MENU
klinika

''As gjuha, as kombi shqiptar nuk vriten…''

Gjeçovi shërbëtor i Atdheut

14.10.2021 - 18:58

Je i lir me mbajtë burrninë tande, je i lir me u zhburrnu” – Kanuni i Lekë Dukagjinit

Autor i një monumenti të gjuhës shqipe dhe zakoneve të lashta të Lekëve, sa dhe shqiptarëve të veriut. Veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog e shkrimtar.

Atë Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik të vitit 1874, në Janjevë të Kosovës. Fëmijërinë e hershme e kaloi 11 km larg Prishtinës e më pas, vazhdoi kolegjin françeskan në Troshan të Lezhës.

Ai mblodhi gojëdhana, zakone, bestytni e visare gjuhësore, gjithashtu kishte përgatitur monografi shkencore historike, etnologjike, arkeologjike, petagogjike, kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, shkroi artikuj publicistikë, hartoi tekste mësimore, krijoj një koleksion të pasur arkeologjik, shkroi drama e tragjedi, poezi e romane, përktheu letersi botërore në gjuhën shqipe dhe vepra fetare, përgatiti vëllime me dokumente për historinë e popullit tonë, shkroi artikuj e studime historike.

U vra nga shovinistët serbë, më 14 tetor 1929 në Zym (Prizren), ku shërbente si famullitar.

Një natë para se shovinistët serbë t’i zinin pusi dhe ta vrisnin pabesisht mësuesin Atë Shtjefën Gjeçovi, ai i mblodhi nxënësit në shkollën e tij, në fshatin Zym të Prizrenit dhe u përsëriti, si gjithmonë pas çdo mësimi, këto fjalë:

“Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë. Gjuha jonë asht shqypja. Këto mos i harroni kurrë, fëmijë të dashur”.

Dhe atë mbrëmje, kur do të kthehej për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha:
– Ruaju, At Shtjefën. Armiqtë të kanë vu në shenjë e nuk e durojnë këtë shkollë shqipe!
– Ani ç’ka!, – u përgjegj duke qeshur At Gjeçovi – Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…

Kryevepra e tij, ”Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e ”Hyllit”, më 1913 gjer më 1924.

Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e Veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit, ai mblodhi normativën e rendit tokësor ndër shtresëzimet më të mbrame të këtij të fundit.

Botimi i Kanunit u bë i mundur më 1933, mbas vdekjes së mbledhësit, me një parathënie të Atë Fishtës.

Titulli, duket se shoshitet prej Fishtës, kur shkruan se ”iu vendos prejse zbatohej dhe kishte formë gati ligjore dikur ndër Lekë (malësor, sipas kumtit parak, banorët e Malësisë së Madhe) dhe Dukagjin”.

***

Atë Gjeçovi dhe odiseja e Kambanës së Skënderbeut

Në vitin 1901 A. Degrand, konsulli frances i Shkodrës botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe per dy kambana, që ishin të lëna në mëshiren e fatit në rrenojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Skënderbeut, e derdhur në bronz në vitin 1462, me perzjerje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në levizje tregëtarët e relikeve e antikuareve dhe ju propozua agajt të qytetit të Krujës, Muharrem Kaloshi, shuma prej 25 napolonash flori me kusht, që t’ua dërgonte kambanën e Skënderbeut në Barbullush. Sipas trafikantëve nga Barbullushi ishte rruga më e lehtë për ta, me anë të detit, sepse edhe në kohën e pushtimit turk objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet e doganat e Perandorisë.

I mirinformuar, Gjeçovi, prift i fshatit të humbur e të varfër, Laçit të Kurbinit, i vihet punës për ta futur në dorë këtë relike të çmuar e t’i trashëgohet shqiptarve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre. Vrapon te Muharrem Aga, hyn në pazar dhe bie dakord për një çmim prej 15 napolonash, me kusht, që kambanën ta marrë vetë Gjeçovi nga Kruja.

Sesi i gjeti dhe i sajoi Gjeçovi 15 napolonat nuk dimë, por vetë ai më 1901, shkruan: “Në të vertetë unë nuk mund ta paguaj edhe sikur të shisja vetën time”.

Megjithatë e bleu kambanën, e fshehu mirë, siç pohon vetë dhe i shkruan konsullit A-Hungarez në Durrës, ku i kërkonte instruksione.

Ranë dakord dhe u bë kontrata që kambanën do ta ruante konti austriak Kiuatkovvski dhe do t’i kthehej Krujës, kur të rindertohej kisha e Kështjellës.

 

Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë, drejt Vjenës. Në vitin 1923, më 28 nëntor në Tiranë u hap për herë të parë Muzeu Kombëtar Shqiptar.

Gjeçovi ngriti peshë me letra herë ambasadën austriake, herë vetë qeverinë e Vjenës, deri sa ia arriti qëllimit. Kambana erdhi, por me vonesë. Nga Vjena iu dërgua ambasadës tonë në Romë dhe në dhjetor 1923, mbërriti në Tiranë. Gjeçovi, nga Shkodra vrapon për ta parë me sytë e tij dhe për ta saktësuar, që është ajo. Me këtë rast, bëri dhe një vizatim në dy pamjet, që ruhet pranë AQSH, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor.

Odiseja nuk mbaron këtu. Muzeu i Tiranës shkatërrohet, Gjeçovi vjen në Tiranë, merr kambanën dhe e çon në Shkodër. Pas Luftës II, ajo kthehet prapë në Tiranë – sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN