Hollywood-i është tronditur nga tragjedia që ndodhi gjatë xhirimeve të filmit të ri të Alec Baldwin, Rust. Vdekja e drejtoreshës së fotografisë, Halina Hutchins dhe plagosja e regjisorit 48-vjeçar, Joel Souza, erdhi për shkak të një aksidenti me një armë që kishte plumba të vërtetë. Hetimi vazhdon dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë penale.
Baldwin u pa në lot ndërsa fliste në telefon jashtë zyrës së sherifit në New Mexico. Hutchins u dërgua me aeroplan në një spital, ku u shpall e vdekur, ndërsa regjisori Joel Souza u transportua me ambulancë në një qendër mjekësore rajonale. “Nuk ka fjalë për të shprehur tronditjen dhe pikëllimin tim për aksidentin tragjik që i kushtoi jetën Halina Hutchins, një gruaje, nënë dhe kolege që ne e admiruam.
Unë jam duke punuar ngushtë me policinë për të zbuluar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj (Hutchins), duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij.“, shkroi mes të tjerash aktori. Tragjedia riktheu në vëmendje fundin tragjik të djalit të Bruce Lee, Brandon Lee, dhe disa ngjarjeve të tjera fatale që kanë ndodhur në sete filmike.
Vdekja tragjike e Brandon Lee
Në mars 1993, aktori 27-vjeçar Brandon Lee, djali i yllit të arteve marciale Bruce Lee, u qëllua për vdekje gjatë xhirimeve të The Crow. Arma ishte e mbushur me municion, ku nga hetimet rezultoi se një plumb 0.44 brenda tytës u shkrep, kur shoku i tij tërhoqi këmbëzën duke e goditur në bark. Hetimi arriti në përfundimin se ishte një rast vrasjeje nga “neglizhenca”.
Humbja e padrejtë e John Eric Hexum në 1984
Në xhirime humbi jetën edhe aktori John Eric Hexum. Sipas Access Atlanta, vdekja e tij ishte për shkak të një plagosje të paqëllimshme me armë zjarri në kokë gjatë xhirimeve të serialit “Cover Up”. Ai u dërgua në spital ku iu nënshtrua një operacioni, por mbeti në gjendje kome. Ai u shpall i vdekur pak ditë më vonë.
Tragjedia në “The Twilight Zone”
Ky prodhim i Steven Spielberg filloi me qëllimet më të mira. Rrëzimi i helikopterit gjatë xhirimeve vrau aktorin Vic Morrow dhe dy fëmijë aktorë, Renee Shinn Chen dhe My-ca Dinh Lee, në korrik 1982. Drejtori John Landis dhe katër të tjerë u akuzuan, por u shpallën të pafajshëm pas një gjyqi 10 mujor.
“Comes A Horseman”
Jim Sheppard u vra ndërsa po xhironte një skenë ku tërhiqet zvarrë deri në vdekje. Një kalë që e tërhiqte zvarrë doli nga rruga dhe bëri që Sheppard të godiste kokën në një shtyllë. Skena u fut në film, por pritet pikërisht përpara se kali të kalojë nga porta ku ndodhi aksidenti fatal.
“Midnight Rider: The Gregg Allman Story”
Kameramania 27-vjeçare Sarah Jones u godit për vdekje nga një tren gjatë xhirimeve të një skene në një hekurudhë për filmin “Midnight Rider”. Disa anëtarë të tjerë të ekuipazhit gjithashtu u plagosën. Autoritetet thanë se producentët nuk kishin leje për të filmuar në hekurudhë. Regjisori Randall Miller u dënua për vrasje nga pakujdesia.