Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për jetët e humbura si pasojë e zjarrit në spitalin Covid në Tetovë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare përcjell përqafime vëllazërore për të gjithë komunitetin tetovar dhe mbarë popullin maqedonas.
Rama e ka shoqëruar postimin e tij në Facebook edhe me një fjongo të zezë në shenjë zie.
“MIRËMËNGJES dhe duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja”, shkruan Rama.
Më herët edhe Presidenti Meta dhe kreu i PD, Lulzim Basha kanë shprehur ngushëllimet për ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë nga autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut deri tani konfirmohet për 10 viktima, por ministri Filipçe paralajmëroi se numri mund të rritet.