MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Përkrahësit e Bashës dhe të Berishës: racionalët vs. emocionalët

27.09.2021 - 12:04

Dje zhvillova një sondazh privat elektronik me votues të thjeshtë të PD-së. Duke qenë një sondazh privat, nuk mund t’i raportoj rezultatet e tij. Por pa zbuluar detaje, mund të them në përgjithësi se përkrahësit e Bashës janë më pragmatistë dhe ata të Berishës janë më pasionantë.

Të parët i shohin më të mëdha gjasat e ardhjes së PD-së në pushtet me Bashën në krye. Ndërsa të dytët, edhe pse i shohin më të vogla gjasat e ardhjes në pushtet me Berishën në krye (apo me një të besuar të tij), e përkrahin atë me pasion.

Vatja e ambasadores Kim tek selia e PD-së (fill pas kthimit nga Uashingtoni), dhe sidomos mesazhi i saj i qartë publik se Uashingtoni do ta përkrahë hapur rikthimin në pushtet të PD-së së udhëhequr prej Bashës, duket se ka ndikuar që Basha ta konsolidojë përkrahjen në pjesën pragmatiste të elektoratit demokrat – atë që thjesht do rikthimin e PD-së në pushtet, e jo rehabilitimin e Berishës në Uashington…

Nga ana tjetër, shumica dërrmuese e përkrahësve të Berishës janë të gatshëm t’i qendrojnë atij besnikë, pavarësiht se ç’mund të bëjë SPAK-u apo se sa e gjatë mund të jetë beteja e Berishës me Departamentin e Shtetit. Siç duket ata besojnë tek shpresa që u ka ngjallur Berisha, se pas katër vjetësh, Republikanët do ta kenë fituar Shtëpinë e Bardhë dhe një Sekretar Shteti republikan do ta shfuqizojë vendimin e Sekretarit aktual për shpalljen e tij persona non grata…

Këtu duket qartë se kemi një përballje mes votuesve racionalë (që bëjnë llogari elektorale në mendjen e tyre) dhe atyre emocionlë (që janë të lidhur shpirtërisht me Berishën dhe e përkrahin atë në të mirë e në të keq). Në këto kushte, nuk mund të pritet që Basha të zhvillojë Foltore si të Berishës, me pjesëmarrës entuziastë. Ndërsa ky i fundit do t’i vazhdojë Foltoret e tij të zjarrta.

Sidoqoftë, në fund të ditës, nuk janë foltoret ato që përcaktojnë se kur mblidhet Kuvendi i PD-së apo se çfarë vendimesh merr ai. Raporti i forcave brenda anëtarëve të Kuvendit është vendimtar për betejën Basha-Berisha. Në qoftë se atje mbizotërojnë racionalët, fiton Basha. Në qoftë se mbizotërojnë emocionalët, fiton Berisha.

Dhe pyetja e madhe është, çfarë do të bëjnë eventualisht përkrahësist emocionalë të Berishës, nëse ai nuk arrin ta shkarkojë Bashën. A janë ata aq shumë të lidhur emecionalisht me Berishën, sa të mos votojnë fare nesër për një PD të udhëhequr nga Basha? Aktualisht kështu duket, por pas katër vjetësh nuk i dihet…

Nga ana tjetër, në qoftë se Berisha ia del ta shkarkojë Bashën, është mëse e qartë sesi do të jetë PD-ja paskëtaj. Një pjesë e elektoratit racional demokrat mund të ftohet me PD-në e Berishës, në qoftë se i sheh të vogla gjasat për fitoren e saj. Me pak fjalë, ajo do të ishte një parti pasionante, më e vogël, dhe e izoluar ndërkombtarisht (të paktën deri sa në Shtëpinë e Bardhë të mos ketë ardhur një Republikan)…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do përplaset me SHBA, Kim mesazh të fortë ditën e parë të parlamentit"

Analisti Zaloshnja: Basha mes dy zjarreve, demokratët e duan Berishën, s’ka forcë ta përjashtojë!