Arti i dokumentuar i fotografisë si pasuri e Etnografisë, ka luajtur një rol të rendësishëm në ruajtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore të atij vendi ku është zhvilluar. Gjithashtu, ky art ka ndikuar me gjurmët arkivore në çdo fushë të shkencës, ka ndihmuar çdo individ të pasionuar dhe tëinteresuar mbi historinë dhe estetikën.
Dialogu ndërkulturor në Ditën e Trashëgimisë Kulturore në Fier 29/9/2021 erdhi me çeljen e Festivalit të përvitshëm – Edicionit të 12-të të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “ Fokus Award” ideuar nga viti 2006 prej pasionit për fotografinë artistike nga Drejtori Ekzekutiv Arben Allija dhe nën menaxhimin e të suksesshmit Saimir Ahmeti.
“Në një botë e cila është transformuar në një vorbull tërheqëse,duke na shndërruar më shumë në objekt sesa subjekt, sfida e vërtetë është tashmë “të hequrit”. Të reduktosh, të konsumosh, të hollosh, të heqësh koret, të thërmosh deri në esencë. Të qëndrosh larg stimujve të sipërfaqes, i vetëm në unicitetin tënd. Mono, si bazë etimiologjike e mijëra fjalësh të ndryshme nga njëra-tjetra, por si një qëndrim artistik për të synuar esencën.”
Janë përzgjedhur nga kuratorët: Burim Myftiu, Osman Demiri dhe Elton Koritari, 44 pjesëmarrës nga 15 vende të botës si finalistë për t`u përfaqësuar me fotografitë e tyre artistike dhe për të kurorëzuar së bashku ekspozitën e konkursit me tematikën “Mono”, si dialogim ndërkulturor për të shprehur bindshëm në kontekst dhe problematikë social estetike se arti nuk njeh kufij, ndërkohë edhe për t`i dhënë hov bashkohësisë teknologjike epokale.
Gjithashtu, Festivali “Fokus Award” vit pas viti ka treguar se ka forcën për të gjeneruar pjesëmarrje, për të drejtuar opinionin publik mbi tema të veçanta apo drejt mendimit dhe perceptimit të fotografisë si një faktor integral i kulturës dhe trashëgimisë tonë.
Në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” si pjesëmarrës finalistë të Edicionit të 12-të u përfaqësuan me fotografitë e tyre artistike në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur për dy javë: Enis Abdullahu – Kosovë / Zeni Alia – Shqipëri / Richard Arbas – SHBA / Boro Arsovski – Maqedonia e Veriut / Vasilis Artikos – Greqi / Ibrahim Aysil – Turqi / Ernest Baba – Shqipëri / Jusuf Bajrami – Zvicër / Ergys Baki – Shqipëri / Ana Batrićević – Serbi / Giuseppe Cardoni – Itali / Francesco Congedo – Itali / Marco Corso – Itali / Antonella Dargenio – Itali / Sualdo Dino – Shqipëri / Parisa Feyzollahi – Iran / Giorgo Galimberti – Itali / Flora Gatsenko – Ukrainë / Florion Goga – Shqipëri / Oxana Grinshteyn – Ukrainë / Armand Habazaj – Shqipëri / Ahmed Hadrovic – Turqi / Remzi Hasani – Kosovë / Majid Hojati – Iran / Eliza Hoxha – Kosovë / Arton Humolli – Kosovë / Fehmi Içyer – Turqi / Ognjen Karabegovic – Kroaci / Stepan Kucheriavy – Ukrainë / Marco Marcone – Itali / Diana Maria – Rumani / Rosa Mariniello – Itali / Melissa Mey – Turqi / Agon Nimani – Kosovë / Blaz Poljansek – Slloveni / Midhat Poturovic – Bosnjë Hercegovinë / Rina Statovci – Kosovë / Vlasov Sulaj – Shqipëri / Blerta Syla Surroi – Kosovë / Roni Shishko – Kosovë / Gent Shkullaku – Shqipëri / Rozafa Shpuza – Shqipëri / Ina Toska – Shqipëri / Ana Vukovic – Mali i Zi .
Juria e Festivalit “Fokus Award” në Edicionin e 12-të, e përbërë nga personalitetet e larta të fushës së artit pamor: Maria Lanote, Massimo Sciacca, Agron Domi shpalli fitues fotografin iranian, Majid Hojati me fotografinë të titulluar “Përkulja”.
Konkursi Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “ Fokus Award” këtë edicion u mbështet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Fier .
Arben Allija si ideator dhe ky konkurs vit pas viti bëri që Fieri të identifikohet me pasaportën e fotografisë artistike në mbarë botën.
Valentina DAFA
Fier