MENU
klinika

Apeli i Papës për liderët botërorë

Dëgjoni “klithmën e Tokës dhe britmën e të varfërve”

31.10.2021 - 21:33

Nga mesha tradicionale e së dielës në Vatikan, Papa Françesku u bëri thirrje liderëve botërorë që do të marrin pjesë në Samitin e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgow (COP26) që të dëgjojnë “klithmën e tokës dhe britmën e të varfërve”.

Françesku, i cili e ka bërë mbrojtjen e mjedisit një pikë kyçe të pontifikatit të tij, tha në bekimin e tij në Sheshin e Shën Pjetrit se ai shpresonte se takimi do të jepte “përgjigje efikase dhe do të ofronte shpresë konkrete për brezat e ardhshëm”.

Papa u adresoi lutjet e tij popullit të Vietnamit, ku shirat e dendur që vijojnë prej ditësh kanë shkaktuar përmbytje të përhapura në disa pjesë të vendit, duke vrarë të paktën disa persona dhe sjellë me mijëra të evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Papa Françesku u kërkoi besimtarëve që të luteshin edhe për Haitin, ku pompat e benzinës mbetën të thata pasi bandat bllokuan hyrjen në depozitat e porteve dhe pikat e furnizimit me karburant duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Mungesa e karburantit prej disa ditësh i ka lënë haitianët me pak mundësi transporti dhe kanë detyruar mbylljen e disa bizneseve. Edhe spitalet rrezikojnë që të mbyllen për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të rrymës elektrike sepse mbështeten tek gjeneratorët me naftë për të siguruar energji.