MENU
klinika

Eksperti: Në Shqipëri duhet zbatuar “testi i idiotit”

Plot 151 viktima në aksidente në 9 muaj

20.10.2021 - 22:06

Aksidentet rrugore i morën jetën 151 shtetasve shqiptarë në vetëm 9 muaj. Instituti i Statistikave raporton për 1024 aksidente të ndodhura në periudhën Janar – Shtator të këtij viti, një rritje prej 13.4% me të njëjtën periudhë të 2020-ës. Për ekspertët e sigurisë rrugore, përgjegjësia më e madhe bie mbi drejtuesit e automjeteve.

“Parakalimi i gabuar është një nga shkeljet më kryesore të qarkullimit rrugor është një nga shkeljet më të rënda. E dyta, përdorimi i alkoolit, përdorimi i celularit, shpejtësia e tejkaluar edhe në zonat e banuara mbi 40,50km në orë. Unë shikoj shumë të rrezikshme në Tiranë edhe përdoruesit e mjeteve të vogla, sidomos të delivery, po ashtu problemi i këmbësorëve është një problem më vete”.

Eksperti Fatmir Hasho, sheh si një masë ndërgjegjësuese për parandalimin e aksidenteve “testin e idiotit” i cili ende nuk është venë në zbatim.

“Unë mendoj se është domosdoshmëri sidomos për 3 shkelje si: përdorimi i drogës, alkoolit, dhe tejkalimi i shpejtësisë. Këta individë duhet të kalojnë testimin psikologjik për të rimarrë lejen e drejtimit apo pikët që kanë humbur”.

Sipas INSTAT, gjate 9 muajve numri më i lartë i aksidenteve u shënua nga grup-mosha 25–34 vjeç, ndërsa qarqet me problematike janë Tirana, Lezha, Fieri dhe Durrësi.