Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, foli pas triumfit 0-1 që Shqipëria arriti në transfertë ndaj Hungarisë. Pavarësisht suksesit fantastik, tekniku italian deklaroi se nuk ishte plotësisht i kënaqur për mënyrën se si skuadra luajti.
Ai foli edhe për Armando Brojën dhe hapësirat e pakta të talentit 20-vjeçar me ekipin kuqezi, teksa ndër të tjera për mikrofonin e “Supersport”, u shpreh:
“Kur të vijnë rastet për gol duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum. Duhet të fokusohemi te Polonia. Nuk kemi arritur asgjë. Ishte kënaqësi e madhe të fitonin 2 ndeshje ndaj Hungarisë. Jemi ende në lojë, jemi gati të luajmë me të gjithë, sepse kemi mentalitetin e duhur.
Kemi bërë aksione të mira, pati momente negative, ashtu siç pati edhe shumë pozitive. Kur vijnë rastet për gol, duhet t’i shënojmë, sepse mund të vuajmë, siç vuajtëm në fund.
Nuk jam plotësisht i kënaqur se si luajtëm. Në mbrojtjen kemi mbajtur lojën shumë mirë vazhdimisht, jemi kujdesur shumë. Mund të bëjmë shumë më mirë se sa bëmë sot. Në pjesën e dytë gjetëm më shumë zgjedhje, kishim më shumë mundësi të manovronim. Më kënaq shumë rezultati pozitiv. Djemtë u treguan të aftë, vuajtën, bënë një ndeshje të mirë. Ia dolëm mbanë në 10 minutat e fundit. Në aspektin mbrojtës nuk rrezikuam shumë. Mbajtëm mirë fazën mbrojtës.
Broja titullar ndaj Polonisë? Nuk e di pse e bëni këtë pyetje, flitet për Shqipërinë, jo për individët. Luajnë 23 lojtarë, të gjithë janë titullarë, mund të luajnë shumë të ndryshëm, nga fillimi apo më vonë. Mendoj se lojtarët në stol janë më vendimtarë se ata që e nisin në fillim se në start është e vështirë, janë ekipet e organizuara dhe të freskëta.
Broja me shpejtësinë që ka, kur ka hapësira, bëhet i rëndësishëm. Mundohem ta shfrytëzoj për karakteristikat që ka, duhet të rritet nga pikëpamja e rendimentit. Nuk shërben vetëm të bësh gol, por duhet të luash për ekipin”, u shpreh Reja.