MENU
klinika

Në gjurmët e De Radës

Arbëreshi me kontribut të jashtëzakonshëm

10.10.2021 - 12:45

          Mikel Markianoi, historian i letërsisë, folklorist dhe përkthyes i njohur arbëresh, lindi më 8 tetor 1860. Autor i veprave “Koloni arbëreshe të Italisë”, “Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës”, si dhe i mjaft studimeve folklorike. Ishte i afërm i poetit të madh arbëresh Jeronim De Radën, nga i cili u ndikua gjatë gjithë jetës së vet.

De Rada i drejtohet Mikelit, në këtë mënyrë: “Shumë i dashuri kushëri” ose “Nipi im i dashur”.

Dr. Mikel Markianoi, personalitet poliedrik, i cili u ngrit në shkallët më të larta të artit dhe të shkencës së letërsisë, sidomos në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare është një nga njerëzit më të shquar të italo-shqiptarëve të Kalabrisë, veprat e tij njihen edhe në Evropë. Kishte kulturë të gjerë, si shkrimtar dhe shkencëtar, dallohej për horizontin dhe diapazonin e gjerë, veçanërisht në shkencat humanitare.

Harmonizonte në sintezë profilin e poetit e të përkthyesit me atë të gjuhëtarit e të folkloristit, të historianit dhe të etnografit. Ndihmesat e tij çmohen në historinë e albanologjisë, por njihet edhe si orientalist, helenist dhe latinist. Qe hartues tekstesh shkollore, përkthyes i letërsisë klasike greke, latine e gjermane në italisht, si edhe një stilist i përkryer.

Krijimtaria letrare e shkencore e Markianoit është shumë e pasur dhe e larmishme. I frymëzuar nga ndjenja të pastra shqiptare, Markianoi punoi pa u lodhur, për njohjen e veprimtarisë letrare të arbëreshëve të Italisë. Ndër shkrimet e letërsisë së vjetër shqipe do të përmendim, në radhë të parë, zbulimin dhe botimin e vjershave të Nikoll Filjes (1682-1769) nga Munxifsi (Mexojuzo) e të Nikoll Brankatit (1671-1741) nga Hora, si dhe të arbëreshëve (Piana dei Greçi). Që të dy shkrimtarë shqiptarë prej Sicilie, të shekullit XVIII.

Shkrimet e tyre dhe këngët e vjetra shqipe, Markianoi i gjeti dhe i mblodhi në një udhëtim që bëri në vitin 1901, në ngulimet arbëreshe të Kapitanatës. Vjershat e tyre i botoi, më 1908, me titull: “Poezi fetare shqipe”. Pas tri vjetësh, botoi katekizmin e Filjas, titulluar: “I krishteu arbëresh”. Një kritikë të rreptë për këtë botim jo pa gabime të Markianoit, shkroi dijetari i përmendur arbëresh i Sicilisë, Gaetano Petrota.

Dr. Mikel Markianoin i kanë interesuar edhe çështjet e gjuhësisë shqiptare. kjo ndihmesë e tij modeste, ende nuk është vënë në dukje në studimet tona, botuar për historinë e gjuhësisë shqiptare. Le të përmendim këtu vetëm titujt e punimeve të tij me këtë karakter: “Relikë e gjurmë të trungut të lashtë glotik shqip e afri të gjuhëve trakishte, maqedone e iliriane”, “Gjuha shqipe dhe një kritikë moderne”, dy pjesë, “Polemikë shqipe”. “Gjurmime etnografike dhe gjuhësore trako-ilirishte”.+

Në fushën e studimeve historike janë për t’u përmendur veprat: “Politika shqiptare e shtetet ballkanike prej vitit 1897 deri më 1901”, “Shqipëria e çështjes shqiptare”, “Kufijtë e shtetit të ri shqiptar”, etj.

Si studiues e kritik letrar, ai dha një vështrim të përgjithshëm të letërsisë arbëreshe në punimin: “Ngulimet arbëreshe në Itali dhe letërsia e tyre”. Dr. Mikel Markianci, si filolog klasik, u mor edhe me letërsinë greke dhe atë latine. Veç këtyre, Markianoi botoi edhe vepra të tjera, si “Balladat e Gëtes”, “Për historinë e Manfredonies”, “Babrio”, “Tema hartimesh”, “Hartimet në shkollat e mesme”.

Ai punoi tërë jetën për të nxjerrë në dritë folklorin tonë të pasur, lashtësinë e gjuhës amtare, traditat e njohura të kulturës kombëtare, vlerat e letërsisë artistike shqiptare. Ai qe një burrë me kulturë të gjerë në vargun e gjatë të shkrimtarëve e shkencëtarëve arbëreshë të Italisë.

Dr. Mikel Markianoin e ka karakterizuar përherë patriotizmi i flaktë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dashuria e pakufishme për shqipen dhe për emrin arbëresh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vallet e kënduara shkodrane

“Hajde lule moj shebojë”

Apostulli i shqiptarizmës, Jeronim De Rada

“Ishin pellazgët që e themeluan Romën”