MENU
klinika

Çfarë vendosi Komisioni i Konkurrencës?

Rritja e çmimit të bukës, asnjë penalitet për kompanitë!

30.09.2021 - 09:00

Komisioni i Konkurrencës vendosi të mos gjobisë kompanitë e miellit. Në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë, vetëm 2 nga anëtarët e Komisionit vendosën pro ndëshkimit me gjobë të këtyre ndërmarrjeve, tre të tjerët votuan kundër.

Në këto kushte, rritja abuzive e çmimit të miellit, që solli për pasojë edhe shtrenjtimin e bukës, kaloi edhe kësaj here pa penalitete. “Në mbledhjen që u zhvillua dje, lidhur me vendimin ‘Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve ‘AgroBlend SHPK’, ‘Miell Tirana SHA’, ‘Bloja SHA’ dhe ‘Atlas Mills SHPK’ për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara me VKK nr. 700, datë 24.07.2020’, në një votim 2 pro dhe 3 kundër, nuk miratoi propozimin e Sekretariatit për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Dy prej anëtarëve të këtij komisioni, Juliana Latifi dhe Eduard Ypi, votuan pro ndëshkimit me gjoba të këtyre ndërmarrjeve, ndërkohë që Leida Matja, Adriana Berberi si dhe Denar Biba votuan kundër kësaj mase administrative”

REAGIMI

Të gjendur ngushtë për shkak të reagimeve që shkaktoi rritja e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurrencës komunikoi disa ditë më parë me masat e vendosura ndaj kompanive të miellit një vit më parë, në përfundim të hetimit që nxori në pah shkeljet e kryera prej tyre në bashkëpunim me njëra-tjetrën. Ndërmarrjet nën hetim, thuhet në vendim, caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes, gjë që bie në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, kompanive u është “lënë si detyrë” të mos caktojnë çmimet e blerjes apo të shitjes apo çdo kusht tjetër, të raportojnë çdo 3 muaj pranë Autoritetit të Konkurrencës si edhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.

“Komisioni i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 ka vendosur Detyrimin e ndërmarrjeve ‘Agro Blend SHPK’, ‘Miell Tirana SHA’, ‘Bloja SHA’, ‘Atlas SHA’ dhe ‘Atlas Mills SHPK’, të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike”, thuhet në njoftim. Prej 2017, këto kompani kanë qenë nën hetim.

Autoriteti i Konkurrencës vuri në dukje faktin se ka pasur indicie për shkelje të konkurrencës, gjë që ka nxitur hetimin e thelluar për periudhën nga viti 2017 deri në 2019. Por edhe pse janë konstatuar një mori shkeljesh, sërish nuk janë aplikuar penalitete. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj here. Por ndërsa kompanive u lihet dorë e lirë, kostoja do të vijojë të rëndojë mbi qytetarët. Prej fillimit të këtij muaji, çmimi i bukës është rritur me 10 lekë dhe sipas prodhuese kjo ka ardhur për shkak të rritjes së çmimit të miellit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Adrian Civici/ Rreziku i rritjes së çmimit të grurit

Ndikimi në Shqipëri i bllokimit të eksportit të grurit nga Rusia

Më të shtrenjtën në raport me të ardhurat

Shqipëria shpenzon më shumë për bukë në Europë