MENU
klinika

Hasluck, vepra monumentale

Shqipëria dhe një dashuri e (sh)këputur…

18.10.2021 - 18:55

         Folkloriste, gjeografe, gjuhëtare, etnografe dhe arkeologe, Margaret Masson Hardie ishte shkolluar në Cambridge dhe i kishte nisur udhëtimet studimore prej vitit 1911, kur shkon në Athinë dhe ndjek Shkollën Britanike. Një vit më vonë martohet me Frederick William Hasluck, në atëkohë asistent drejtor (1911-1915) dhe drejtues i bibliotekës (1906-1915) së Shkollës Britanike në Athinë. Së bashku, çifti do të udhëtojë në Konia (Ikoniumi i lashtë) në Turqi dhe pranverën e vitit 1913 e kalojnë atje.

Hasluck-ët gjatë katër viteve të ardhshme ndonëse bazën e kishin në Athinë, kryen udhëtime të shumta nëpër Ballkanin Jugperëndimor, udhëtime nga të cilat lindi interesi, pasioni dhe dashuria për Ballkanin. Pas vdekjes së të shoqit kthehet në Angli dhe merret me redaktimin e tre librave të papërfunduara që la ai.

Në Angli, në vitin 1924 ajo u bë anëtare e ”Geographical Society” dhe më vonë shkruan për revistën e tyre, duke i nënshkruar artikujt me mbiemrin e burrit, si Margaret Hasluck.

Në dy dekadat e ardhshme të jetës së saj, ajo u bë një folkloriste, gjuhëtare dhe etnografe duke studiuar veçanërisht jetën e banorëve të Shqipërisë. Përveç artikujve në revistat shkencore, Hasluck shkroi edhe për publikun e gjerë. Shkrimet e saj janë botuar në revista të njohura, si: ”British Weekly”, ”Discovery”, ”Nature” dhe ”Everywoman”. Shumë të tjerë, i botoi në ”The Times”, ”Illustrated London News” dhe ”Manchester Guardian”. Nga viti 1932 deri më 1936, ajo ishte korrespondente për Shqipërinë në periodikun ”Britania e Madhe dhe Lindja”. Ajo ka qenë një koleksioniste e mirë e tekstileve dhe materialeve folklorike. Koleksionimet e saj u realizuan aty nga mesi i vitit 1921 dhe vazhduan deri në fillim të vitit 1940. Këto koleksione përbëhen nga rreth njëqind objekte.

Elbasani, dashuria e saj

Më 1926, Hasluck vendoset përfundimisht në Shqipëri, në Elbasan. Atmosfera mesjetare dhe orientale e këtij qyteti, rrugët e tij të ngushta me kalldrëm dhe selvitë e gjata e kishin tërhequr përfundimisht. Ndërton një shtëpi aty ku edhe do të jetojë për 13 vjet. Kjo për jetën e saj do të ishte një periudhë e frytshme. Punimet e saj gjetën shumë shpejt vend në botimet profesionale. Kërkimet patën rezultate të shkëlqyera. Ndër të tjera ata përfshinë: syrin e keq; magjinë; bestytnitë shqiptare; ndikimi i fesë së krishterë; praktikat e fesë islame në Shqipëri; jevgjit, vllehët, sektet dervishe në Maqedoni, Shqipëri e Serbi; mitet e lashta greke në shoqërinë shqiptare (psh blerja e nuses dhe miti Edipit); ligji fisnor shqiptar, Kanuni i Lekë Dukagjinit, etj. Në mes të një stuhie të tillë e produktiviteti ajo arrin të mbledhë qindra tregime folklorike, bëhet autorja e gramatikës së parë anglisht-shqip (Këndime Anglisht- Shqip, 1932), që përfshin edhe 16 përralla popullore shqiptare në anglisht dhe shqip, së bashku me fjalorin. Por qëndrimi në Elbasan e kishte pasur edhe një tjetër shkak të fortë. Në gjithë këtë punë, ajo është ndihmuar nga dijetari dhe patrioti i shquar shqiptar Lef Nosi, i cili gjithashtu banonte në Elbasan. “Hasluck pati një miqësi të veçantë, të ngushtë, me të”, – shkruan Dejvid Smaili. Për këtë miqësi ajo ka shkruar vetë. “Nëse do kishim qenë më të rinj kur u njohëm dhe të kishim pasur ca të holla – shkruan Margaret – ne do të ishim martuar. Ajo që ne kishim pa martesën ishte dicka e mrekullueshme, gati-gati një lidhje perfekte intelektuale dhe ide të përbashkëta, si dhe punën që kishim planifikuar të bënim”. Por, planet do t’i prishte Lufta e Dytë Botërore…

18 tetori 1948, është dita kur ui nda nga jeta studiuesja skoceze, lindur nën emrin Margaret Masson Hardie Hasluck. Pas diplomimit në universitetin “Aberdeen”, Hasluck vazhdoi studimet pasuniversitare të thelluara në “Cambridge University” dhe shkollën Britanike të Athinës.

Hasluck është etnologia dhe etnografja e një pjese të madhe të kulturës ballkanike me studime të shumta në vende si Greqia, Turqia dhe stacionimi i fundit në Shqipëri. Në vendin tonë, ajo është pritur përzemërsisht si nga figura të rëndësishme të kohës, por edhe nga vetë shteti shqiptar.

Pushtimi i Shqipërisë dhe largimi i britanikeve nga terreni shqiptar do të sillte largimin e Hasluck-ut drejt Athinës. E lidhur shpirtërisht me Shqipërinë, Hasluck i ndjek me vëmendje lëvizjet politike të pas vitit 1944, kur edhe ka korrespondenca me drejtuesit e kohës, por letrat dhe këshillat e saj nuk u vlerësuan aspak.

Më 1947, kur e pa qartë se gjendja e saj shëndetësore nuk përmirësohej, nga Qipro u kthye në Dublin, ku me kurajo të madhe dhe këmbëngulje, u përpoq të përfundojë librin e saj, që synonte ta kishte historinë e parë të Shqipërisë në gjuhën angleze. E rraskapitur, më në fund iu dorëzua leucemisë më 18 tetor 1948, në një kohë kur i kishte mbaruar katër nga njëzet kapitujt, si edhe skicën e detajuar të librit të saj, që u botua pas vdekjes, në vitin 1954, me titullin “Ligji i pashkruar në Shqipëri”.

Shtëpia që ajo ndërtoi në Elbasan, është tashmë jetimore. Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes, Margaret u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme.

Me objektivin e aparatit të saj fotografik, Hasluck përjetësoi qytetet dhe njerëzit, nga veriu në jug të vendit, duke realizuar një mozaik të plotë të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar.