MENU
klinika

Dalin nga qarkullimi 9,600 pajisje

Fiskalizimet, 7% e bizneseve zgjedhin azhurnim

26.10.2021 - 09:39

Rreth 7% e atyre bizneseve që përdorin kasat fiskale kanë zgjedhur deri tani të punojnë me pajisjen fiskale të azhurnuar për procesin e fiskalizimit.

Nga totali i kasave aktive, vetëm 6% e tyre dalin nga qarkullimi, pasi janë versione që nuk përshtaten për faturimin e ri. Pjesa e mbetur e kasave aktive janë të përshtatshme për fiskalizimin. Ligji për fiskalizimin iu jep të drejtë tatimpaguesve të përdorin kasën fiskale që duhet të përshtatet për faturimin e ri ose zgjidhjet software. Deri tani janë afërsisht 10,000 kërkesa të tatimpaguesve që kanë zgjedhur të punojnë me kasën fiskale të azhurnuar.

Sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve (DPT) për “Monitor”, deri tani rezultojnë aktive 163,611 kasa fiskale. Numri i kasave që nuk suportojnë fiskalizimin është 9,605. Ndërsa numri i kasave fiskale që përshtaten për faturimin e ri është 154,006.

Administrata tatimore publikoi më herët versionet e pajisjeve të kasave fiskale që përshtaten për fiskalizimin të tregtuara nga kompanitë, si: A.E.D Distribution, Daisy & ETM, IVA Elektronik dhe BNT.

Drejtoresha ekonomike e kompanisë “Daisy & ETM”, Myrvete Pazaj, tha për “Monitor” se janë rreth 2,000 pajisje fiskale të tregtuara nga kompania, të cilat nuk mund të azhurnohen. “Bizneset e vogla që janë mësuar me përdorimin e kasës fiskale kanë tendencë përdorimin e pajisjes të përshtatur me sistemin e ri. Për këtë kategori biznesi ka edhe kërkesa për përdorimin e zgjidhjes software, por kërkesa më e lartë është për kasën fiskale”.

Znj. Pazaj nënvizon se kompania ka kryer shumë kontrata për fiskalizimin, por aktualisht ka një rënie të fluksit nga biznesi i vogël. “Bizneset e vogla e kanë keqkuptuar aktin normativ për movendosjen e gjobave si shtyrje të afatit për fiskalizimin. Nga ana jonë u është shpjeguar të gjitha bizneseve të interesuara që fiskalizimi ka nisur prej 1 Shtatorit dhe nëse këto muaj bëhen gabime gjatë zbatimit të procesit nuk vendosen masa administrative”.

Para nisjes të fiskalizimit, të gjitha bizneset duhet të pajisen me certifikatën elektronike të cilën e lëshon AKSHI me një kosto vjetore prej 4,000 lekësh dhe të jenë të regjistruara në portalin SelfCare. Kjo certifikatë u nevojitet tatimpaguesve për të kryer të gjitha llojet e shërbimeve që ofron e-Albania.

Përfaqësuesja e kompanisë “Daisy & ETM” thotë se disa biznese po pajisen me certifikatën elektronike 2 muaj pas aplikimit. “Probleme janë krijuar edhe me vonesat në pajisjen e certifikatës elektronike. Janë krijuar vonesa deri në 2 muaj pas aplikimit. Shqetësimi ynë është që nga 1 janari 2022 pritet të ketë dyndje të madhe, pasi përfundon afati edhe për ato biznese që janë pajisur me certifikatë elektronike më 1 janar 2021 dhe ju duhet të aplikojnë për vitin tjetër”, nënvizon znj. Pazaj.

Nga nisja e procesit deri më 5 Tetor sipas të dhënave të AKSHI-t në total janë lëshuar 74,382 certifikata elektronike. Janë edhe 7,333 subjekte që kanë aplikuar dhe janë në pritje të pajisjen me certifikatë elektronike. Subjekte të vogla që parashikohen të fiskalizohen nga 1 Shtatori janë 90,000. Sipas të dhënave të tatimeve deri më 3 tetor janë fiskalizuar 20,685 biznese të vogla./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'I bëjmë thirrje Shqipërisë për forcimin e masave kundër pastrimit të parave"

Ambasadorja e SHBA takon ministren e Financave: Mbështesim fiskalizimin!

MFE rithekson rëndësinë e nismës për bizneset

“Fiskalizimi do ndihmojë formalizimin e ekonomisë”