë.