MENU
klinika

Nga demokracia te biznesi

Mesazhet e ambasadores amerikane për Edi Ramën e Lulzim Bashën

14.10.2021 - 09:38

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kërkoi nga drejtuesit politikë në Shqipëri të heqin dorë nga zakonet e këqija të së kaluarës dhe të bëjnë ndryshimet e vështira, por të nevojshme.

Përmes një mesazhi në “Twitter” pas takimit me zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ambasadorja e SHBA-së i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë veprime reale në mënyrë që Shqipëria të jetë më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur. Znj. Kim ka ngritur pyetjen se kur do të bëhen këto ndryshime nëse jo tani. Ambasadorja shkruan se gjatë takimit me Ahmetajn ka nënvizuar që SHBA-ja e ka shumë seriozisht çështjen e korrupsionit si pjesë të interesit kombëtar, ndërsa ka kërkuar trajtimin e pastrimit të parave, si dhe rëndësinë e zgjidhjes së të drejtave të pronësisë. Në mbrëmje, ambasadorja amerikane u shpreh se tri prioritetet e SHBA-së në Shqipëri janë demokracia, mbrojtja dhe biznesi.

Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e përgjithshme të asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë, Yuri Kim i bëri thirrje qeverisë shqiptare që t’i japë përparësi biznesit, ndërsa kërkoi prej saj të marrë seriozisht axhendën e investimeve të Dhomës Amerikane në Shqipëri. Teksa kujtoi nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit ekonomik mes SHBA-së dhe qeverisë shqiptare 1 vit më parë, Kim përmendi projektin për ndërtimit e HEC-it të Skavicës, që sipas saj, do të përfaqësojë zhvillimin më të madh për Shqipërinë.

Ambasadorja amerikane deklaroi se Reforma në Drejtësi duhet çuar deri në fund, në mënyrë që gjykatat të jenë të pastra, ku parësore të jetë konkurrenca e ndershme. Përpara përfaqësuesve të biznesit amerikan në vendin tonë, ambasadorja Kim theksoi se një klimë më e mirë biznesi do të krijonte një Shqipëri më të mirë dhe më të fortë, ndërsa u shpreh e kënaqur që Kryeministri Rama e ka parë bashkëpunimin me Dhomën Amerikane të Tregtisë si një mundësi për përmirësimin e saj.

MESAZHI I YURI KIM PAS TAKIMIT ME ZV.KRYEMINISTRIN ARBEN AHMETAJ

“U takova me zv. kryeministrin e ri Arben Ahmetaj për të theksuar dëshirën e SHBAsë për partneritet të fortë me Shqipërinë mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Gjithashtu nënvizova se SHBA-ja e ka shumë seriozisht çështjen e korrupsionit si pjesë e interesit tonë kombëtar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime reale në mënyrë që Shqipëria të jetë më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur.

Ne diskutuam rëndësinë e zgjidhjes së të drejtave të pronësisë, duke përfshirë dixhitalizimin e regjistrave për t’iu kundërvënë ndërhyrjes së paligjshme; zbatimin e Reformës në Drejtësi në mënyrë që qytetarët dhe investitorët të mbështeten në gjykata të pastra; trajtimin e pastrimit të parave dhe shqetësimeve të tjera të përshkruara nga FATF. Tridhjetë vjet pas përfundimit të diktaturës komuniste, udhëheqësit shqiptarë nga të gjithë krahët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të hequr dorë nga zakonet e këqija të së kaluarës, të bëjnë ndryshime të vështira, por të nevojshme, në mënyrë që brezi i ardhshëm të ketë një të ardhme më të mirë. Nëse jo tani, kur? SHBA do të vazhdojë të jetë me ju në mbështetje të plotë”.

MESAZHI I YURI KIM NË MBLEDHJEN E PËRGJITHSHME TË ASAMBLESË SË DHOMËS AMERIKANE TË TREGTISË

“Ambasada e SHBA-së këtu ka tri prioritete: demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Të gjithë jemi të përqendruar te demokracia dhe mbrojtja. Kemi një vrull të mirë në këto fusha. Jam e kënaqur që po udhëheq ambasadën tonë në një shtysë për të ngritur marrëdhëniet tona të biznesit në të njëjtin nivel. SHBA është ekonomia më e madhe në botë. Shumë mund të përfitohet nga Shqipëria, nga një lidhje më e ngushtë mes vendeve tona. Pothuajse një vit më parë ne nënshkruam një memorandum dypalësh të bashkëpunimit ekonomik duke demonstruar angazhim për një marrëdhënie edhe më të fortë ekonomike. Nuk është një copë letër, por menjëherë brenda orës ne pamë rezultate të ndjeshme.

Dy javë më parë isha në Skavicë për të parë vendin ku Shqipëria shpreson të ndërtojë HEC-in dhe nëse ky projekt do të nisë, do të përfaqësojë një zhvillim të madh për Shqipërinë dhe rajonin. Mbetet ende shumë punë për të bërë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që t’i japë përparësi biznesit për të zhbllokuar potencialin që ekziston këtu. Reforma në Drejtësi duhet çuar deri në fund, në mënyrë që gjykatat të jenë të pastra, të drejtat e pronës të trajtohen njëherë e mirë dhe konkurrenca e ndershme duhet të jetë parësore, në mënyrë që investitorë të mëdhenj apo të vegjël, shqiptarë apo të huaj, duhet të luajnë me të njëjtat rregulla, të drejta dhe transparencë. Qeveria duhet ta marrë seriozisht axhendën e investimeve të Dhomës Amerikane të publikuar së fundmi dhe ta shohë si udhërrëfyes për të përmirësuar klimën e biznesit. Jam e kënaqur që Kryeministri e ka parë këtë si mënyrë të mirë për të përmirësuar klimën e biznesit. Një klimë më e mirë biznesi do të krijonte një Shqipëri më të mirë dhe më të fortë. Kam besim se e ardhmja do të jetë më e ndritur dhe presim me kënaqësi të punojmë me Dhomën Amerikane për të zhvilluar të gjitha këto.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“I bëjmë thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime reale”

Mesazhi i fortë i Yuri Kim: Udhëheqësit e të gjitha krahëve duhet të…