MENU
klinika

“Pengu për nënën...”

Rrëfehet i biri i Fadil Paçramit: Tmerri i arrestimit të babait!

14.09.2021 - 11:37

        Ka qenë 25 shtator 1975, kur Fadil Paçramit, ish-zyrtarit të lartë partiak e shtetëror, i kanë hedhur prangat në banesën e tij në Fushë-Arrëz.

“Në emër të popullit, je i arrestuar!”, kanë qenë fjalët e para që kanë shqiptuar shtatë policët që kanë mësyrë herët atë mëngjes për ta shoqëruar të prangosur në qelitë e burgut të Tiranës. Kur flet për këto çaste, Agim Paçrami, djali i vetëm i tij, përlotet dhe hera-herës harron fillin e bisedës.

Ka qenë diçka vërtet e tmerrshme, kujton ai, babai kishte ditë që qëndronte i sëmurë në shtrat me kriza veshkash e tension të lartë dhe ata e rrëmbyen dhunshëm si të ishte një bandit që kishte vrarë dynjanë”. Nga gjithë ajo skenë rrëqethëse, ai mban mend si e ka humbur një çast arsyen dhe është kacafytur me njërin nga policët që nuk ia ka kursyer grushtet. Plot 18 muaj pas kësaj situate, familja e Fadil Paçramit nuk ka pasur asnjë kontakt me të dhe nuk ka ditur asgjë për fatin e tij.

Ai “është bërë i gjallë” vetëm kur ka mbërritur në burgun e Burrelit dhe që aty ka adresuar letrën e parë për familjarët, për të mos e ndërprerë korrespondencën deri në fund, gjithnjë sipas rregullit të burgut.

Sakaq, në rrëfimin për Gazetën “Panorama”, i biri tregon mjaft episode nga kalvari i vuajtjeve pas dënimit të të atit. I përjashtuar nga shkolla teknike si djalë i armikut, Agim Paçrami tregon zhgënjimin që ka provuar teksa ka zbritur nga Fushë Arrëzi në Tiranë për të takuar Enver Hoxhën, por e kanë adresuar te një zyrtar i tij që i ka përplasur derën në fytyrë.

Sa brenga për kryqëzimin e të atit, në kujtesën e tij ka mbetur dhimbja për sfilitjen e nënës, Violetës, asaj ish-partizanes 17-vjeçare që përfundoi pastruese e rrugëve të qytetit të Fushë-Arrëzit.

Ndërkohë, Violeta, nëna juaj punonte në bibliotekën e Pallatit të Kulturës së qytetit…

Përpara se të më përjashtonin mua nga shkolla, hoqën Violetën nga biblioteka ku punonte. E çuan të bënte arka. Ishte një punë tejet e vështirë. Nuk i bënte dot për qamet dhe vrau gishtat. Pastaj e çuan në një punë tjetër, as atë s’e bënte dot. Atëherë, Fadili vendosi që ajo të qëndronte në shtëpi. “Do jetojmë,- i tha,- me atë 4 mijë e 800 që marr unë”. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, sepse Fadili hyri në burg.

Me një fjalë, e humbët dhe katër mijë lekëshin…

Të këqijat vinin njëra pas tjetrës. Tani unë duhej me patjetër të kërkoja punë. Ashtu bëra dhe më kthyen përgjigje të filloja në minierë. “Unë,-u thashë,- jam kalama, ça miniere”. Atje më thanë të shkoja. Refuzova prerë se më dukej krejt e pamundur të punoja aty. Gjendja në shtëpi sa vinte e rëndohej. Kur arrestuan Fadilin, më kujtohet si tani, policët që e prangosën, gjatë kontrollit nëpër xhepat e Fadilit gjetën 200 e 70 të vjetra. Na i kthyen.

Ato ishin të vetmet të ardhura që patëm në shtëpi. Ç’të bëje më parë me to. Të nesërmen shkova në minierë ku kishte punuar Fadili dhe tërhoqa çfarë lekësh i kishin mbetur pa marrë, bashkë me ato të lejes së zakonshme. Me to sikur e shtymë disi. Në këto kushte, trokita përsëri te zyra e kryetarit të këshillit dhe kërkova punë për vete dhe për mamanë. “Ti djalë, në minierë!”, më tha prerë ai. “Ndërsa Violeta të fillojë në komunale, në pastrimin e qytetit”. Desha, nuk desha, iu ktheva punës në minierë.

Ndërkohë, Violeta, që të nesërmen mori fshesën për të fshirë qytetin. Tre vjet me radhë ka fshirë Fushë Arrëzin rrëzë më rrëzë. Fillonte pa zbardhur mirë dhe punonte për orë tëra. Ndodhte që edhe kur e mbaronte punën në orën 12 të drekës, në orën 13 duhej patjetër të ishte me fshesë në dorë në qendër të qytetit. Ishte ky momenti kur aty kryqëzoheshin autobusët e Bajram Currit dhe Kukësit. Pasagjerët e shumtë që ndalonin për një kafe duhej ta shikonin si kishte përfunduar gruaja e armikut të popullit.

E kam peng që nuk ia hoqa dot nga dorë atë fshesë Violetës. E kam përjetuar atë situatë aq sa dhe burgun e Fadilit. Gjë më të tmerrshme nuk kishte. Ia kam thënë një herë dhëndrit të Enver Hoxhës dënimin e tim eti dhe ia fal, sepse deshi të merrej me politikë dhe nuk shkoi sipas rregullave. Por atë fshesën e Violetës nuk e përtyp dot. I qëlloi të gjorës që qytetin ku kishte luftuar e ishte plagosur në vitet e luftës, kur ishte vetëm 17 vjeçe, ta pastronte qoshe më qoshe në vitet e pleqërisë…

Tani, t’i kthehemi momentit të arrestimit, çfarë mban mend nga ajo ditë?

Ishte data 25 shtator 1975. Ishte koha kur më kishin përjashtuar nga shkolla dhe qëndroja në shtëpi. Aty nga ora pesë e mëngjesit ia beftën policët. Trokitën në derë me forcë siç dinin ata në këto raste. Fadili kishte disa ditë që qëndronte i shtrirë në krevat se ishte sëmurë. Gjatë natës pati kriza të forta në veshka dhe tension të lartë, çfarë më detyroi të merrja doktorin e urgjencës që e pati vizituar. Derën e hapi mamaja që ishte çuar dhe po mbushte ujë. Menjëherë vërshojnë brenda rreth 7 vetë. Sakaq, Violeta hyn në dhomën time duke qarë e me duart në kohë.

U çova menjëherë nga krevati, duke menduar se mos i kishte ndodhur gjë Fadilit që kishte rënkuar tërë natën. Kur dal në korridor i paveshur mirë, ç’të shikoj. Një tufë policësh të armatosur deri në dhëmbë, të egërsuar sikur kishin gjetur diversantin. Njëri prej tyre duke thirrur me zë të lartë: “Fadil Paçrami, në emër të popullit, je i arrestuar”, i hoqi batanijen me të cilën ishte mbështjellë dhe si e çoi me forcë në këmbë, i hodhi prangat. “Nuk kam bërë gjë, pse më arrestoni”, u mundua t’u flasë Fadili, po ku dëgjonin ata. “Tani në vrimë të miut, armik i poshtër!”, ia bëri njëri prej tyre, duke shtuar se arrestohej me akuzën për tradhti të lartë ndaj atdheut. Po çfarë tradhtie kam bërë unë, u tha Fadili që me zor fliste nga krizat.

Sakaq, ata e rrëmbyen me forcë dhe e përplasën te dera e hyrjes. Aty nuk e mbajta veten, jo se isha trim, por nuk mund të duroja. Atë nënën ku ta keni, u thashë me të sharë dhe vetëm mos më ardhtë dita se do t’ju a…. Sakaq, njëri ndër ta, një hetues nga Tropoja që e thërrisnin Rrahman, ma veshi me një shpullë të fortë sa më nxorën xixa sytë. Fadili, kur po dilte, më porositi për mamanë dhe më tha ki kujdes se tani kështu do shkojë kjo punë. Kur e nxorën me forcë me pranga në dorë, nuk e di ç’më shkrepi për ta shoqëruar, por njëri nga policët më tha të kthehem. U ktheva e qëndrova në shtëpi me mamanë, ndërkohë që grupi tjetër i hetuesve kishte nisur kontrollin e imtësishëm të banesës…

Dhe çfarë gjetën në shtëpi?

Gorricat. Çfarë do të gjenin. Le që nuk kishim asgjë për të fshehur, por edhe po të kishte ato mund t’i fshihnim me kohë. Ditën e parë kontrolluan cep e më cep pa na pyetur fare. Erdhën prapë të nesërmen, qysh në fillim na pyetën, kemi informacion të sigurt se Fadili mbante një pistoletë, ku e ka fshehur. Në fakt, ai e kishte pasur një pistoletë “Beretë”, që nga koha e luftës, por gjithnjë pa fishekë, e mbante si relikte. Kam pyetur mamanë më pas çfarë e bëri kur erdhi në Fushë Arrëz dhe ajo më shpjegoi se nga që ia dinte rrezikun e kishte çmontuar dhe ashtu copë copë e kishte hedhur në pyll në një nga ditët kur punonte në minierë.

Çuditërisht, ata e dinin që Fadili kishte pasur një pistoletë, madje dinin dhe tipin e saj. Tani u duhej ta gjenin për ta shtuar si provë në akuzën vrastare që kishin përpunuar për tradhti. Kur nuk e gjetën dot, iu kthyen mamasë kërcënueshëm: “Ku e ka pistoletën Fadili?”. “Im shoq ka pasur për armë penën dhe nuk kishte nevojë për pistoletë”, iu përgjigj një çast mamaja që kishte humbur durimin nga gjithë kjo reprezalje e lodhshme. Megjithatë, ata kërkonin, trokisnin pllakat, kërkonin në mur, poshtë parvazit të dritares e ku di unë ç’bënin.

I lodhur nga kjo gjendje, unë u shkoja te veshët dhe u thosha gërmo, o Tare, gërmo, se aty ke për ta gjetur qypin e floririt. Një dhomë na e mbyllën dhe më vonë, kur shkova për të marrë disa plaçka, pashë që muri ishte suvatuar, si duket atje ishin elementët e përgjimit. Na ndërruan dhe shtëpinë më pas. I mbajta plaçkat të gjitha vetë në krah në shtëpinë e re. Ndërkohë, ju vazhdonit të punonit në minierë…

Aty ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime. Çohesha në 5 të mëngjesit, mamanë e lija në dritare duke qarë, ecja një orë me makinë, më pas një orë në këmbë, shkoja në 7 te gryka e galerisë. Gjithë ditën ngarkoja makina me mineralë. Nga ora 12:00 deri 14:00 nuk punonim, se plasnin minat aty. Unë shkoja e vija përditë, ndërsa punëtorët e tjerë ishin nga fshatrat për rreth dhe qëndronin nëpër kasolle atje, nuk ktheheshin. Në fakt, nuk fitoja keq. Bëheshin 270, 300 lekë në ditë. Qëllonte që shpesh rrugën e bëja në këmbë. Kisha mësuar rrugët e shkurtra, kaloja lumin dilja në asfalt dhe arrija në shtëpi në 7 ose 7 e 30 të darkës.

Violetën e gjeja po te dritarja duke qarë. Kishte raste në mëngjes që nuk më dilte gjumi dhe i thosha se nuk do shkoja në punë. “Do të të flasë brigadieri”, më thoshte e shkreta. Me brigadierët ishte vërtet tmerr, ulnin e ngrinin Fadilin armik nëpër mbledhje, por u mësova më pas. Më kujtohet një ditë u bë një mbledhje për mua. Më urdhëruan që të merrja një dhomë dhe të flija aty, sepse me mungesat që kisha bërë i kisha shkaktuar një dëm ekonomik shtetit. Çfarë nuk më bënë për të më poshtëruar. Por ia kalova, ia dola…

Po kontaktet me Fadilin në hetuesi e burg, si i mbanit?

Çfarë kontaktesh. Plot 18 muaj nga dita e arrestimit nuk patëm asnjë kontakt. Vetëm kur mbaroi gjyqi dhe e çuan për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, na çoi letrën e parë. Atë ditë e mbaj mend shumë mirë. Ishte 28 prilli i vitit 1978. Fadili na shkruante çfarë kishte ndodhur me të nga dita e arrestimit dhe deri në ato momente. Na lajmëronte se ishte dënuar 25 vite për sabotim në kulturë. Nga ai çast pastaj patëm korrespodencë të pandërprerë, kuptohet siç ishin rregullat e burgut.

Po çastet e daljes nga burgu si i kujtoni?

Fadili doli nga burgu më 17 mars të vitit 1991, kur kishte kryer plot 15 vite e 5 muaj dënim në ferrin e Burrelit. U takuam të gjithë me lot në sy. Ishte një ditë e madhe ribashkimi me të. Ishte plakur e rrudhur. Ishte dërrmuar. Burgu kishte bërë të vetën, por ai ndihej jo keq. Për ditë të tëra vërshuan me dhjetëra shokë, miq e të afërt për ta takuar e për t’u çmallur me të. Filluan të trokasin dhe liderë partish.

Kishte ndër ta që e kërkuan për ta bërë pjesë të lidershipit të tyre, po Fadili refuzoi kategorikisht. Unë, thoshte, një viktimë dhe i zhgënjyer i politikës, më duhet të rri jashtë saj. Dhe në fakt ashtu qëndroi. Nuk u përzje kurrë në punë partish, po e filloi aty ku e kishte lënë krijimtarinë letrare, fillimisht me drama e pastaj me libra të tjerë!/panorama