MENU
klinika

Frrok Çupi

Amerika me këta, si elefanti me miun

24.11.2021 - 13:12

Më në fund këta u dorëzuan, u dorëzuan duke u zbrazur nga përbrenda vetes. Kjo ishte e gjitha, madje më shumë se ajo çfarë pritën njerëzit; njerëzit prisnin sikur Amerika ‘do t’i marrë për veshi e në burg’. Ilir Meta, president i Republikës, dëshmoi mbrëmë në konferencën për mediat se ‘u shfry’ e nxori gjithë pisllëkun sikur ta kishte shtypur putra e madhe…

Ja kështu ka ndodhur me këta: Amerika luajti si elefanti me miun dhe këta ja ku janë. Në një të folme të përditshme thuhet ‘si macja me miun’ por në rastin tonë këtë sugjestion e kishin Meta, Berisha &Co, këta e kishin mendjen sikur Amerika do të ishte ‘e vogël sa një mace’.

‘Loja’ më e fundit:

Yuri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara, dje përshëndeti nga Tropoja dhe deklaroi se ‘këtu në këto male ndihem në shtëpinë time’. Shtoi edhe se në Tropojë do të festojë Festën amerikane të Falënderimeve!. Vetëm dy ditë para se dje, malësori tropojas Berishë, i shpallur ‘i papranueshëm’ nga Shtetet e Bashkuara, që nga një hotel në Tiranë kërcënoi fuqinë e madhe botërore se ‘do ta përzë, nuk do të shkelin më në shtëpinë time’. Si në lojën me ‘kuka- fshehtas’, ai tha drejtpërdrejt kështu: ‘Zonja ambasadore e Amerikës nuk do të lejohet të shkelë në zyrën time si kryeministër’. Por Amerika është më e madhe se macja e përfytyrimit të Berishës. Zonja Kim zhvilloi të njëjtën simbolikë: U ngjit në malet ku është rritur Berisha dhe tha se ‘këtu ndihem si në shtëpi’. Vendlindja e Sali Berishës, natyrshëm është toka mikpritëse për aleatët perëndimorë, e sidomos për Shtetet e Bashkuara. Zonja Yuri Kim, e dërguar e qeverisë amerikane, iu përgjigj edhe aleatëve të Sali Berishës, që tani, të fshehur pas maskës demokratike, janë grumbulluar rreth antiamerikanizmit. Këta janë ose në foltore, ose rreth saj, ose më larg e të maskuar. Por ambasadorja e Amerikës, me një ‘lëvizje gishti’, i zhbëri.

Më në fund kjo ishte më e thjeshta në sjelljet simbolike të diplomacisë amerikane për neutralizimin e zyrtarëve të lartë që kanë ushtruar dhunë dhe korrupsion mbi publikun shqiptar. Sot, zonja Yuri Kim tha se për zyrtarët e korruptuar ‘ky është vetëm fillimi’.

-Ky është vetëm fillimi!- tha Kim.

Ditën që do të paraqiten para Drejtësisë për krimet e kryera, këta do të peshojnë njëqind herë më pak se peshat që ngrinte Ilir Meta kur ishte në këtë lloj sporti; ose sa një pupël në krahasim kur ishin në pushtet. Atë ditë do të jenë zbrazur nga hija e shpatës së madhe që i imponuan popullit sa kohë ndodheshin në piramidën e shtetit.

Nuk bëhet më si në epokën e sovjetizmit, kur urdhëronte Stalini. Siç edhe shpresojnë njerëzit e lodhur nga krimi, se një ditë Amerika ‘do t’i marrë këta për veshi e në burg’, kjo nuk funksionon. Këta dorëzohen vetë. Ilir Meta, president i Republikës, dëshmoi mbrëmë në konferencën për mediat se ‘u shfry’ dhe nxori gjithë pisllëkun sikur ta kishte shtypur putra e madhe…

Çfarë krimi nxori mbrëmë presidenti Meta?

Presidenti tha se vetë, me dashje, kishte kryer një krim kushtetues ndaj të drejtës së popullit për të votuar. Ai tha se dekretin për shtyrjen e datës ‘ia kishte kërkuar kryetari i PD, Basha’. Dhe Meta e shtyu. Do të thotë se presidenti i lëshon dekretet e bllokimit të shtetit sa herë ia kërkon një ‘klient’. Prokuroria, dje në mbrëmje, duhej të kishte trokitur në derën e Ilir Metës me pranga në duar, për një krim kushtetues të deklaruar në flagrancë. Por jo se këtë e bëri Amerika. Autorët e aktit vijnë në vendin e krimit, padyshim.

Amerika ka kryer vetëm një lëvizje të putrës ndaj ‘miut’. Vite e vite të tërë gjatë të cilëve zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar ‘i erdhën hakut’ popullit të tyre- aleat me Amerikën, aleati i madh bëri shfryrjen më të vogël të ‘kafshës’ bezdisëse. Këta as mund të vrisnin më njeri, as mund të urdhëronin zhdukje në masë, as mund të ushtronin korrupsionin e rëndësishëm- siç kishin bërë deri në atë moment. Amerika, në 19 maj 2021, i hoqi valvulën Berishës- ish president e ish kryeministër, i fiksuar me vjedhjen, korrupsionin e krimin kundër demokracisë dhe individit. Në 9 shtator PD e përjashtoi nga Parlamenti… Pritet që të thërriten nga Drejtësia pjesëtarët e familjes së tij… Shikojeni tani në ç’derexhe është katandisur. Ka dalë rrugëve, mbledh milet pa dallim- pijanecë, të metë, rapsodë, të burgosur, hajdutë.., ça të jenë; dhe bën ushtri ‘demokratikase’ anti- amerikane. Shpif, sajon, gënjen, bën grimasat e idiotit, thotë budallallëqe…., aq sa tani të vjen keq për të. Edhe sikur të vijnë një ditë ata të Prokurorisë, nëse vijnë për këtë e jo familjen, ti dhe unë do të pëshpëritnim: ‘po lëre dreqin, a s’e shikoni ku është katandisur!’.

Këta shfryhen para se elefanti të vërë putrën e tij; madje as është më e nevojshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit dhe është rrezik për paqen“

Frrok Çupi: Berisha ‘tirani’ i fundit në Ballkan pas Millosheviçit

“Kur të hapet pakoja, do shohim monstruozitete”

Frrok Çupi: Berisha ka zgjidhur qeset e parave! Meta po na fyen