MENU
klinika

Ryshfet për punësimet në arsim/ SPAK nuk sqaron

Kush e sinjalizoi kryerjen e kësaj vepre penale?

30.09.2021 - 12:07

Prokurorët pranë Prokurorisë Speciale (SPAK) zbarkuan të martën në qytetin e Peshkopisë, duke çuar në pranga një zyrtar lokal, si dhe një sekser që kishte kontaktuar këtë të fundit për punësimet në arsim. Në pranga përfundoi Fitim Farruku shef finance në Këshillin e Qarkut si dhe shtetasi Halit Shehu.

Ky i fundit, ka kontaktuar zyrtarin lokal dhe nëpërmjet dhënies së një shume prej 100 mijë lekësh në formë ryshfeti, do të mund të punësonte një të afërm të tij në sektorin e arsimit. Burimet bënë me dije se operacioni i SPAK-ut zgjati përreth tre orë në zyrat shtetërore. Nga ana tjetër, SPAK nuk dha detaje të hollësishme se si ishte sinjalizuar për aferën korruptive.

“Në kuadër të procedimit penal Nr. 176/2021 të SPAK-ut, nga veprimet ka rezultate që shtetasi H. Sh. ka dashur të fillojë punë si mësues pranë Zyrës Arsimore Dibër. Për këtë qëllim, ai ka kontaktuar me shtetasin F. F., punonjës i Këshillit të Qarkut Dibër. Ky i fundit i ka premtuar, kundrejt shpërblimit, që t’i sigurojë ndikim tek drejtuesit e Zyrës Arsimore Dibër, në mënyrë që H. Sh. të punësohet si mësues pranë kësaj zyre. Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 lekësh nga shtetasi H. Sh., kundrejt shtetasit F. F., kanë ndërhyrë sakaq punonjësit e policisë duke bërë arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale. Shtetasi H. Sh. dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike’ parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, shtetasi F. F. dyshohet se ka konsumuar elementet e figurës penale të ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike’ parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, sqaroi SPAK. a.l

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN