”Jemi gjaku i shprishur” – thonë ata, duke iu referuar shpërndarjes nëpër botë të Arbërve, me vetëdijen se i përkasin grupit të njëjtë etnik. Malli për atdheun, thur vargjet si këto…
Ishi një dit nï moujiti Prigit
ishi nje mot pà varè.
Thomë ti, lule, thom çe kè
jë sëmbu qà,
dhe main me harè.
Ngrita sit për d’air
dhe paç njè cap rè
u krëdoja ke ishi lëti
ishi albresh dhe flisi sigja né.
—
Ish një ditë e muajit prill,
e ish një mot pa re;
Thuamë ti o lule,
thuamë ç’ke,
që gjithnjë qan e nuk gëzon kurrë.
Ngrita sytë drejt qiellit
dhe pashë një copë re,
besoja se qe e huaj,
ish arbëresh e fliste si ne.
“Moti i madh” – kjo pasuri e jashtëzakonshme kulturore e riteve festive, lindjes, martesës e vdekjes, këngësh e vallesh, kostumesh popullore dhe zejesh, të pandara me gjuhën dhe letërsinë e pasur arbëreshe, ruhet prej rreth gjashtë shekujsh, në 50 komunitetet vendosur në shtatë rajone (Abruzzo, Molise, Campania, Puglia, Basilicata, Kalabria, Sicilia) të Gadishullit Italian.
Identiteti etnik dhe gjuha janë simbol i gjallë në popullsinë arbëreshe. Ndërsa folklori, dëshmon një kujtesë të vazhdueshme të atdheut.
Këngët fetare dhe ato popullore, legjendat e përrallat, si dhe proverbat përshkohen nga solidariteti etnik i këtij komuniteti të lashtë. Ndërsa temat përsëriten si për të shprehur dëshirër e zjarrtë dhe mallin për atdheun e humbur, heroin legjendar Gjergj Kastrioti dhe tragjedinë e diasporës pas pushtimit osman…
Prej gjashtë shekujsh, kjo traditë e ruajtur me fanatizëm synon të përballet e të bëhet pasuri e të mbarë njerëzimit…
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi, vizitoi qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese), për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh”, për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore në UNESCO.
Akademia është pjesë e grupit të punës, për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare, duke siguruar grupin e punës se, mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.
“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà, janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, – tha Gjinushi.
Gjinushi tha, se, “trashëgiminë arbëreshe, për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj, një vlerë që ka merita dhe rëndësi, jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.
Akademik Francesco Altimari, bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë dhënë kontribut për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.
Akademik Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve dhe ritualeve kalendarike-pranverore arbëreshe dhe shqiptare, me rrjedhat ciklike të jetës agrare.
Akademik Shaban Sinani, paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh”, me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve” – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.
On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo, me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.
Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës.