MENU
klinika

Tetori muaji i fundit i marrëveshjes

Sindikata e Naftëtarëve: Qeveria t’i japë zgjidhje

01.10.2021 - 11:59

Naftëtarët e Ballshit tetorin e kanë dhe muajin e fundit ku do të marrin pagesën e tyre, si rezultat i marrëveshjes së bërë me kryeministrin Edi Rama një vit më parë.

Kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj i ka bërë thirrje Ramës dhe qeverisë që të ulen në tryezë për një zgjidhje, pasi me përfundimin e marrëveshjes ato do të ngelen sërish pa u paguar.

Ndër të tjera ai ka bërë me dije se naftëtarët çdo ditë mblidhen para mjediseve të uzinës në Ballsh, me shpresën për të marrë një përgjigje përfundimtare por akoma s’ka asgjë konkrete.

“Naftetarët mblidhen pranë mjediseve te uzinës në Ballsh, pasi ende nuk kanë një përgjigje çfarë do të bëhet me ta. Tetori muaji i fundit qe rreth 850 naftëtarë të uzinës se Ballshit marrin pagat ne baze te marrëveshjes me qeverinë. Deri me sot askush nuk është shprehur mbi te ardhmen e uzinës”, është shprehur kreu i sindikatës.

Naftëtarët ndër të tjera pretendojnë se prej ditësh shkojnë para uzinës së naftës në Ballsh pasi kamionë të disa kompanive nën kontraktore vijnë për të marrë çfarë ndodhet aty.

“Persona që UPN u ka borxh kanë ardhur me trailera dhe skrepa për të marrë mall në këmbim të borxheve që UPN u ka. Ne nuk i lejojmë sepse uzina është në sekuestro konservative, që do të thotë se nëse të gjithë ne që na ka borxh uzina marrim çfarë duam, çfarë i shkaktojmë uzinës”, ka thënë Dautaj.