Ndër qytetet më të bukura të Perandorisë Romake është Leptis Magna, por i lënë pas dore, pas një dekade luftë civile në Libi.
I vendosur mbi një kodër në Mesdhe, qyteti i Trashëgimisë Botërore – UNESCO, përfshin një bazilikë të madhe, një pistë garash dhe një amfiteatër ku dikur kishte uleshin deri në 15,000 spektatorë.
Leptis Magna është themeluar nga fenikasit, që u pushtua më pas, nga Roma.
Qyteti ishte vendlindja e Septimius Severus, i cili u bë perandor nga viti 193 pas erës sonë, deri në 211 pas erës sonë. Septimius e favorizoi qytetin e tij të lindjes, duke e vendosur mbi të gjitha qytetet e tjera në atë krahinë. Pasuria që hodhi mbi të, e bëri Leptis Magnan qytetin e tretë më të rëndësishëm në Afrikë, duke rivalizuar Kartagjenën dhe Aleksandrinë.
“Të vizitosh këtë qytet, është si të bësh udhëtim në kohë, si një zhytje në histori”, – thotë Abdessalam Oueba, një turist libian në të gjashtëdhjetat.
Ky vend është gati i panjohur jashtë Libisë, pasi gjatë viteve të konfliktit civil turistët ishin të ndaluar të vizitojnë rajonin. Dhuna, pasojë e revoltës së Libisë në vitin 2011, i vuri rrënojat e lashta në rrezik, duke bërë që UNESCO ta vendosë qytetin në listën e vendeve që cilësohen si trashëgimi të rrezikuara.
Por deri tani, në atë zonë nuk ka pasur luftime.
“Nuk ka pasur ndonjë sulm, apo kërcënim të drejtpërdrejtë kundër Leptis Magna, pavarësisht konfliktit,” – tha Azeddine al-Fakih, kreu i departamentit të antikave në këtë qytet arkeologjik.
Megjithatë, Leptis Magna po përballet me kërcënime të tjera: mungesa e mbështetjes nga ana e qeverisë. Fakih pranon se pas 10 vitesh konflikt dhe kolaps, shteti, qeveria e Libisë “ka shumë gjëra me të cilat duhet të merret”.
Kur Libia ishte nën pushtetin e Muamer el Gadafi, gjatë sundimit të të cilit (1969 – 2011) vendi varej shumë nga pasuria e madhe e naftës, turizmi ishte thuajse inekzistent. Gadafi filloi të lëshonte viza turistike për herë të parë në vitin 2003, kur edhe krijoi ministrinë e turizmit, ndërsa regjimi filloi të stabilizonte marrëdhëniet me Perëndimin. Por gjithçka u ndal sërish në vitin 2011, kur një revoltë e mbështetur nga NATO përmbysi Gadafin, duke bërë që vendi të zhytet në kaos për disa vite.
Tanimë, pas një viti në paqe, është ngjallur shpresa se vendi mund të vazhdojë përpara.
“Leptis Magna mund të jetë një burim të ardhurash nëse menaxhohet siç duhet”, – thotë Fakih, i cili beson se rrënojat mund të kthehen në një destinacion turistik me famë botërore.
“Mund të krijojë mijëra vende pune, të mirëpresë miliona turistë dhe të sjellë miliarda dollarë. Do të vijë një ditë, kur nafta të mbarojë, por Leptis Magna do të mbetet”, u shpreh Fakih.