Ditën e djeshme, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, shefi i saj, si ishte pritur, bëri të njohur përbërjen e qeverisë së re, e cila do të jetë në të njëjtën kohë edhe qeveria “Rama 3”.
Për herë të parë në periudhën pluraliste një forcë e vetme politike është besuar të qeverisë në të tretin mandat radhazi, i cili aq sa do të jetë i vështirë, aq edhe mund të jetë shansi i ri i qeverisjes së mëtejshme, për të vazhduar në vite me prioritetet e saj dhe mbi të gjitha, për të shmangur gabimet, fajet dhe paudhësitë e tetë viteve të shkuara.
Shefi i qeverisë e di se ky do të jetë mandati më i vështirë në qeverisjen e tij; askush dhe asgjë nuk mund të bëhet alibi e punës së tij, nëse gjërat nuk shkojnë nga e mbara dhe mbi të gjitha, gjithçka rëndon mbi shpatullat e një ekipi, që i përzgjedhur ditën e djeshme, është para sprovës së madhe: do të mund kjo trupë drejtuese të ndërtojë atë vizion që kanë socialistët në këto vite, apo si mund të ndodhë, të jetë një periudhë e humbur dhe mote të shkuara dëm.
Edi Rama e ka zgjedhur me dorën e tij ekipin me të cilin do të drejtojë. Si gjithnjë, besnik i parimit të tij se gratë qeverisin më mirë se sa burrat, 12 zonja, të besuarat e tij, do të jenë së bashku me 5 kolegë, ministra e kryeministër, ata që do të mund të bëjnë disa realitete, shpesh herë të premtuara dhe pak herë të arrira.
Disa veçori të qeverisë së re.
Pak vetë, qoftë edhe nga emrat e rinj, janë të provuar në poste të rëndësishme. Disa po rikthehen në funksione dikasteriale, të tjerë janë rishtarë, ose kanë lëvizur nga njëri dikaster në tjetrin, pa arritur të lënë si duhet vulën e punës së tyre. Ata kanë besimin e shefit të qeverisë dhe kjo është edhe kartëvizita e tyre për të pasur edhe besimin e shumicës socialiste, e cila do i miratojë pa mëdyshje në Kuvend.
Ata duan kohën e tyre për të dëshmuar nëse besimi kryeministror ka qenë i duhuri, apo do të jenë në zhgënjimet e radhës.
Koha do të dëshmojë për secilin e secilën prej tyre.
Askush nuk e di nëse do të jenë të suksesshëm në funksionet e tyre; askush nuk e di nëse ky ekip qeveritar do të vazhdojë të jetë i tillë dhe i njëjtë në katër vitet e ardhshme. Sprova e tyre fillon pas pak ditësh dhe do të jetë e rëndë: disa mund të shkëlqejnë, të tjerë mund të tërhiqen pas. Jo më kot shefi i qeverisë, para se të shpallte ekipin, bëri kujdes të theksonte “stolin e rezervës”, që nuk do të mund të presë gjatë. Paralajmërimi ishte i qartë dhe i kuptueshëm.
Por ata kanë një gjë të përbashkët, asnjëri prej tyre, të paktën, nuk është “non grata”.
Kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme, sidomos për një qeveri, e cila si pak vetë e kanë pritur, fillon tani mandatin e saj të tretë.
Pak kush mund të besojë se ky ekip, para se të vejë në asamblenë socialiste, nuk ka patur të paktën një konsultim, në Rrugën e Elbasanit. Në ambasadën që bëri paralajmërimin më serioz në 30 vitet e fundit, se, kush mbështet të padëshiruarit, minuesit e demokracisë, i bën pjesë të vetes dhe shkon pas tyre, ai ekip, forcë politike a strukturë, do të hajë bar.
Ekipi “Rama 3” nuk ka mbi vete mëkatin e të qënurit i padëshiruar, sidomos kur shpallja është bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në fund të fundit, një gjë e tillë është mbi të gjitha akt besimi dhe mbi bazën e këtij akti duhet të jetë një qeveri e besueshme.
Për të qenë e tillë, pra të dhënë besim dhe për të pasur besim, procesi duhet të fillojë së pari nga vetë forca politike që i mandaton.
Nga e majta.
Sepse,
Nuk kishte duartrokitje.
Socialistët, domosdo, do e mbështesin qeverinë e tyre, megjithëse ende nuk e kanë të qartë nëse ajo përfaqëson gjithë spektrin e tyre; që nga vizioni i së majtës, deri te përfaqësimi i krahinave, qarqeve, mjediseve, kohërave, gjë për të cilën, shefi i së majtës, deri tani, pak ka bërë kujdes dhe i ka kushtuar vëmendje.
Vetëm pak emra ministrash apo sekretarë shteti janë të lidhur drejtpërdrejtë me të majtën progresive. Asnjëri prej tyre nuk përfaqëson tani gjenezën e socialistëve dhe as një brez i furishëm eurosocialist që e gjeneruan këtë forcë politike në momentet më të rëndësishme të saj. Ndryshe nga sa ndodhi në emërimin e zotit Braçe, disa vite më parë, emrat e afruar nga zoti Rama dhe që do të miratohen nga parlamenti i porsa zgjedhur, nuk kanë mbi vete militantizmin e domosdoshëm dhe vendosës të së majtës.
Një pjesë e rëndësishme e qeverisë së tanishme është teknike, një pjesë tjetër e bashkuar me të majtën përmes posteve që kanë mbajtur në vite dhe të paktë ata që u bënë pjesë në ditë të vështira.
Tri gjëra të mëdha janë përballë kësaj qeverie, në të cilën, aq sa gjen emra përfaqësues të së majtës, aq ndeshesh me të panjohur, ose me ata që befas, duke u bërë pjesë e ekipit elektoral, e gjetën veten edhe pjesë të shumicës qeverisëse.
Së pari, rindërtimi dhe eliminimi i pasojave të tërmetit të nëntorit 2019. Si duket, pikërisht për këtë, jo edhe aq papritmas, u krijua ministria e posaçme e rindërtimit dhe si vazhdë e asaj që ka ndodhur deri tani, ministri i ri – i vjetër, do të jetë edhe zëvendëskryeministër, duke u ulur në karrigen e deritanishme të figurës karizmatike të së majtës, Erion Braçe.
Së dyti, pandemia. Deri tani, megjithëse ka sjellë pasoja dërmuese, ajo ka “dëshmuar” fat në fatkeqësi për të majtën.
Përballimi i saj, në momente të rënda dhe kaotike, për vetë enigmën e saj, solli rritjen e besimit të njerëzve në qeverinë “Rama 2”, e për rrjedhojë, rritjen e votës ndaj së majtës.
Nëse deri tani ka qenë përparësi politike përballimi i saj, tani me rikthimin e saj, ndoshta edhe më rëndë se më parë – sido që të jetë, ajo do të jetë vështirë e përballueshme nga njerëzit e zakonshëm, gjithçka mund të kthehet në të kundërt. Lodhja e njerëzve, shterimi i burimeve financiare, rëndimi i gjendjes mund të sjellin furinë politike mbi qeverinë e re dhe si ndodh në këto raste, ndëshkimi mund të bjerë mbi “koka turku”, por edhe mbi vetë qeverinë, që ende pa filluar mandatin e tretë, projekton e mendon për të katërtin.
Së treti, rritja e borxhit publik po bëhet gangrena e shtetit. Nën peshën e tij mund të groposen të gjitha: me qeveri e ministra, me parti politike dhe biznese, për të shkuar deri në thërrmimin e shtetit.
Shteti, në këto 30 vite, është thërrmuar një herë, pikërisht nga figurat politike që minuan demokracinë dhe tashmë janë “non grata”, jo vetëm për Departamentin e Shtetit, por edhe për Parlamentin shqiptar.
Do të lejojë qeveria e re që duke u groposur për vete të sjellë buzë greminës edhe shtetin?
Qeveria “Rama 3” është frut i besimit të shefit të shumicës qeverisëse dhe rrjedhojë e besimit të tij.
Koha do të dëshmojë nëse ishte zgjedhja e duhur.
Por, rikthehem në zanafillën e shkrimit: të paktën jemi të qetë se asnjëri është “non grata”.
Dhe kjo nuk është pak, pas 8 vite qeverisje./ Dita