Në Shqipëri, ish kryeministri dhe ish drejtuesi i Partisë Demokratike Sali Berisha, nisi të enjten një aksion politik brenda kësaj force politike, për t’ju kundërvënë kryetarit aktual Lulzim Basha, pas vendimit të këtij të fundit për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, si pasojë e përcaktimit “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit në maj të këtij viti.
“Foltorja”e koncpetuar si një bashkëbisedime me bazën e demokratëve snon, siç e njoftoi vetë zoti Berisha, mbledhjen e firmave të 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, për të kërkuar thirrjen e forumit më të lartë të PD. “Do i kërkojmë Kuvendit të vendosë që të shprehet për vendimin që mori zoti Basha, çdo anëtar në mbarë Shqipërinë”, deklaroi zoti Berisha.
Një figurë qendrore e PD-së, që ka dominuar këtë forcë që nga themelimi i saj, zoti Berisha akuzon kryetarin Basha se me vendimin që mori për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar ka shkelur statutin dhe normat e partisë. Ai kreu një “akt të pashembullt në historinë e një vendi dhe të një shteti. Pa pyetur asnjë njeri, del dhe komunikon përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar duke i futur një thikë pas shpine të gjitha parimeve, mbi të cilat është ngritur PD”, tha zoti Berisha.
Ai po përpiqet t’i japë lëvizjes së tij një mbulesë parimore, në emër të statutit dhe rregullave, respekti ndaj të cilave nuk ka qenë një shembull i kultivuar në historinë e PD-së. Vetë zoti Berisha njihet si një drejtues që e ka mbajtur me dorë të fortë kontrollin mbi partinë, dhe janë të shumtë ata që i kanë kujtuar ditët e fundit, se në fakt zoti Basha nuk ka bërë gje tjëter veçse ka çuar përpara një model të trashëguar prej tij.
“PD është sot në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj. Ka 8 vjet në të cilat ka humbur çdo nismë përvec ligjit të dekriminalizimit, ka humbur çdo aksion. 8 vjet që para syve të saj shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe nuk i del zot. Ka 8 vite që kalon nga disfata elektorale në disfatë. Kjo është PD në ditët e sotme”, u shpreh zoti Berisha, i cili ndër vite, me heshtjen e tij, ka qenë një mburojë e drejtpërdrejt e zotit Basha, në disa valë përplasjesh që kryetari demokrat ka patur me zëra të fortë kritikë brenda partisë. Ai nuk e pranoi një gjë të tillë, megjithatë mbrëmë kërkoi ndjesë për faktin se mes demokratëve ishte krijuar një perceptim i tillë.
Nën thirrjet e shpeshta kundër Bashës, të demokratëve që kishin mbushur sallën e takimit, dhe me në rresht të parë disa deputetë dhe deputetë të PD-së, si dhe ish presidentin Bujar Nishani, aksioni i tij politik duket se synon largimin e kryetarit aktual. Ai nuk e mohoi asnjëherë një alternativë të tillë, madje as rikthimin e tij në krye të partisë, pavarësisht zotimit të përsëritur publik, se kjo çështje ishte një kapitull i mbyllur. Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse do t’i udhëhiqte sërish demokratët si kryetar i PD-së, zoti Berisha ju përgjigj duke thënë se “kush do e udhëheqë PD do e përcaktojnë demokratët me vullnetin e tyre të lirë”./ VOA