Normaliteti i ri, me të cilën nxënësit duhet të përshtateshin vitin e kaluar, duket se do të vazhdojë edhe për ca kohë.
Së paku, edhe këtë vit shkollor. Si asnjëherë më parë, në mes të javës, institucionet arsimore parauniversitare hapën dyert për të pritur qindra mijëra nxënës, të cilët ashtu si vjet, u paraqitën me maskë e alkool me vete për të zhvilluar mësimin kundrejt distancimit fizik me bashkëmoshatarët brenda ambienteve të shkollës.
Shumica e nxënësve u kthyen në shkolla, jo për të nisur vitin e ri, por për të bërë një përsëritje të atij që lanë pas. Ata, sikundër edhe drejtuesit arsimorë, pajtohen që kaluan një vit të vështirë, krejt të pazakontë dhe me shumë mangësi, të cilat Ministria e Arsimit iu dha afat katër javë kohë për t’i plotësuar disi. Prezenca në ditën e parë ishte e kënaqshme në shumicën e shkollave, por mësuesit thonë se pjesëmarrja e vërtetë duhet parë në ditët në vijim, pasi 1 shtatori ishte më tepër simbolike.
“Sot kisha në banka më shumë se 90% të nxënësve, por shpresoj shumë që të mos jetë më tepër kuriozitet se sa dëshirë për të kaluar edhe një herë temat që bëmë online”, thotë një mësuese e “Dora Distrias”. Si ditë e parë shkollat mësohet të kenë zhvilluar vetëm lëndët kryesore, si gjuhë shqipe, matematikë dhe lëndë sportive.
Ashtu siç përcaktoi Instituti i Shëndetit Publik në protokollin e masave anti-Covid 19, mësues e nxënës u paraqitën me maska dhe e mbajtën deri në dalje jashtë oborrit të shkollës. Më tej gjithçka vijoi si më përpara. Me acarimin e situatës pandemike gjatë periudhës së verës, edhe masat në shkolla janë bërë më të rrepta. Nxënësve mbi klasën e pestë iu kërkohet maskë e detyruar, ndërsa mësuesit duhet të jenë vaksinuar përpara se të futen në klasë. Kjo ishte edhe në fokus të porosive që ministrja e Arsimit, Evis Kushi, dha gjatë vizitës në një shkollë të rindërtuar në Durrës.
“Shpresoj ta shfrytëzoni këtë muaj për të përsëritur ato që mësuat vitin e kaluar, po edhe të bëheni gati për vitin e ri shkollor që nis në datën 27. Por mos harroni edhe rregullat anti-Covid, që duhet t’i respektojmë përsëri”.