Është ndarë nga jeta ditën e djeshme, në moshën 98-vjeçare, gjyqtari që ka nënshkruar ekzekutimet më të bujshme gjatë regjimit komunist.
Aranit Çela ndërkaq ka dhënë dënimet fatale për shumë nga liderët e lartë politikë, duke filluar nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, deri tek ekzekutimi i Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut në fillimin e vite ‘80, të gjithë ish-anëtarë e kandidatë të Byrosë Politike, ministra e funksionarë të rëndësishëm të shtetit komunist shqiptar.
I përzgjedhur për besnikëri nga Enver Hoxha, Adil Çarçani në njëfarë mënyre ka noterizuar me dorën e tij dënimet e paracaktuara nga shefi i politikës për të gjitha ata që etiketoheshin prej këtij të fundit armiq të partisë dhe të diktaturës së proletariatit. Nuk ka pasur asnjë rast ku kryegjyqtari të kthente mbrapsht akuzat e përpunuara në selinë e Komitetit Qendror të Partisë.
Janë mbi dhjetëra rastet kur Çela ka firmosur pa pikë hezitimi ndëshkime ekstreme me pushkatim. Ka drejtuar sakaq 650 procese në të cilat ka proceduar me dënimet maksimale që parashikonte ligji i kohës. Ka qenë kjo arsyeja që e kanë quajtur edhe kryexhelati i gjyqësorit shqiptar. Ja disa nga proceset e bujshme:
GJYQI I BEQIR BALLUKUT
I kryqëzuar për tradhti dhe sabotim të vijës politike të Partisë në ushtri, Beqir Balluku, ish-ministër i Mbrojtjes dhe njëherazi zëvendëskryeministër, pas akuzës së kumtuar nga prokurori “organizator i një organizate kundërrevolucionare me qëllim puçi dhe komploti si dhe për tradhti të lartë” në një proces misterioz, është përballur me ligjërimin e Aranit Çelës për dënimin me vdekje pushkatim. “Dëshira e fundit!”. Aranit Çela nuk mund të ndahej me gjeneralët e dënuar pa mësuar pengun e fundit nga goja e tyre. Ishte rasti ku Beqir Balluku dhe të tjerët mund të flisnin hapur. Ora e tyre tashmë kishte ngecur dhe nuk bëhej fjalë për zgjidhje tjetër.
Lirim Gjetaj, njëri nga dëshmitarët e këtyre çasteve dramatike, kur kërkon të kujtojë mënyrën si u sollën gjeneralët pas apelit rrëqethës, ndalon paksa si për të sistemuar mendimet dhe humbet i tëri në vegimin e kujtimeve tronditëse. “E rëndë, shumë e rëndë të dëgjosh klithmën e fundit të atij që pret pushkatimin”, shprehet ushtari që ishte pjesë e trupit gjykues në procesin e të ashtuquajturve puçistë. Sakaq, fillon të përshkruajë gjendjen e tyre, duke u munduar të riprodhojë belbëzimin e fundit të gjeneralëve fatkeq.
Po ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, tiransi që arriti majën më të lartë të ekzekutivit shqiptar, si reagoi? “Mirë, po jam i pafajshëm”, u shpreh ai i dërrmuar, që mezi rrinte në këmbë. Ish-ushtari, ndihmësi i Aranit Çelës kujton se gjyqi zgjati 10-12 ditë. “Nisi aty nga fundi i tetorit dhe u mbyll në fillim të nëntorit të vitit 1975”, shprehet ai. U bënë me dhjetëra seanca, u thirrën dhjetëra dëshmitarë, u hodhën prova të shumta, deri te finalja që kumtoi Aranit Çela.
GJYQI NDAJ ABDYL KËLLEZIT
Pa mbaruar jehona e pushkatimit të gjeneralëve të ushtrisë nisi një proces tjetër, i ashtuquajturi ndaj sabotatorëve të ekonomisë. Enver Hoxha, pasi kishte goditur disa të ashtuquajtura grupe armiqësore dhe eliminuar Beqir Ballukun, Petrit Dumen apo dhe burgosur shumë e shumë të tjerë, vendosi të ideonte edhe eliminimin e të ashtuquajturit “grupi armiqësor i ekonomisë”.
Në krye të këtij grupi vendosi me ndërgjegje të plotë dy nga figurat më të shquara të ekonomisë së asaj kohe, Koço Theodhosin dhe Abdyl Këllezin, me karrierë të pasur profesionale dhe shtetërore. Krisja e parë mes Hoxhës dhe dy prej specialistëve të ekonomisë kishte filluar që në vitin 1973, kur ish-Sekretari i Parë i KQ të PPSH, pasi ishte konsultuar me specialistë të besuar, një informacion nga “kanale të besueshme” e vë në dijeni Enverin për tatëpjetën që kishte marrë ekonomia. Raporti ishte përpiluar nga një grup ekspertësh të ekonomisë në KQ të PPSH-së dhe tregonte realisht gjendjen e krijuar pas inflacionit dhe mungesës së mallrave të konsumit të gjerë. Prej këtej Enveri do të shigjetonte shkaktarët e kësaj gjendjeje.
Madje dy më kryesorët, Abdyl Këllezin, asokohe zëvendëskryeministër dhe Koço Theodhosin, ish-ministër i Ekonomisë, pasi i bëri objekt diskutimi në të gjitha forumet e Partisë, ua rekomandoi organeve të drejtësisë për të marrë ndëshkimin e merituar si grup armiqësor e sabotues në ekonomi. Mjaftoi ky etiketim që kryegjyqtari i famshëm të bënte punën që dinte të bënte më mirë: t’i dënonte me vdekje pushkatim. Për ironi të fatit, siç tregon për “Panorama” Rrapi Mino që ka qenë i pranishëm gjatë ekzekutimit të tyre, me porosi të udhëheqjes trupat e tyre pa jetë kanë shkuar për kadaër “për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë”.
PROCESI I KADRI HAZBIUT
Goditja e Kadri Hazbiut, ministrit më jetëgjatë të Sigurimit të Shtetit, ka qenë nga më spektakolaret në odisenë e spastrimeve në radhët e lidershipit komunist. Njeriu që tërë jetën do t’ia kushtonte vigjilencës për të shpëtuar partinë dhe vendin nga tradhtitë dhe prapaskenat, do të bëhej më në fund edhe vetë viktimë e këtij mekanizmi shfarosës, madje do të goditej fatalisht si të gjithë “armiqtë e partisë dhe të pushtetit popullor”.
Gjithçka do të vinte menjëherë pas aktit tragjik të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. Kjo ngjarje do ta vinte emrin e Kadri Hazbiut në listën e të dyshuarve dhe gjithçka pastaj do t’i nënshtrohej rrjedhës së spastrimeve që partia u bënte “tradhtarëve” dhe “agjentëve potencialë”, të dalë nga radhët e liderëve të rëndësishëm. Më tej do të vinte procesi që do të përmbyllej me verdiktin e kumtuar në sallën e Burgut 313 nga Aranit Çela: “Kadri Hazbiu, dënohesh me vdekje pushkatim për…”.
Në një rrëfim për “Panorama”, ish-Prokurori i Përgjithshëm që ka përfaqësuar akuzën në proces zbulon për herë të parë disa nga rrethanat e panjohura e të shumëpërfolura të ekzekutimit të Kadri Hazbiut, ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit. Ka qenë kjo një histori e jashtëzakonshme e risjellë vitet e fundit në vëmendje të opinionit publik në versione nga më të ndryshmet.
Përtej atyre që përmbajnë dokumentet zyrtare për epilogun e këtij procesi, nga dëshmitarë të ndryshëm kanë qarkulluar zëra që tregojnë se në rastin e ekzekutimit të Hazbiut nuk është zbatuar asnjë nga kërkesat e procedurës që parashikonte dispozita përkatëse e kohës.
Madje, njëri nga ish-gardianët e Burgut 313 ka pohuar se Kadri Hazbiun, në vendin e ekzekutimit, e kanë çuar të vdekur. Një tjetër ka thënë se ai ka ndërruar jetë nga torturat. Sakaq, ka të tjerë që kanë vënë në dukje se ekzekutimi i tij është bërë fshehurazi në qeli nga njëri prej zëvendësministrave të Brendshëm, për të shmangur pështjellimin në radhët e efektivëve të emëruar dikur nga Kadri Hazbiu e të urdhëruar së fundi për të ekzekutuar atë. Rrapi Mino nuk mohon dhe as pohon asnjërin prej këtyre versioneve, por spontanisht, e krejt pa dashur, pranon mosvërtetësinë e dokumentit zyrtar për ekzekutimin e ish-ministrit të Brendshëm të nënshkruar prej tij.