Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në radhët e organizatës nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane, në tetorin e vitit 1943 dhe së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në Kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë në Landsberger e Daku, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane.
Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij, pak ditë pas mbërritjes në atdhe, pasi në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emilia.
Dënimi i Banushit me 18 vite burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961, ku ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes, në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, nga ku ai mundi që të arratisej nga burgu, që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, ku kaloi kufirin shtetëror dhe kaloi në Greqi, ku pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA.
Angazhimi i Banushit në rradhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku në vitin 1973, pasi ishte sëtrvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës, në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit dhe arrestimi i tij në vitin 1975, në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit, pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vite në qelitë e ‘Repartit 313’, në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.
“Kur nisën kontradiktat e para të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972-’73 , na i shtoi akoma dhe më shumë besimin se kishte ardhur koha të organizoheshim me masa konkrete për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Pas bisedimeve që kishin bërë më parë krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me zotin Zhozef Shishko, zv/ sekretar i Departamentit të Shtetit dhe Majorin Tomas Smith që mbulonte emigracionin politik shqiptar në SHBA-ve, në janarin e vitit 1974, Kryesia e Organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, vendosi të dërgonte në Shqipëri grupin e pare, i cili do të përbëhej prej pesë vetash. Ndër detyrat kryesore që do të kryente ai grup, ishin: ‘Takimet me njerëzit e pa kënaqur nga regjimi komunist, minimi i monumentit të Stalinit dhe Leninit në qendër të Tiranës, hedhja në erë e selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste që ishin përgatitur më parë që në New York etj. U vendos që grupin e parë do ta kryesoja unë, me që kisha njohje me kontigjentin e familjeve të përndjekura nga regjimi komunist, ku do të mbështeteshim ne fillimisht. Në këtë grup përveç meje bënin pjesë dhe I. Rrushiti, N. Banushi, I. Lame dhe A. Sula. Mbas disa përgatitjesh intensive që bëmë në një bazë sekrete, më në fund u nisëm me avionin që do të përshkonte intenerarin: New York – Londër,- Amsterdam – Romë – Athinë. Kur mbërritëm në kryeqytetin grek, u strehuam në Hotel “Atllantik” dhe të nesërmen shkuam në bazën ushtarake të Prevezës, ku koloneli që na priste na furnizoi me armatime që përbëheshin nga pesë automatikë, pesë pistoleta, 20 granata, 6 kg. dinamit, kapsula dhe mjetet mekanike për shpërthimin e tyre, mjetet dhe veshjet e notit, një radio- marrëse e dhënëse, si dhe shumë municione e pajisje të tjera. Pasi i sistemuam këto në një vend të sigurtë, bisedova me kolonelin për rrugët e mundshme që duhej të ndiqnim për të hyrë në Shqipëri dhe në orën shtatë të mbrëmjes u nisëm me një motoskaf të vogël që drejtohej nga tre marinarë dhe pas disa orësh mbërritëm në bregdetin e Ksamilit”.
Kështu e kujtonte fillimin e “aventurës shqiptare”, Avdul Hakan Banushi, me origjinë nga Golem i Gjirokastrës, i cili rrëfente për herë të parë disa nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij, të ndodhura në vitin 1974 – ‘75, kur ai në krye të një grupi komando të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyri disa herë me misione të fshehta në Shqipëri.
Kush Avdul Banushi dhe cila është e kaluara e tij? Përse u internua ai në kampin nazist të Dakaos në Gjermani dhe si mundi që të lirohej prej andej? Si u kthye ai në Shqipëri në tetorin e vitit 1945 dhe përse u dënua me 18 vite burg, duke u akuzuar si agjent i anglo–amerikanëve? Si mundi ai që të arratisej nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit në ditët e para të gushtit të vitit 1961 dhe si e kaloi kufirin për në Greqi? Çfarë i kërkuan atij në Athinë dhe si mundi ai që ta fitonte azilin politik për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kush ishin krerët antikomunistë shqiptarë që organizuan “Fronin e Rezistencës” dhe përse dështoi “aventura shqiptare” e Abdyl Banushit dhe atentati ndaj Enver Hoxhës në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntorin e vitit 1974? Cili ishte njeriu që e shoqëroi dhe e tradhtoi Abdyll Banushin në misionin e tij të fundit në Shqipëri, gjë e cila bëri që ai të binte i gjallë në duart e forcave shqiptare të kufirit në afërsi të Hanit të Hotit, pas së cilës ai do të izolohej në burgun e tmerrshëm të Burrelit, deri në shembjen e regjimit komunist në 1991-in? Lidhur me këto dhe mjaft ngjarje e fakte të tjera, na njeh intervista ekskluzive që na ka dhënë z. Banushi, disa vjet më parë, e cila do jetë në gjashtë numra radhazi, duke filluar nga sot.
Zoti Avdul, çfarë vendimesh u morën në atë mbledhje?
Komiteti i porsa formuar vendosi të nxirrte një gazetë dhe një revistë javore si dhe u vendosën shtatë numra telefonikë sekretë të paregjistruar në librin përkatës. Të gjithë ata që ishin në mbledhje, pranuan dhe lëshuan nga një deklaratë me shkrim, ku thuhej se ishin të gatshëm të anëtarësoheshin në “Frontin e Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”. Pas kësaj, në tetor të vitit 1973, u mblodh kryesia e organizatës e cila vendosi përgatitjen e një programi provizor dhe rregulloren që parashikonte një disiplinë të fortë në radhët e antarëve të grupit. Po në atë mbledhje, u vendos që të krijoheshin dy grupe me nga pesë vetë secili, që do të zbarkonin me misione të fshehta në Shqipëri. Personat që do të merrnin pjesë në këto grupe, duhej të ishin njerëzit më besnikë të “Frontit të Rezistencës”.
A u legalizua nga qeveria amerikane “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare” dhe çfarë misionesh do të kryenin grupet që do hynin në Shqipëri?
Jo, ajo vazhdonte të ishte ilegale, sepse amerikanët i mbaheshin asaj që i kishin thënë Vasil Gërmenjit në Departamentin e Shtetit, ndërsa misioni që do të kryenin këto grupe kur të futeshin ilegalisht në Shqipëri, do të ishte: krijimi i bazave antikomuniste, takimet me njerëzit e pakënaqur nga pushteti komunist i Enver Hoxhës, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste që ishin shtypur më parë në SHBA-ve, si dhe krijimi i disa bazave tepër të sigurta për ata që do të hynin në përbërje të grupeve në Shqipëri. Me një fjalë thelbi i gjithë misioneve që do të hynin në Shqipëri, ishte që ne të shikonim gjendjen reale në vend, mundësisht nga Jugu në Veri, për të kontaktuar me familjet e goditura dhe të pakënaqura nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo do të bëhej në mënyrë që ne t’ju jepnim atyre shpresë dhe t’i përgatisnim moralisht për ndryshimin e situatës në vend. Duke ndjekur nga brenda situatën, ne do të krijonim një tablo më të plotë nëse ishin krijuar kushtet për të ndërhyrë nga jashtë. Këto misione do të kishin karakter tepër sekret dhe ato nuk mund t’i dinin antarët e thjeshtë të organizatës, për to do të kishin dijeni vetëm disa nga kuadrot kryesor të zgjedhur të saj. Po kështu edhe organizatat apo grupet e ndryshme që do të krijoheshin në Shqipëri, nuk do të kishin lidhje e njohje me njëra tjetrën, me përjashtim të kryetarëve të grupeve. E gjitha kjo bëhej me qëllim që të ruhej jeta e atyre që ishin në Shqipëri, sepse regjimi komunist i Enver Hoxhës, siç dihej, me anë të Sigurimit të Shtetit kishte agjentët e vet kudo, si brenda ashtu dhe në Perëndim ku ishim ne.
Pas misionit të parë që kryet në janar 1974, çfarë vendosi të bëj “Fronti i Rezistencës” në lidhje me Shqipërinë?
Pas misionit të parë që bëmë në Shqipëri, më 30-prill 1974 kryesia e “Frontit të Rezistencës” kishte vendosur që ai vit të ishte viti i aksioneve konkrete në Shqipëri, me vepra dhe jo me fjalë. Sipas atij vendimi ne kryem aksionet e hedhjes së bombave në ambasadat shqiptare të akredituara në Romë e Paris, që ju fola më lart. Në atë kohë kryesia e “Frontit të Rezistencës” caktoi një grup për t`u takuar me z. Zhozef Shishko, ku u përfshiva dhe unë.
A ju priti zoti Shishko dhe çfarë biseduat me të?
Z. Shishko na priti në Washington dhe gjatë bisedës, ndërmjet të tjerash na tha: “Ne kemi dashur gjithnjë mardhënie të mira me Shqipërinë, por ata që janë në pushtet, janë njerëz të çuditshëm e shumë kokëfortë. Amerika nuk i ka bërë asnjë të keqe Shqipërisë, por përkundrazi, e ka ndihmuar atë gjatë Luftës. Ne nuk e kundërshtuam ardhjen e zotit Hoxha në pushtet, madje e ndihmuam. Por si shpërblim, ai na ktheu kurrizin dhe vazhdon ta fyej SHBA. Ju antikomunistët, keni marrë përsipër një barrë të vështirë të shpëtoni popullin shqiptar dhe unë ju përgëzoj për këtë nisiativë. Sa kam qenë në detyrën e zv / sekretarit të Shtetit për Ballkanin, ju kam ndihmuar, por tani kam një pozicion tjetër dhe nuk mundem t`ju ndihmoj dot. Po do t`ju lidh me një mikun tim, i cili do t`ju ndihmojë. Ai e mbajti fjalën që na dha.
A kryet misione të tjera në Shqipëri dhe ku jeni strehuar?
Pas misionit të parë ne kryem edhe tre katër misione të tjera në Shqipëri, duke hyrë me mjete nënujore në bregdetin shkëmbor në Izvor të Dukatit, poshtë Qafës së Llogorasë. Për t’u futur aty, në jepej shenja me zjarr që nga Korfuzi. Po kështu jemi futur edhe nga kufiri tokësor në zonën e Pogradecit e Korçës, në Malin e Thatë, ndërmjet fshatrave Podgori dhe Zvezdë. Aty kemi bërë dhe një përpjekje me armë me ushtarët e kufirit, pasi qeni i tyre sulmoi një shokun tonë. Pasi jemi strehuar në një bazë të sigurtë në Zëmblak, jemi futur në qytetin e Korçës dhe jemi strehuar në familjen Stefanllari. Nga Korça kemi shkuar në Kavajë, ku unë kisha një kushëri oficer (V. Golemi) i cili ishte komandant i një batalioni tankist. Kur po hanim bukë në një restorant në Kavajë, pyeta për të një kamariere që quhej Abibe Cara, e cila më tha se e njihte, por ai ishte transferuar. Nga Kavaja, kemi hyrë në Tiranë dhe më pas kemi vazhduar në një bazë tonën në Macukull të Burrelit. Në një fshat të Burrelit jemi diktuar nga një i plotfuqishëm zone, të cilin e lidhëm dhe e morëm me vete deri në kufirin me Jugosllavinë. Ai nuk pranoi të vinte me ne jashtë dhe e lidhëm në një pemë që të mos rrezikoheshim.
Po pas këtyre misioneve, çfarë veprimtarie ndërmori “Fronti i Rezistencës”?
Duke e ditur se në 29 nëntorin e vitit 1974 regjimi komunist i Enver Hoxhës do të festonte 30-vjetorin e ardhjes së tij në fuqi dhe do të organizonte një paradë të madhe, Kryesia e “Frontit të Rezistencës” vendosi që të dërgonte në Shqipëri një grup prej pesë djemsh të zgjedhur, të zgjuar dhe trima, të cilat do të kryenin disa detyra tepër të vështira, ndoshta nga më të vështirat që ishin kryer deri atëhere.
Çfarë detyrash ishin këto?
E para, mundësisht të hidhej në erë, ose të mitralohej tribuna ku do të qëndronte udhëheqja e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, e dyta të hidheshin bomba në ambasadën kineze, detyrë kjo që nuk ishte realizuar më parë për shkak të vështirësive, dhe e treta: të krijoheshin lidhje me oficerë të pakënaqur të ushtrisë shqiptare. Për kryerjen e këtyre aksioneve, u caktova unë si kryetar i grupit.
Çfarë bëtë pas këtij vendimi?
Pas kësaj. Sekretari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Mexhit Dibra, u takua me majorin Tomas Smith dhe i bëri atij të ditur gjithë planin për grupin që do të futej në Shqipëri dhe për atentatin ndaj Enver Hoxhës. Smithi i tha Mexhitit: “Si është i mbrojtur Enver Hoxha dhe perëndia nuk ka ç`i bën”. Mexhiti i tha se, ajo ishte marrë përsipër nga grupi i Avdul Banushit. Pas kësaj, Smithi tha: “Për këtë jam dakord dhe unë, por çdo gjë do të ngelet kofidenciale nëpërmjet meje dhe jush”.
Si vepruat pas miratimit që i bëri majori Smith, aksionit tuaj?
Më datën 20 nëntor të vitit 1974, unë së bashku me pjestarët e grupit tim, u nisëm nga SHBA-ja dhe sipas itinerarit të paracaktuar, mbërritëm në Athinë e Prevezë. Më 22 nëntor, ne ishim në Filat të Çamërisë dhe i’u ngjitëm Malit të Stillos. Brenda kufirit shqiptar vumë re lëvizje të shumta, gjë e cila tregonte se Kundërzbulimi Shqiptar, mund të kishte dijeni për misionin tonë.
Si mund të binte Sigurimi i Shtetit Shqiptar, në gjurmët e misionit tuaj?!
Gjatë asaj periudhe, Sigurimi i Shtetit kishte krijuar rrjetin e “merimangës së zezë” agjenturore edhe në radhët e mërgatës sonë antikomuniste në Perëndim. Shumë prej tyre që ishin nga kontigjenti ynë i të përndjekurve, ne i njihnim dhe u ruheshim, por kishte dhe të tjerë që ne nuk i dinim. Kur na afrohej ndonjë nga agjentët në lokalet që frekuentonim, ne bënim një lojë, duke folur me zë të lartë, e i thonim njeri tjetrit se dy hynim në Shqipëri nga Gjiri i Vlorës. Agjenti që e dëgjonte bisedën tonë, njoftonte Sigurimin e Shtetit në Shqipëri, i cili përforconte Gjirin e Vlorës, ndërsa ne futeshim nga Kepi i Stillos, pa ndonjë problem.
Si u futët në territorin shqiptar atë radhë?
Ndërsa Sigurimi Shtetit Shqiptar na priste që ne të hynim në Kepin e Stillos, ne i’u shmangëm atij drejtimi. Përmes njerëzve tanë që kishim në Greqi, kishim mundur të rekrutonim një nga komandantët e postave shqiptare të kufirit, të cilit i kishim dhënë 700 USD. Kështu kufirin e kaluam tek posta e atij oficeri, që na la një zonë të pambuluar me shërbim”.
Kush ishte ai officer, a mund të na e thoni tani që nuk përbën më sekret?
Nuk ka rëndësi emri i tij dhe nuk po ua them se ka qenë ushtarak e nuk mund ta dekonspiroj, pa pasur miratim nga ai. Por po u tregoj, se pak kohë më pas, ai mundi të arratiset për në Jugosllavi dhe që andej fitoi statusin e emigrantit politike e shkoi në Kanada, ku jeton edhe sot.
Çfarë peripecish kaluat gjatë kalimit të kufirit?
Duke e ditur se për raste festash Ushtria e Sigurimi i Shtetit Shqiptar i dyfishonin rojet dhe merrnin masa të rrepta, ne nuk kaluam në urën e Lumit Pavëll, por e kaluam lumin në këmbë. Baza jonë e parë ishte në fshatin Aliko të Sarandës. Atje e kishte shtëpinë djali i njërit prej anëtarve dhe përkrahësve më të flaktë të “Frontit të Rezistencës” në Amerikë. Ai ishte dhëndrri i Kryetarit të Kooperativës dhe punonte si shofer. Ne hymë në lidhje me të dhe ai na transportoi deri në Bamadat të Delvinës. Më pas ne i dhamë edhe 100 USD të tjera dhe ai pranoi të na çonte deri në Gjirokastër, ku ne u strehuam në bazën tonë të përhershme, tek familja Jonuzi.
Po nga Gjirokastra ku vajtët?
Pasi familja Jonuzi na kishte siguruar pesë bileta, ne hipëm në autobuzin e linjës për në Tiranë. Tek Ura e Subashit, ishte vendosur një postobllok me policë dhe ushtarë, të cilët kontrollonin të gjithë të panjohurit. Kur ndaloi autobuzi ku kishim zënë vend ne, gjashtë ushtarë të armatosur me automatikë e rrethuan atë, ndërsa një grup policësh qëndronin në këmbë tek dera e autobuzit. Sapo i pashë ata mendova se nuk kishte pikë dyshimi se të dhënat për grupin tonë ishin të sakta.
A ju kontrolluan dokumentat?
Përnjëherë njëri nga oficerët nisi të kontrollonte pashaportat, të parit nga grupi më kontrolloi mua që isha pas shoferit dhe më pas edhe shokëve të mi, që ishin të shpërndarë në vende të ndryshme. Megjithë vëmendjen e madhe, ai nuk dyshoi tek asnjëri prej nesh. Por pas oficerit në autobuz hynë tre civila me leckë të kuqe në krah. Unë sapo i pashë u drithërova se ata ishin bashkëfshatërt e mi dhe njëri prej tyre ishte xhaxhai im. Ata kaluan në mes pasagjerëve dhe shikonin sa majtas sa djathtas. Kuptohej se kërkonin fytyra të njohura dhe kjo ma shtoi ankthin. Por as ata nuk më njohën dhe ne vazhduam rrugën të qetë deri në Tiranë, ku në orën pesë të mbrëmjes u strehuam në familjen Bineri, që banonte në një bodrum tek Pallatet “Shallvare”.
Çfarë bëtë më pas?
Atë natë vetëm njëri nga shokët tanë, Sulejmani, i armatosur me një pistoletë dhe granata, doli në qytet dhe u afrua deri përball tribunes, ku do vendosej orkestra frymore. Aty e kthyen mbrapsht, pasi nuk kishte fletë hyrjen. I gjithë qëllimi i vajtjes së tij atje ishte që të siguronim ndonjë fletë-hyrje dhe ta kopjonim. Pasi u kthye Sulejmani, dola vetë deri në Sheshin “Skënderbej” dhe u afrova deri afër tribunës para Hotel “Dajti”-t, ku kishte me dhjetra ushtarë të armatosur e me uniforma parade, që bënin provat e fundit. Po kështu kishte dhe punonjës të Sigurimit të Shtetit të veshur civilë. Midis qindra njerëzve, më zuri syri dhe shumë bashkëfshatarë të mi, nga Golemi i Gjirokastrës, të cilët i kishte sjellë aty Sigurimi i Shtetit, që të më identifikonin mua. Më pas unë u ktheva në bazën tonë te familja Bineri dhe atë natë nuk dolëm më.
Po të nesërmen?
Ditën e nesërme më 29 nëndor, pasi kishim futur automatikët e vegjël “Tomson” dhe granadat poshtë palltove të mëdha, tentuam që të afroheshim edhe njëherë afër tribunës që për çudi ishte spostuar nga hotel “Dajti” ku e lamë në darkë, për në shkallët para kryeministrisë. Kjo gjë na e përforcoi qind për qind bindjen, se Sigurimi i Shtetit kishte dijeni për ardhjen e grupit tonë në Tiranë. Megjith këtë, unë tentova disa herë të afrohesha në një vend të përshtatshëm, që të kisha rreze veprimi për të qëlluar në drejtim të tribunës së udhëheqjes, por ishte e pamundur, sepse njerëzit e Sigurimit më largonin duke më kërkuar fletë-hyrjen. Unë munda ta ndjek paradën e madhe shumë larg, diku aty tek ura e Lanës në Parkun “Rinia”, ku tribuna mezi dallohej. Mbaj mënd se i pari doli në tribunë Haxhi Lleshi dhe pas tij vetë Enver Hoxha. Sipas të dhënave që morëm më vonë, kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë në paradat e më parshme, ku Enver Hoxha dilte vetë i pari në tribunë.
A menduat në ato çaste të bënit ndonjë veprim?
Ishte e pa mundur që të veproja nga aty ku isha unë, pasi mezi dukej tribuna dhe jo më të qëlloja me automatik në drejtim të udhëheqjes komuniste. Njerëzit e Sigurimit ishin kudo në gatishmëri të plotë dhe ata njiheshin kollaj se qëndronin me shpinë nga tribuna e me fytyrë nga populli.
Si vepruat më pas?
Pasi nuk kishim asnjë mundësi për të vepruar, për të mos e ndërlikuar më tej situatën, u kthyem menjëherë në bazën tonë ku roja që kishim lënë aty afër, na tha se herë pas here disa civilë vështronin në drejtim të shtëpisë ku ishim vendosur ne. Ajo gjë tregonte se ne ishim diktuar. Kështu natën, ne dolëm nga ajo bazë dhe ikëm në Yzberish, ku kishim një bazë tjetër.
Po për ambasadën kineze që kishit marrë vendim për t’i hedhur dinamit, çfarë bëtë?
Të nesërmen më 30 nëntor, unë u detyrova të hyja vetë përsëri në Tiranë, tamam për ambasadën kineze, në mënyrë që të mos ktheheshim pa bërë asnjë aksion. Iu afrova godinës e cila ishte në një vend tepër të rrezikshëm në mes Radio-Televizionit dhe Bulevardit të Madh, i cili ruhej nga të gjitha anët me ushtarë të armatosur. Edhe po të mos ishin ata ushtarë që i kishin nxjerrë në shërbim me rastin e festës së Çlirimit, gjithashtu ishte e pamundur të vendosje eksplozivin aty, nga rojet e ushtarët e institucioneve./Memorie.al