Fasadat e pallateve më të larta, duke filluar nga qendra, por edhe në zonat me periferike janë mbuluar me vizatime që kanë në qendër figurën e gruas, duke personifikuar Tiranën dhe ndryshimet e saj në këto 100 vite kryeqytet.
Kuratori i “mural fest” dhe piktori i mirënjohur Helidon Haliti thotë se është një nga projektet më atraktivë të rinisë së sotme, sepse e gjithë bota ka nevojë për shumë ngjyrë.
Keto janë tre pikturat e para që i kanë dhënë jetë, mureve të Tiranës, si pjesë e projektit të ‘Mural Fest’, ku janë pjesë 20 piktor të mirënjohur nga shtete të ndryshme. Aktualisht është duke u bërë murali i katërt në afërsi të stadiumit Dinamo.
Kuratori i këtij festivali, piktori Helidon Haliti, jep detajet e 10 pikturave shumëngjyrëshe, që do ti shtohen fasadave të Tiranës, kryesisht të përqendruara në zonën e Komunës së Parisit, por jo vetëm.
Qëllimi i organizatorëve është edhe përcjellja e mesazheve sociale nëpërmjet këtyre veprave të artit. Sipas Halitit, “Mural Fest” vjen si një nevojë e qytetit dhe një vullnet i mirë për të lënë një ekspozitë në qiell të hapur për qytetin e Tiranës.
Në këtë edicion të tretë, i cili do të mbyllet më datën 30 Shtator, marrin pjesë artistë vendas dhe të huaj nga Gjermania, Greqia, Spanja, Indonezia, Serbia, Italia.