MENU
klinika

FAB

”Nana” – ekspozitë vetjake, dashurisë hyjnore

20.09.2021 - 12:47

         Çelet ekspozita e titulluar “Nana”, me autor Zaim Elezin.

Galeria “FAB”, pranë Universitetit të Arteve mirëpret ekspozitën vetjake të piktorit të njohur, që vjen e kuruar nga prof. Sadik Spahija.

Piktori Elezi, sjell në ekspozitë një grup punimesh, që datojnë nga vitet ’80-të e deri më sot – që prezantohen për herë të parë. Prof. Spahija, shprehet se tema e amësisë ka prezantuar ndjenjën e dashurisë së thellë, lidhjen e pazgjidhshme dhe hyjnore që lidh nënën me fëmijën, duke mbetur një nga temat më të bukura dhe më tërheqëse në historinë e artit.

Spahija thekson se, Zaim Elezi prezanton punë që nga vitet ’80 e deri më sot, kohë që rrok dy sistemet, shumë ndryshime, por që ruajnë vetëm një dimension: dashurinë për nënën, parë kjo në 360 gradë.

“Ajo çka dallojmë, së pari, që bën veçantinë e këtij autori në raport me temën, është se ai nuk ka reshtur së pikturuari nënën, duke mbetur në thellësi tema e jetës në krijimtarinë e tij. I gjithë korpusi i këtyre veprave nuk është ekspozuar asnjëherë. Ai i ka pikturuar ato për kënaqësinë e tij. Sado narciziste të duket kjo, e parë në kontekstin e kohës ku shtrihen shumica e veprave, përbën një sfidë përballë temave dhe kanoneve të imponuara të realizmit socialist. Tema e nënës, ndjenjat nënë-fëmijë, si ndjenjat më natyrale, mund të vinin në plan të dytë ose vinin në dyshim tematikën e asaj kohe”, shprehet prof. Spahija në tekstin e tij. Kuratori vijon se autori nuk shfaqet asnjëherë me praninë e tij fizike, (përveç një rasti të sjellë enkas), duke e lënë personazhin në përditshmërinë e saj.

Prof. Sadik Spahija shprehet më tej, se mjeshtëria e vizatimit e ndihmon ta ndjekë personazhin pa e trazuar, duke e përcjellë si kujtesë në ritualin e saj. Sipas tij, piktori e modelon fort atë, duke kërkuar tridimensionalitetin, i cili në shumicën e rasteve e zotëron hapësirën.

“Me një modelim skulptorik prania e personazhit fuqizohet pa zbukurime të jashtme, duke fituar siguri dhe forcë. Ngjyra vepron në drejtime të tjera. Aty ai është më spontan, aq sa ruan masat e mëdha dhe të sheshta, aq dhe e shkërmoq sipërfaqen duke e prekur me ndjeshmëri të rralla. Peneli i tij sa i dukshëm dhe i ngjeshur mbi telajo me plot siguri, po aq tretet dhe zhduket, duke i lënë vend një hapësire pa tregues, duke vënë në pah gjendjen psikologjike. Ai është mjeshtër i ekuilibrit dhe i fokusit ritmik”, – shprehet kuratori.

Zaim Elezi mbaroi studimet në vitet ‘80 në Institutin e Lartë të Arteve. Pjesë e përhershme e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare, nga fundi i viteve 80-të e në vazhdim, duke përmendur kështu ekspozitë personale në Selinë Botërore të Tregtisë në Gjenevë, Zvicër; ekspozitë personale në Universitetin Popullor të Gjenevës, ekspozitë personale dhe kolektive në Annmase, Francë si dhe ekspozita të shumta kolektive në Itali, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë etj.

FAB: Ekspozita për publikun artdashës, vijon deri më 30 shtator.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit