Gjenden pas 77 vjetësh nga terrori nazist i luftës së Dytë Botërore, në Angli, mbetjet e një prej atyre që konsideroheshin si “superarmët” e Adolf Hitlerit.
Ekipi nga Burimet për Hulumtime Arkeologjike, po gërmonte një krater 14 metra të thellë dhe 38 metra të gjerë, kur zbuloi papritur armën në fjalë. Vëllezërit, Colin dhe Sean Welch, drejtuesit e projektit, thonë se bëhet fjalë për mbetjet e një rakete V2 të Hitlerit.
Pjesë e armës ishte mekanizmi ndezës, që përmbante oksigjen të lëngshëm dhe përzierje alkooli. “Raketat hynin thellë në tokë në formë krahu, ndonjëherë me një trajektore rreth 70 gradë”, – shprehen ekspertët.
Mendohet se raketa lëvizte me një shpejtësi prej 3.000 km/h.
“Raketat e tyre ecnin shumë shpejt. Po t’ju godisnin, nuk do të merrnit vesh asgjë”, – shprehet Sean.
Mijëra raketa V2, janë lëshuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës II, ndërsa vetëm në Britani, kanë shkaktuar më shumë se 9 000 viktima.
Disa pjesë të raketës V2, janë prodhuar në Çekosllovaki dhe në një fabrikë në Austri. Raketa e sapozbuluar do të pastrohet dhe do të restaurohet me përpikmërinë më të madhe, në një proces që pritet të zgjasë disa muaj.
Për secilën raketë, thuhet se janë nevojitur 30 ton patate, për të prodhuar alkoolin e nevojshëm për hedhjen. Raketa u krijua në kohën kur kishte mungesë të madhe ushqimi për gjermanët dhe kur ata filluan ta humbnin luftën.
“Superarmët” e Hitlerit konsiderohen V1 dhe V2 Vergeltungswaffen, apo ndryshe armët hakmarrëse.