MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

Plani me tre pika i Lulit dhe “Foltorja” nga mbrapa

22.10.2021 - 16:45

E kuptoj mirë nevojën e Lulzim Bashës për t’i gjetur punë opozitare vetes në këto kohë të vështira, kur ka frikë të dalë edhe në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.

Ndaj edhe nuk ia vlen fare që të humbësh kohë për të analizuar cilësinë e propozimeve të tij, jo aq si kundërpeshë e kërkesës së qartë ndërkombëtare për votimin e zgjatjes së vetingut, se sa si një hall i brendshëm.

Sepse plani me tre pika, që po shëtit prej ditësh nëpër studio debatesh pa lidhje, e ka të shkruar të shkruar në ballë, që është nxitur prej panikut të foltores së Sali Berishës dhe nuk ka fare të bëjë me shqetësimet reale të shoqërisë shqiptare.

Por ajo që më çudit është fakti se si nuk doli kush t’i kujtojë Lulit premtimin e tij të bujshëm për zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nuk kanë kaluar, as vite dhe as shumë muaj prej asaj dite, ndërkohë që ” dorashka” e ditëve të fundit e PD-së për Edi Ramën, jo vetëm që nuk e godet statuskuonë, por ajo e përforcon edhe më shumë kryetarokracinë, si regjim që favorizon pushtetin absolut të kryetarëve të partive.

Që do të thotë se Lulzim Basha, pa iu dridhur fare qerpiku, sot na fton të diskutojmë dhe të pranojmë krejtësisht të kundërtën e asaj, që premtonte në fund të gushtit.

Arsyeja është e thjeshtë, në atë kohë ende nuk kishte ndodhur divorci i detyruar apo “besëprerja” në raportin e tij me Sali Berishën, ndaj edhe Luli ia lejonte vetes të paraqitej madje edhe si ëndërrimtar reformash, që nuk i ka dashur kurrë.