MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

10 konkluzione për aksionin “Trekëndëshi i Bermudës” të Lulzim Bashës

01.11.2021 - 22:51

Për ata që nuk e dinë, Trekëndëshi i Bermudës është një zonë ujore në Oqeanin Atlantik me tre kulme: Miami, Porto Riko dhe Bermuda. I cilësuar ndryshe edhe si trekëndësi i djallit, në këtë zonë prej qindra mijë kilometra katrorë në ujë, janë mbytur dhjetra anije me gjithë ekuipazhin si dhe janë zhdukur edhe aeroplanë që kanë qenë duke fluturuar aty pranë. Thjesht fare, udhëtimi brenda kësaj zone është një rrezik vdekje dhe deri tani bilancet kanë regjistruar mijëra jetë të humbura nga zhdukja e këtyre anijeve dhe aeroplanëve. Por që nga mesdita e të enjtes togfjalëshi Trekëndëshi i Bermudës është futur në fjalorin politik të Shqipërisë nga kryetari zyrtar i PD Lulzim Basha teksa e përdori në parlament duke anatemuar si trekëndësh djalli Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Është një deklaratë që nuk shënon vetëm një moment historik për politikanin Lulzim Basha që e tha, por edhe për gjithë politikën shqiptare. Shumë ujra kanë për të rrjedhur në politikën shqiptare por e enjtja e 28 tetorit 2021 do të shënohet si një ndarje e madhe në politikën tonë. Janë të paktën 10 konkluzione që nxirren nga kjo deklaratë.

Së pari, Lulzim Basha ndahet përfundimisht me Sali Berishën.

Me deklaratën që bëri Lulzim Basha, konfirmoi dhe çimentoi konkluzionin se ai tashmë është në një betejë të hapur, të fortë dhe pa kthim, për jetë a vdekje politike me Sali Berishën. Që Lulzim Basha e ciëlson Sali Berishën një nga tre kulmet e Trekëndëshit të Bermudës, pra të trekëndëshit të djallit kjo është shpallje e një lufte të hapur ndaj tij. Është kulmi i një beteje që vërtetë askush nuk mund të vendosë bast se kush do fitojë, por që deri para disa muajsh askush nuk mund të vinte bast se mund të ekzistonte një betejë e tillë. Nga aksioni “Foltore” Berisha kishte kohë që përgatiste mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Sigurisht që mbledhja e tij automatikisht është e barasvlerëshme me shkarkimin e Bashës. Nga ana tjetër vetë Basha e ka deklaruar me dhjetra herë që as nuk do të lejonte e as nuk e do e njohë këtë Kuvend. Pra jemi në një luftë të hapur se cili prej tyre do të fitojë dhe cili do ti mbetet historisë. Basha shkoi atje sa e futi Berishën në listën e tij të zezë duke ndryshuar qendrim vetëm me disa javë më parë. Mjaftojmë të kujtojmë që më 19 maj, teksa Sekretari i Shtetit Antony Blinken shpalli Berishën non grata, Basha e ngriti Berishën në qiell:

“Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta”.

Basha lartësoi edhe më shumë figurën e Berishës edhe më 9 shtator kur vërtetë e përjashtoi nga grupi parlamentar i Partisë Demokrartike por ama tha:

“Ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike”.

Por tashmë jemi në një tjetër situatë dhe tjetër qendrim. Për Bashën, Berisha është një nga kulmet e Trekëndëshit të Bermudës dhe si i tillë ai ka bërë shpalljen për luftë, të një lufte që e ka nisur pikërisht me atë që cilësohet si babai i tij politik, të cilin nuk e vrau as kur e mbështeti për të qenë në krye të PD, e as përgjatë tetë viteve, por pikërisht tani kur SHBA mori një vendim ekstrem.

Së dyti, Lulzim Basha e pozicionoi politikën shqiptare katërpolare.

Lulzim Basha me këtë deklaratë tregoi se tashmë politika shqiptare është katër polare Rama-Meta-Basha-Berisha. Poli i parë është kryeministri Edi Rama me mazhorancën që tashmë gëzon mandatin e tretë qeverisës. Poli i dytë është Lulzim Basha me mbështetjen e PD-së zyrtare. Poli i tretë është presidenti Ilir Meta dhe mbështetja e LSI-së pavarësisht tkurrjes së saj dhe poli i katërt është Sali Berisha me mbështetësit e tij në bazën dhe pjesën e konsiderueshme të PD. Vetë Basha duket se ka vendosur veten përballë tre poleve të tjerë, por që kjo e bënë atë të pozicionuar përballë të keqes. Lexoni me kujdes fjalët që tha në parlament se sa përpjekje bën Basha për të qenë i rëndësishëm, për të qenë ndryshe nga tre të tjerët dhe për të qenë ai i miri. Shkurt, se ata tre janë të këqinjtë e politikës shqiptare dhe ai është shpëtimtari:

“Trekëndëshi i Bermudës” i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve, ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës” do të bien! Shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite”.

Kjo është hera e parë në këto 30 vjet që politika jonë funksionon me kaq shumë kulme. Në shumicën e kohës ajo ka qenë dy polare duke pozicionuar dy liderët kryesorë kryetarë të partive respektive. Por ka qenë disa momente të caktuara që politika ka qenë edhe tre polare kur në linjën e fortë politike bën pjesë Ilir Meta gjatë kohës që ishte kryeministër. Ishte Sali Berisha i cili në vitin 2002 deklaroi për herë të parë se politika shqiptare ishte tre polare. Tashmë i është shtuar edhe një pol tjetër, duke futur Berishën dhe Bashën dhe duke e copëzuar si asnjëherë tjetër politikën tonë.

Së treti, Lulzim Basha hap garën politike ndaj treshes Rama-Meta-Berisha

Lulzim Basha cilëson si të keqen e vendit tre kundështarët e tij. Ai është shpëtimtari i vendit dhe se Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë e keqja e madhe. Në linjën e Trekëndëshit të Bermudës Basha ka vijuar edhe një ditë pas parlamentit me po të njëjtin qendrim. Sapo Berisha në Lezhë shpalli se 11 dhjetori do të ishte data e mbajtjes së kuvendit kombëtar të PD, Lulzim Basha shkroi në faqen e tij në facebook:

“Shqipëria duhet dhe do të ndahet njëherë e përgjithmonë nga llumi 30-vjeçar i tranzicionit. Shqiptarëve do t’u hapet rruga e zhvillimit dhe integrimit”.

Tashmë ai është në përballje jo vetëm me Edi Ramën. Ai tashmë ka përballë përvec tij edhe Ilir Metën dhe Sali Berishën. Fraza se “Trekëndëshi i Bermudës” i ka ditët e numëruara” e konfirmon këtë por në të njëjtën kohë tregon se Lulzim Basha po bën një betejë në front të gjerë dhe kjo është beteja më e madhe dhe më të rëndësishme e jetës së tij politike. A do t’ia dalë? Basha ka treguar se me asnjë prej të treve nuk ka fituar ndonjë betejë. Megjithatë ai tashmë këtë betejë e ka filluar.

Së katërti. Luilzim Basha konfirmoi se linja e tij politike do jetë dora e forte.

Ikën ditët e politikanit të butë, me stil perëndimor, paqësor e bashkëpunues. Lulzim Basha është bërë trim. Në parlament nuk kritikon, por akuzon, ngre zërin me apo pa mikrofon të hapur, etiketon e deri ofendon edhe gratë. “Pusho moj ti” iu drejtua Basha deputetes 79-vjeçare Luljeta Bozo. “Skllave e Ramës”, e etiketoi kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kulmi ishte kur deputetit të PS-së Eduart Shalsit i tha: “U bërë ti mo plehrë. S’ke turp. Me tregon ti mua shpifjen. O plehrë”! Stop, do thoshin të gjithë. Këtu ka diçka të madhe. Por kur nga goja nxori frazën se Rama-Meta-Berisha janë “Trekëndëshi i Bermudës”, në slengun kosovar do të thoshim mbetemi pa tekst. Pavarësisht se nuk ka brenda fyerje kjo është deklarata dhe etiketimi më i fortë që ai ka bërë në të gjithë karrierën e vet. Të gjitha këto tregojnë se Basha jo vetëm është duke ndjekur linjën e fortë, ndryshe nga ajo e natyrshmja që ka, por lë të kuptojë se do vijojë po me këtë linjë. Sa do ta mbajë? Nuk dimë të themi por në 16 vite në politikën aktive ai ka qenë shumë larg këtij profili. Vërtetë diçka e madhe ka ndodhur që ai e di dhe ne nuk e dimë.

Së pesti, Lulzim Basha tregoi se PD është në betejë politike me LSI

Aleati kryesor i Partisë Demokrarik dhe i Lulzim Bashës, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është më e tillë. Kryetari zyrtar i PD e ka përfshirë LSI-në dhe ish-kryetarin e saj në një listë me trekëndëshin e djallit dhe kjo ka sjellë jo vetëm reagime por edhe qendrime. I pari që ia ktheu Bashës pas deklaratës së fortë ishte Petrit Vasili kur teksa diskutohej ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit tha se kjo tregonte pazarin mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Ilir Meta të cilin Basha e ka cilësuar një nga kulmet e trekëndëshit të Bermudës nuk ka folur ende, por në një formë nënkuptuese është pozicionuar kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi teksa në një intervistë në “Zerin e Amerikës” përdori frazën “Asgjë e re nga fronti i Lindjes”. Kryemadhi përshtati kështu titullin e kryeveprës së romancierit gjermano-amerikan Erich Remarque “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Romani flet për të rinjtë gjermanë që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, një gjeneratë që e kaloi rininë në luftë. Një pjesë e këtyre të rinjve u vranë, por një pjesë i shpëtoi granatave dhe fishekëve, e megjithatë i gjithë brezi e kësaj gjenerate kjo luftë ua shkatërroi jetën. Afërmendsh Kryemadhi duhet të ketë lënë të kuptohet se beteja e Bashës me “Trekëndëshin e Bermudës” i dëmton të gjithë duke përfshirë edhe vetë Bashën. Por pyetja është se si janë marrëdhëniet e PD-së me LSI-në? Në këtë intervistë, Kryemadhi është munduar të nxjerrë nga goja fjalë të kujdesshme e megjithatë nuk ka mundur dot faktin se dashuria mes dy partive ka mbaruar.

“Nuk dua të komentoj asgjë që ka të bëjë me punët e brendshme të PD. Ne me PD na ka lidhur bashkimi me kauzat për të mirat e qytetarëve si teatri apo taksa e rrugës së Kukësit. Nga ana e LSI, angazhimi ka qenë gjithmonë luajal dhe e qëndrueshme. Ajo që dua të theksoj, është se nuk kanë rëndësi marrëdhëniet e LSI me PD. Në parlament sot ka një tango teatrale që po rrit borxhin drejt falimentimit të shtetit për të vazhduar me marrëveshje pa transparencë. Sot jeta e shoqërisë shqiptare nuk artikulon për gjëra të rëndësishme për ekzistencën e të rinjve”.

Në këtë situatë PD-së nuk i duhen as katër deputetët e LSI-së e as presidenti në detyrë Ilir Meta. Ndoshta më vonë edhe po. Deri atëherë taktika që po përdor i leverdis ta mbajë debatin duke patur kundërshtar edhe LSI-në. E thamë më lart, Basha ka hapur luftë në front të gjerë. Dhe në këtë front një vend të veçantë e zë edhe LSI.

Së gjashti, Basha kërcen “tango” me Ramën

Edhe pse me gojën e vetë e përcaktoi se politika shqiptare tashmë është katër polare, për Bashën dy pole janë për të më të rëndësishme: ai vetë dhe Rama. Me këtë betejë ai kërkon dhe synon të çimentojë se ai dhe vetëm ai është përballësi ndaj Edi Ramës. Në horizont duket se PD do votojë ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të disa institucioneve të reformës në drejtësi dhe si kompesim Edi Rama do ti japë ok për vetingun në politikë, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. Është një aleancë në mos fizike, fluide, që jo më kot linja zyrtare e LSI-së e quan tango që Lulzim Basha po e kërcen me Edi Ramën. Mjafton të lexojmë këto fjalë të Bashës në parlament për të kuptuar se qëllimi final është pozicionimi i tij përballë Edi Ramës dhe se frika më e madhe e Edi Ramës të mos jetë Sali Berisha dhe Ilir Meta por Lulzim Basha.

“Unë kurrë nuk të kam pasur simpati për vendimet politike, me përjashtimin e rastit të fundit. Ky nga piramidat e Gizës nuk na sheh. E ka hallin se më dhemb dhëmbi. I kam të mi që ta dish. Njëherë që të kafshuan, u zhduke tre javë. Ajo të dhemb ty. Shenjat i ke s’të ikin. S’të del e keqja. Pse trembesh nga vettingu në politikë? Venecia e ka shprehur mendimin. Mos ke frikë që do jesh objekti i vetëm? Filloje nga unë, ku e ke merakun ti. Kush do ta aprovojë, Rrok Gjoka me Salillarin. Toma? E ke para, të gjithë nga i pari tek i fundit”.

Së shtati, Basha u konfirmon se po ndjek linjën zyrtare të SHBA

Kur dëgjon Bashën me fjalë të ashpra kundër treshes Rama-Berisha Meta është afërmendsh të thuash se e ka një hall të madh që shfaq guxim të tillë. Po afërmendsh të vjen ideja se SHBA e ka në targetin e saj Berishën dhe Metën. Duke treguar zell në sulmet ndaj tyre, Basha tregon se po ndjek një linjë ndërkombëtare, ose më saktë amerikane. Në fakt në muajtë shtator dhe tetor opinioni ka krijuar një perceptim që SHBA mbështet Lulzim Bashën. Plotësimi i kërkesës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar për të gjithë është kuptuar që Basha të marrë si kompesim mbështetjen prej tyre. Dhe ai ka ditur ta shfrytëzojë këtë duke luajtur me terma diplomatikë amerikanë. Ai u lë amerikanëve të kuptojnë se PD e drejtuar prej tij është pro amerikane dhe funksionon në linjën e saj. “Nuk do lejoj një kuvend antiamerikan”, tha pak javë më parë duke qetësuar edhe skeptikët në ambasadën amerikane. Në profilin e tij politik Basha ka krijuar një perceptim se besimi nuk është cilësia e tij më e mirë dhe për ta ndryshuar këtë me SHBA ai po tregohet i qartë, i vendosur që ai ndjek linjën e tyre. Vërtetë që mbështetja që të jep SHBA nuk përkthehet në vota, por Basha si politikan ka kuptuar se pa mbështetjen e SHBA kurrë nuk mund të vijë në pushtet. Zërat pranë tij shprehen se ai po përgatitet të kryejë një vizitë zyrtare në Washington që nëse e realizon do ti japë shumë kredite. Por asgjë nga kjo nuk është e konfirmuar. Të gjithë duhet të shikojmë se sa Lulzim Basha do ta mbajë këtë linjë në mënyrë që një ditë të pritet në Washington si politikan i gatshëm për të ardhur në pushtet.

Së teti, Basha fituesi ose humbësi i madh.

Për një gjë biem dakord të gjithë: Aksioni politik i Lulzim Bashës “Trekëndëshi i Bermudës” është beteja e jetës së tij. Në fund të kësaj ai do jetë ose fituesi ose humbësi i madh. Asnjëherë në këto tetë vjet si kryetar i PD-së dhe 16 vjet në politikë Basha nuk ka bërë një betejë të fortë. Tani jo vetëm që po e bën por po e bën me peshkaqenët e politikës shqiptare. Dhe e gjithë kjo sigurisht do ketë një fund që ose ose do jetë shumë i lumtur për të ose do jetë një zhgënjim. Nuk është çudi që ai mund të fitojë shumë, të bëhet kryeminisër, të bëhet i pari i vendit, por me të njëjtën përqindje nuk është çudi që të humbasë dhe të dalë përfundimisht nga politika. Lulzim Basha ndodhet në një provë shumë të fortë.

Së nënti, sikur Lulzim Basha ta kishte artikuluar “Trekëndëshin e Bermudës” në 2013.

Politika nuk bëhet me sikur. Por në rastin e Lulzim Bashës nuk mund ta përjashtosh si version. Sikur ai ti kishte bërë punët ndryshe padyshim që rezultatet do kishin qenë shumë më ndryshe. Fakti është se kurrë në këto 8 vjet ai nuk ka bërë një betejë të saktë. Nuk bëri vetë as brenda Partisë Demokratike, e as jashtë saj. Nuk e vrau babain e vet politik, por bëri viktimën kur i duhej dhe bëri të dashuruarin ndaj tij po kur i duhej. Lulzim Basha nuk luftoi asnjëherë sinqerisht ndaj të keqes që ai e quan sot ata që qendrojnë përballë tij. Kurrë nuk luftoi sinqerisht ndaj Edi Ramës aq sa bëri marrëveshje që dëmtuan jo vetëm PD por edhe vendin. Sikur këto ti kishte bërë ndryshe dhe ti kishte filluar që në vitin 2013 nuk do ishim sot këtu. Aksionin “Trekëndëshi i Bermudës” ai duhet ta kishte nisur në vitin 2013 kur u zgjodh kryetar i PD. Ai nuk e bëri. Megjithatë rregulli i art është se politika nuk bëhet me sikur.

Politika nuk bëhet me sikur. Por në rastin e Lulzim Bashës nuk mund ta përjashtosh si version. Sikur ai ti kishte bërë punët ndryshe padyshim që rezultatet do kishin qenë shumë më ndryshe. Fakti është se kurrë në këto 8 vjet ai nuk ka bërë një betejë të saktë. Nuk bëri vetë as brenda Partisë Demokratike, e as jashtë saj. Nuk e vrau babain e vet politik, por bëri viktimën kur i duhej dhe bëri të dashuruarin ndaj tij po kur i duhej. Lulzim Basha nuk luftoi asnjëherë sinqerisht ndaj të keqes që ai e quan sot ata që qendrojnë përballë tij. Kurrë nuk luftoi sinqerisht ndaj Edi Ramës aq sa bëri marrëveshje që dëmtuan jo vetëm PD por edhe vendin. Sikur këto ti kishte bërë ndryshe dhe ti kishte filluar që në vitin 2013 nuk do ishim sot këtu. Aksionin “Trekëndëshi i Bermudës” ai duhet ta kishte nisur në vitin 2013 kur u zgjodh kryetar i PD. Ai nuk e bëri. Megjithatë rregulli i art është se politika nuk bëhet me sikur.

Së dhjeti, Basha në rast dështimi kthehet në Hollandë.

Sigurisht që nëse Lulzim Basha dështon nga kryeaksioni politik i jetës do kthehet në Hollandë. Por a e ka menduar vetë Basha kthimin në Hollandë? Sigurisht që e ka menduar, sepse një nga artikulimet e më të fortë të Sali Berishës ka qenë thirrja për kthimin e Bashës në atdheun e dytë sapo nisi turin e “Foltores”:

“Kemi një krizë të thellë, por do ta kapërcejmë të gjithë së bashku. Ky entuziazmi juaj është rikthimi i opozitës në vend dhe e vlerësoj jashtë mase. Lul Basha, peng-Basha më mirë të themi do jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Uroj të dorëzojë dhe mandatin dhe të shkojë nga erdhi”.

A do plotësohet kjo thirrje e Berishës? “Trekëndëshi i Bermudës” mund ta ndihmojë, por edhe mund ta dëmtojë. Një dëmtim që mund ta kthejë “andej nga erdhi”, në Hollandë.