MENU
klinika

Federata serbe e tepron në FIFA

I vendosën UÇK mbi supe, serbët kërkojnë dënimin e Shaqirit

10.10.2021 - 20:54

Një tifoz i panjohur i vendosi Xherdan Shaqirit mbi supe një xhaketë me emblemë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur ai po fliste për media pas fitores së Zvicrës 2-0 kundër Irlandës së Veriut të shtunën në mbrëmje.

Shaqiri ishte duke folur për televizionin publik zviceran kur papritmas u shfaq një tifoz dhe ia vuri mbi shpatull xhaketën e cila kishte simbole të dukshme të UÇK-së. 30-vjeçari qëndroi i qetë dhe duke buzëqeshur e largoi nga supet menjëherë xhaketën.

Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se do ta dërgojë një letër proteste në FIFA, për t’i kërkuar shtëpisë botërore të futbollit ta ndëshkojë futbollistin kosovar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, për gjoja promovimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), edhe pse futbollisti dukshëm nuk po promovon asgjë.

“Ne jemi duke e përgatitur një letër proteste, të cilën do ta dërgojmë në FIFA gjatë ditës. Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe ndëshkimin më të rreptë ndaj Shaqirit për promovimin e organizatës terroriste, UÇK, në media” – thuhet në njoftimin e federatës serbe.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Zvicrës e ka mbrojtur Shaqirin dhe e ka lartësuar për mënyrën se si reagoi ndaj këtij episodi: “Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk iu kundërvë”.

Federata zvicerane po ashtu njoftoi se tifozi në fjalë është marrë në pyetje nga policia dhe atij i është ndaluar hyrja në stadium për këtë veprim.