MENU
klinika

Vizita diplomatike e '72-it

Ministri ”denoncoi” në Pekin armatimin e Shqipërisë…

27.10.2021 - 11:30

        Publikohen disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët!

Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silurë për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisie dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.

Nga: Dashnor Kaloçi

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës

Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESINE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.

TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972

MBI ARMATIMIN E USHTRISË

Në pajisjen me armatim të ushtrisë sonë, kemi akoma mungesa pa llogaritur këtu perspektivën dhe cilësinë e tyre. Në përdorim, kemi akoma armatim të vjetër sovjetik e të ushtrive të tjera, i cili është i konsumuar në maksimum, me defekte të shumta, pa pjesë këmbimi, me municione të pakta, dhe në skadim të vazhdueshëm. Për të përmirësuar cilësinë e armatimit, dhe për të plotësuar deri në një farë shkalle mungesat ekzistuese organike, e ndjejmë të nevojshme të paraqesim disa kërkesa të cilat në tërësi konsistojnë:

Në armatimin e këmbësorisë
Një sasi e forcave vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, që janë aktualisht të organizuara në çeta dhe batalione, nuk janë armatosur akoma, kurse në ushtri kemi akoma një sasi të konsiderueshme armë këmbësorie (pushkë) të modelit 1953. Kërkesa që bëhet për 50.000 armë këmbësorie të reja, është që këto armë të futen në ushtri. Ndërsa armët model 1953, të kalojnë për armatosjen e çetave vullnetare të vetëmbrojtjes popullore.

Në armatim artilerie tokësore
Në kompletimin me artileri të organikave ekzistuese, kemi shumë mungesa. Rreth 30 përqind e brigadave janë me dy grupe nga tre që duhet të kenë. Ndërsa, po 30 përqind e grupeve, janë me nga 8 gryka zjarri nga 12-18 që duhet të kenë. Afërsisht të tilla mungesa kemi dhe në artilerinë e korpusit, dhe në atë të RKP. Si rezultat i mungesave që kemi në armatimin e artilerisë, jemi të detyruar të mbajmë akoma një sasi të armatimit sovjetik (45 mm. 76 mm. regjimental, 130 mm. reaktivë të prodhimit të viteve të para të Luftës së Dytë Botërore).

Ato, janë me defekte të shumta e në pamundësi për riparime, dhe jo në gatishmëri të përhershme e të plotë luftarake. Ndërsa një sasi tjetër armatimi, siç janë topat 82 mm.107 mm pazb, dhe mortajat 107 mm. janë pa pjesë këmbimi dhe me një sasi shumë të pakët municioni. Përpos mungesave organike dhe të zëvendësimit të armatimit sovjetik, në artileri ndihet shumë nevoja e përmirësimit të cilësisë së saj, veçanërisht në drejtim të rritjes së sasisë së armatimit me larg-hedhje (të topave 122 mm. 100 mm. 152 mm. të topave obuz 152 mm. e të artilerisë reaktive) dhe të futjes së artilerisë vetëlëvizëse (AVL), si më e manovrueshme me kalueshmëri më të lartë, më ekonomike në resurset njerëzore, dhe që zgjidh edhe problemin e e mjeteve tërheqëse.

Për kushtet tona ku supremacinë në ajër, do ta ketë armiku lëvizja ditën do të jetë e vështirë. Prandaj artileria me tërheqje mekanike, kryesisht artileria e korpusit dhe ajo e RKP, është e nevojshme të jetë me larg-hedhje të mëdha që mund të mbështesi veprimet luftarake të këmbësorisë dhe të tankeve gjatë ditës, pa ndërruar pozicionet e zjarrit duke e kryer këtë veprim vetëm natën. Me gjendjen ekzistuese artileria e korpusit ka pothuajse të njëjtat sisteme e kalibra, si dhe artileria e brigadës, afërsisht po kjo gjendje është dhe në njësitë e artilerisë RKP.

Artileria reaktive, si një armë shumë e fuqishme që krijon në një kohë shumë të shkurtër një volum të madh zjarri dhe me leverdi të madhe, kemi vetëm 48 makina 130 mm. të organizuara në një brigadë RKP. dhe 24 makina të tipit të parë sovjetik (të vitit 1941). Ata, në fakt nuk janë në gatishmëri pasi, janë shumë të vjetruara dhe me municion të pakët në skadim. Rritja e sasisë së kësaj artilerie në ushtrinë tonë, dhe përmirësimi i cilësisë së saj me artileri reaktive me larghedhje më të madhe, do të rrisë fuqinë e zjarrit të ushtrisë.

Një dobësi të ndjeshme kemi dhe në mbrojtjen antitank. Vendi ynë, megjithëse konsiderohet vend malor në të gjithë pjesët bregdetare dhe në disa drejtime të pjesës tokësore, lejon përdorimin në masë të mjeteve të blinduara. Eksperienca e deritanishme tregon se shtetet imperialiste dhe revizioniste, në agresionin kundër vendeve të lira dhe sovrane, kanë vënë strategjinë e pushtimit të rrufeshëm, duke përdorur në shkallë të gjerë për këtë qëllim trupat e blinduara të desantuara nga ajri, deti, dhe toka.

Për të përballuar një agresion të tillë, duhet të kemi një MKT të qëndrueshme e aktive, me rezerva antitank të fuqishme të skalionuara në të gjithë thellësinë, dhe të përbëra me mjete e armë anti-tanke të kohës të afta për të luftuar me çdo mjet të blinduar të armikut. Në kërkesën tonë, me qëllim që të forcojmë MKT sidomos në hallkën brigadë, korpus, komandë e përgjithshme, jemi nisur që në këto instanca të mund të krijojmë rezerva minimale anti-tanke të përbëra nga kalibra e sisteme të ndryshme të artilerisë duke përfshirë këtu edhe raketat e drejtuara dhe artilerisë vetëlëvizëse, si armët më të efektshme për të luftuar me tanket e sotme.

Mbi forcimin e artilerisë bregdetare
Siç dihet vendi ynë, ka një kufi bregdetar prej rreth 410 km. që përbën rreth 1/3 e të gjithë kufirit të RPSH-së dhe kudo i zbarkueshëm nga desanti detar. Mbrojta e drejtimit bregdetar, zë në planet tona një vend shumë të rëndësishëm si drejtimi kryesor operativo-strategjik. Meqenëse ky drejtim, është më i shpejti që të çon në qendrat më të rëndësishme politike, ekonomike, dhe ushtarake, të vendit tonë është i kalueshëm nga e gjithë teknika.

Për mbrojtjen e bregdetit në mungesë të artilerisë përkatëse, kemi vendosur artileri tokësore (76 mm. 85 mm. 100 mm. 122 mm. me top). Këto, për efekt të konstruksionit të tyre, nuk janë plotësisht të afta për të luftuar me sukses me mjetet e sotme detare. Artileri bregdetare, kemi vetëm 8 bateri të modelit sovjetik, dhe nga këto me radio-lokacion kemi vetëm 2 bateri. Edhe këto bateri, duke qëndruar për një kohë të gjatë gatishmërie të përhershme (afro 20 vjet), kanë filluar të kenë defekte dhe mungesa për riparimin e të cilave kemi vështirësi për efekt të pjesë e të këmbimit.

Dobësi serioze në artilerinë bregdetare, është mungesa e aparaturës të drejtimit automatik të qitjes dhe e stacioneve radio-lokator. Kjo gjë, i bën ato vetë vetiu të paafta për të bërë zjarr të efektshëm natën dhe në kushtet e pamjes së kufizuar. Prandaj në të gjithë kompleksin e mbrojtjes së bregdetit, ne shokë, shtojmë nevojën e forcimit dhe të modernizimit të artilerisë bregdetare. Për këtë qëllim në kërkesën tonë janë parashikuar 24 bateri të konstruksionit bregdetar, të pajisura me të gjitha instrumentat dhe aparaturat e nevojshme (radio-lokatore) të kalibrave të ndryshme.

Gjithashtu, disponojmë raketa (tre grupe) tokë-det si armë shumë të fuqishme për të goditur desantin detar, në distancë të largët. Një dobësi e theksuar në të gjithë artilerinë, kemi mungesën e mjeteve të zbulimit. Sot në artileri si mjete zbulimi, kemi vetëm syrin, dylbinë, si dhe disa stereogype. Këto, stereogype nuk mund të sigurojnë zbulim dhe korrigjim zjarri në distanca të largëta. Mungesa e mjeteve të tjera të zbulimit të artilerisë, e bën të pa efektshëm qitjen e artilerisë natën, dhe në kushtet e pamjes së kufizuar, të cilat për kushtet tona janë forma kryesore e luftimit.

Kërkesa në municione
Duke marrë parasysh, largësinë në mes të dy vendeve tona dhe për të disponuar në kohë rezervat e nevojshme të municioneve për një luftë të gjatë popullore, ne shtrojmë nevojën e plotësimit me municione të ushtrisë sonë. Duke u bazuar në këto kushte, kërkesa jonë është 10 k/1 për artilerinë tokësore, bregdetare, tanket, armët e këmbësorisë, dhe 15 k/1 për artilerinë kundërajrore.

ARTILERIA KUNDËRAJRORE

Zhvillimi dhe rritja e artilerisë kundërajrore në vitet e fundit, në saj të ndihmës në armatim e teknikë të dhënë nga RP e Kinës, në raport me të kaluarën ka bërë përmirësime. Por megjithatë problemi i mbulimit nga ajri është pika më e dobët e mbrojtjes sonë. Shtetet imperialisto-revizioniste që na rrethojnë, kanë një potencial të madh në forcat ushtarako-ajrore dhe kështu do të kenë epërsi të plotë në ajër.

Territori i vogël i vendit tonë, dhe ekzistenca e bazave ajrore të afërta të armikut bën të mundur që aviacioni i tyre, të ndodhet në kohë shumë të shkurtër mbi objektet e territorit tonë, me të gjitha tipet e aviacionit luftarak. Kuptohet se në rast sulmi eventual nga toka, deti, dhe ajri, ose dhe vetëm nga ajri, kundër vendit tonë ne duhet të përballojmë një intensitet të madh fluturimesh të aviacionit armik. Gjithashtu, është e njohur se në kohën e sotme armiqtë e mundshëm, i vënë rëndësi të madhe zhvillimit dhe përdorimit të gjerë të trupave aero-desantë.

Në kushtet e organizimit tonë ushtarak, që ushtria kuadër me efektiv të kufizuar hapet në një ushtri masive, dhe kur terreni ynë e sidomos zona bregdetare e qendrore, është e përshtatshme për desantimin ajror masiv, nxjerrim me forcë para nesh efikasitetin e gjithanshëm të mbrojtjes kundërajrore tokësore.

Ne nisemi nga parimi se, në kushtet tona kur raporti i forcave të aviacionit luftarak dhe transportues është plotësisht në anën e armikut neve, mbulimin nga ajri e bazojmë kryesisht në forcat tokësore të mbrojtjes kundërajrore, artilerinë kundërajrore, mitralozët kundërajrorë, raketat tokë-ajër, duke shfrytëzuar për këtë qëllim mundësitë e zjarrit të ushtrisë dhe popullit të armatosur.

Gjendja e sotme e mbulimit kundërajror, me gjithë përmirësimin e bërë është ende shumë e ulët në forca e mjete, si për mbulimin e reparteve të njësive të ushtrisë, rajoneve të mundshme të desantimit ajror, ashtu dhe për mbulimin e objekteve të rëndësishme politike, ekonomike, dhe ushtarake. Brigadat e tankeve dhe të artilerisë tokësore, nuk kanë asnjë mjet organik për mbulimin e tyre të pavarur. Në organikën e brigadës së këmbësorisë, ka gjithsej 12 topa, prej të cilëve 4 janë të kalibrit 25 mm. sovjetik që krijojnë në mbrojtje një dendësi me më pak se dy gryka zjarri për km/front.

Korpusi i këmbësorisë në regjimentin kundërajror organik, disponon vetëm 20 topa 37 mm. dygrykësh me lartësi e distancë të kufizuar veprimi, pa pajisje e mjeteve radiolokatore e drejtimi zjarri për veprime të efektshme ditën dhe natën. Disa rajone të mundshme të desantimit ajror, kanë një mbulim të dobët ose më keq akoma, nuk e disponojnë fare atë.

Mbulimi i objektit më të fuqishëm politiko-administrativ Tiranës, bëhet me mjete të pakta dhe është relativisht mjaft i dobët në krahasim me shkallën e kërkuar të mbulimit. Disa nga objektet mjaft të rëndësishme ushtarake dhe ekonomike, janë fare pa mbulim. Një pjesë e teknikës së artilerisë kundërajrore që aktualisht disponojmë, si topa 85 mm. dhe 25 mm, është shumë e vjetruar sepse ka cilësira shumë të ulta për luftën me aviacionin e sotëm si dhe mungesa në municione.

Për këto arsye ashtu siç e përmendëm dhe më sipër, gjendja reale e mbulimit nga ajri e vendit dhe e ushtrisë sonë, përbën një preokupim serioz për ne. Sasia e armatimit dhe e teknikës së artilerisë kundërajrore e paraqitur në plan-kërkesën tonë barazohet në faktorët e mësipërm. Ajo, në krahasim me normat taktiko-operative ekzistuese që njihen përsëri është e ulët.

Në përcaktimin e kalibrave, instalimeve, dhe komplekseve, të artilerisë kundërajrore që kërkohen jemi nisur nga kushtet konkrete dhe kërkesat e mbulimit nga ajri të vendit dhe ushtrisë sonë. Për të siguruar një efektivitet më të lartë asgjësimi, parashtrojmë kërkesën për kalibrat 57 mm. 100 mm. me aparaturë drejtimi zjarri dhe radiolokatorë, si dhe grupeve të raketave tokë-ajër të kalibrit të vogël e të mesëm, të afta që të zhvillojnë veprimtari efikase si ditën ashtu dhe natën.

Për të siguruar manovrueshmëri dhe lëvizshmëri të lartë dhe vëllim të madh zjarri gjithashtu, kërkojmë topa 37 mm. dhe 57 mm. dygrykësh vetëlëvizës, të cilët, për mbulimin e njësive tankiste në kushtet e luftës kundër desantit ajror, do të jenë më të përshtatshëm. Ndërsa për të kompensuar boshllëqet në veprimet midis kalibrave të ndryshëm në diapazonin e lartësive, si dhe në distancë, sipërfaqe mbulimi dhe vëllimi më të madh zjarri, kemi kërkuar mitralozë 14.5 mm. katërgrykësh.

Për të siguruar vazhdimësi në veprimet e mbulimit ajror me raketat tokë-ajër për kushtet tona të tanishme, mendojmë se është e nevojshme që të kemi për këto, municionin përkatës në masën 5 komplete luftarake. Ndërsa për të siguruar gatishmërinë e tyre teknike, si dhe për të mos rënduar shumë transportin detar për prurjen e tyre në RP të Kinës për riparime periodike, del e nevojshme që të kemi një bazë riparimi për to me kapacitetet e nevojshme. Memorie.al