Oborri mbretëror, në vitin 1930, ishte i preokupuar për nusen e ardhshme të mbretit.
Në shkrimin e shtypit amerikan – që gazetari Ilir Ikonomi e ndan me publikun – thuhet se ata kërkuan ndihmën e kryediplomatit amerikan, Heman Bernstein. Ky i fundit, thoshte se më e rrezikshmja nga të gjitha, do të ishte një princeshë italiane, nëse do të vinte për nuse. Ata mendonin se më e mirë për mbretin Zog, do të ishte nëse merrte një nuse amerikane, pasi do të ishte një shembull i shkëlqyer për popullin tonë.
Sipas tyre, një grua e pasur, por e shëmtuar, nuk e tërheq mbretin. Pas shtatë vitesh, Zogu u njoh me 22-vjeçaren Geraldine Appony. Ndonëse hungareze, Geraldina e kishte nënën amerikane, ishte katolike, jo shumë e pasur, por e bukur.
Shkrimi i plotë:
NJË NUSE DEMOKRATIKE PËR MBRETËRINË SHQIPTARE
Në vitin 1930, aq i madh ishte meraku për nusen e ardhshme të mbretit beqar Ahmet Zog, saqë oborri mbretëror iu drejtua për ndihmë kryediplomatit amerikan në Tiranë, Herman Bernstein.Në një kabllogram të datës 4 dhjetor për sekretarin e shtetit në Uashington, ministri Bernstein përshkruan bisedën që pati në legatë me Abdurahman Krosin, baba për shpirt i Mbretit Zog. Krosi shoqërohej nga Faslli Frashëri, ish-deputet që shërbente si përkthyes.
Krosi e filloi bisedën duke thënë se legata amerikane ishte e vetmja ku ai vinte për këshilla dhe për ndihmë, se Amerika ishte i vetmi vend të cilit Shqipëria i zinte besë, se vetëm Amerika mund ta ndihmonte Shqipërinë dhe se në fakt e kishte ndihmuar.Aburahman Krosi, shkruan Bernstein, ishte një burrë i gjatë dhe shpatullgjerë, të cilit i trembeshin të gjithë, edhe anëtarët e kabinetit. Ai ishte besnik deri në fund i Mbretit dhe e donte monarkun si fëmijën e vet, sepse e kishte rritur dhe mbrojtur me duart e tij.“Unë jam fshatar, jo diplomat. Nuk marr vesh nga politika dhe diplomacia, prandaj do t’ju flas nga zemra,” i tha Krosi ministrit amerikan.
“Kam kohë që jam në merak për Mbretin, sepse ka ardhur çasti që të martohet. Por kam frikë se do të ishte e rrezikshme që ai të martohej me një princeshë europiane. Më e rrezikshmja nga të gjitha do të ishte një princeshë italiane. Çdo princeshë e huaj do të sillte me vete intriga dhe rreziqe të reja për Shqipërinë. Prandaj kemi arritur në përfundimin se gjëja më e mirë për Shqipërinë do të ishte nëse Mbreti Zog merr një nuse amerikane. Një grua amerikane e kulturuar dhe plot energji do të ishte një shembull i shkëlqyer për popullin tonë. Shqiptarët nuk do ta pëlqenin martesën e Mbretit me një princeshë të huaj, por do të ishin të kënaqur me një grua amerikane. Vendi do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga kjo martesë. Ne e dimë se një grua amerikane si mbretëreshë e Shqipërisë do t’i sillte vendit jo vetëm kapital amerikan, por edhe sigurinë se pavarësia jonë do të ishte e mbrojtur.”Krosi e pyeti ministrin nëse mund ta ndihmonte.
“I thashë se kjo ishte një çështje kaq delikate, – shkruan Bernstein, – saqë nuk e kuptoja se si mund të jepja ndonjë ndihmë. Ai më tha se ministri i mëparshëm i Amerikës Charles C. Hart kishte qenë mjaft i interesuar për këtë çështje dhe kishte premtuar ndihmë.”Bernstein kërkoi të dinte se a ishte Mbreti Zog në dijeni të këtij plani. Krosi u përgjigj se kishte folur shpesh për këtë punë me Mbretin, i cili i kuptonte rreziqet e martesës me një princeshë europiane.“Mbretit nuk kanë ç’i duhen familjet e degjeneruara mbretërore të Europës, – tha Krosi. Ai do të donte një grua demokratike amerikane si mbretëreshë të Shqipërisë dhe në qoftë se kjo lloj martese nuk bëhet dot, do të preferonte të mbetej beqar.”Bernstein e pyeti se çfarë gruaje amerikane kishte në mend Mbreti Zog. Krosi u përgjigj:“Një grua e pasur por e shëmtuar nuk e tërheq Mbretin. As do ta donte një grua të bukur por të varfër.
”Krosi tha se puna e fesë nuk do të ishte fare pengesë, madje në fakt martesa e Mbretit me një grua të krishterë do të ishte një shembull i shkëlqyer i lirisë fetare në Shqipëri dhe se popullin shqiptar do ta gëzonte një martesë e tillë.“Në këtë pikë, – shkruan Bernstein, – Krosi më pyeti përsëri nëse mund ta ndihmoja. I shpjegova me shumë delikatesë se nuk mund të bëhesha shkes për t’i gjetur grua Mbretit të Shqipërisë.”Shtatë vjet më vonë, fati i trokiti në derë Mbretit. Në fund të vitit 1937 ai u njoh me 22-vjeçaren Geraldine Appony. Ndonëse ishte hungareze, ajo e kishte nënën amerikane. Ndonëse ishte katolike, feja nuk u bë fare problem për martesën e tyre. Ajo ishte jo shumë e pasur, por shumë e bukur. Mbi të gjitha kishte një shpirt demokratik dhe një zemër fisnike.