Personi që dyshohet se ka qëlluar mbi efektivin e policisë në Lezhë është Aldo Rama.
Sipas News24 ai është nga Elbasani dhe fotoja e tij është shpërndarë në të gjitha Komisariatet e policisë. Po ashtu në kërkim është edhe i vëllai i tij, shtetasi Selim Rama.
I shpalluri në kërkim Aldo Rama dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një patrulle policie, e cila ishte në kontroll për kultivim të lëndëve narkotike.
Si pasojë ka mbetur i vrarë efektivi 44-vjeçar Saimir Hoxha. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Informacioni nga policia
Rreth orës 10:30 ,në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.