MENU
klinika

''Shkrimtari i parandjenjave''

Dramaturgu i dytë në botë!

11.10.2021 - 18:05

          Emri i Anton Çehovit është sinonim i mosbesimit, gjendjes shpirtërore dhe ngjyrimit.

Një nga dramaturgët më të mëdhenj në histori, u përqëndrua kryesisht në “atë që qëndron nën”, në vend të asaj që është në sipërfaqe. Në shkrimet e Çehovit, djalli përshkruhet gjithmonë në detaje. Shkrimtari është ndoshta figura më joorthodokse në letërsinë ruse, një eksplorues i ndjenjës njerëzore, ai e parandjeu tragjedinë njerëzore njëlloj si zogjtë dhe gjarpërinjtë parandjejnë afrimin e tërmetit./Konica.al/Megjithatë, tregimet e shkurtra dhe dramat nuk mbushen me aksion, por me mister dhe pasiguri, të prirura në fushën e realizmit goditës.

Ndryshe nga Tolstoi dhe Dostojevski, ai nuk u orvat të zgjidhte problemet e ekzistencës, apo të merrej me historinë botërore, madje nuk kishte asnjë bosht rreth të cilit të vërtitej./Konica.al

Siç thotë Dr. Zhivago në romanin e Pasternakut: “Çehovi ishte shumë modest për çështje të tilla me peshë”.

Ai kënaqej të mbetej në rangun e mjeshtrit dhe të fokusohej në çështje individuale, shumë prej të cilave tani janë shqetësuese. Pëlqimi universal i veprës së Çehovit është rritur, tashmë është dramaturgu i dytë më i interpretuar pas Shekspirit, kurse shkrimtarët e trillimit të shkurtër e konsiderojnë si pikë referimi. Po ashtu, popullariteti i Çehovit buron edhe nga mungesa e paramendimit. Si bir i një dyqanxhiu, ai nuk planifikoi kurrë të bëhej një shkrimtar i famshëm: synimet i kishte në karrierën mjekësore. Mirëpo, talenti komik i mundësoi të fitonte të ardhura për familjen. Teksa grishej në botime më prestigjioze, “metresa” e tij letrare filloi të kishte pushtet mbi “gruan” e tij mjekësore, veçse nuk harroi kurrës se kishte hyrë nga dera e pasme. Ndërkohë, objektiviteti praktik i siguruar nga mjekësia u bë gurthemeli i një stili letrar të veçantë, i shquar për fjalorin e thjeshtë dhe për mungesë dredhish. “Shkenca mjekësore ka pasur një ndikim të fortë në aktivitetet e mia letrare”, – pranoi ai në fund të jetës. “Ajo zgjeroi në mënyrë të konsiderueshme fushën e vëzhgimeve të mia”.

Veprat e nënvlerësuara të Çehovit vazhdojnë të pëlqehen në mbarë botën, për shkak të universalitetit të përmbajtjes. Çehovi ishte tërësisht rus, por problemet e ndërveprimit njerëzor ai i eksploron në kapërcimin e kufijve kombëtarë. Shkroi tregime dhe drama për personazhet me të cilët njerëzit mund të njehsohen, nuk janë personalitete të rëndësishëm, që përballen me situata ekstreme, por njerëz të zakonshëm me probleme të zakonshme. Siç na kujton Çehovi, në jetë përballemi më shumë me vetëmashtrimin sesa me përmbushjen e ëndrrave. “Qëllimi im është të vras me një gur ​​dy zogj”, – shkroi në 1889. “Për ta përshkruar jetën në aspektet e saj të vërteta, për të treguar sesa larg jetës ideale qëndron. Jeta ideale është e panjohur për të gjithë ne”.

Çehovi e shihte qartë atë çfarë i pengonte njerëzit të gjenin lumturinë, por kishte një talent unik për ta artikuluar me butësi dhe përdëllim.

Ai nuk mund ta fshihte të vërtetën, kur filloi të pështynte gjak në moshën 24-vjeçare; nuk kishte gjasa që të arrinte pleqërinë. Mirëpo, sensi i humorit molepsës dhe sensi i pagabueshëm i ironisë, e penguan shkrimin e tij të bëhej shumë sentimental, pavarësisht klithmës elegjike. Dramat që shpalosen në tregimet dhe pjesët e tij, me kulmet e heshtura, rrallëherë janë melodramë dhe kanë ndjenjën e zhgënjimit të jetës reale.

Në trajtimin jashtëzakonisht delikat të absurdit dhe tragjedisë së ekzistencës njerëzore, Çehovi ishte shumë përpara kohës së tij.

Bashkohësit u hutuan nga tregimet dhe dramat, me sa duket pa komplote e me funde jobindëse. Asgjë nuk dukej e qartë, por ishte kjo paqartësi ajo që nxirrte në pah mjeshtërinë e tij. “Çehovi nuk është i jashtëzakonshëm, ai është i vetëdijshëm se jeta moderne është e mbushur me melankoli të papërshkrueshme, telashe, marrëdhënie të çuditshme, që lindin emocione gjysmëqesharake, por edhe të dhimbshme, për më tepër një fund jobindës për këto impulse është shumë më i zakonshëm se çdo gjë ekstreme”, – shkruan Virxhina Ulf.

Patosi dhe ironia e Çehovit jehon në jetën e ditëve të sotme.

Shumë kritikë letrarë dhe regjisorë e konsiderojnë si dramaturgun e dytë më të mirë, në historinë e teatrit botëror, pas Uilliam Shekspirit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Panairi i librave të vegjël"

Botimet Nazarko më pranë lexuesit


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale