Për Sekretarin e Partisë Demokratikë nuk ka asnjë Kuvend paralel, por vetëm një më 18 dhjetor.
I ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, Bardhi u shpreh se Sali Berisha sot është kundër interesit të PD-së dhe demokratëve duke mbajtur një qëndrim përçarës.
“Gjatë takimit mbrëmjen e djeshme janë dhënë informacione se eksponentë kriminalë janë përfshirë në mbledhjen e firmave. A janë të përfshirë për llogari të Ramës që kërkon t’i fryjë zjarrit të përçarjes duhet të sqarohet. Në Elbasan ky grup kriminal është përfshirë në mbledhjen e firmave. Berisha duhet të distancohet nga ata. Me akuzat drejt meje qesh, por deri në momentin që prek familjen time. Do të merrem në rrugë ligjore. Nuk ka asnjë Kuvend paralel. Ka patur një kërkesë të Berishës për mbledhjen e Kuvendit. Doli një datë e shpallur nga ai. Sipas statutit tonë duhet të bëhet kërkesa 1 muaj para. Në vend që firmat dhe kërkesat të dorëzoheshin sipas procedurës, doli Berisha dhe tregoi disa tufa me letra. Dhe ndodhi shfaqja qesharake ku mbyllën në kasafortë firmat. Kam dalë më shumë se 3 ditë duke bërë thirrje që të respektohej vullneti i këtyrë delegatëve. Në momentin që kjo nuk ndodhi, kryetari i PD-së i propozoi kryesisë mbledhjen e Kuvendit. Qendrimi i Berishës është përçarës. Ishte kamufluar pas idesë për demokratizimin e PD-së, por në momentin kur ti shpall të paligjshëm instuticionët e PD-së, Berisha vendosi të dalë kundër. Sot është përballë interesit të PD-së. Në këtë moment është duke dëmtuar më shumë se kushdo tjetër interesin e PD-së”- tha ai.
Ai nuk përjashtoi mundësinë e largimit në Berishës nga PD nëse vazhdon për qëndrimin e tij përçarës. Ai tha se ka patur një periudhë 3-mujore bisedimesh pas vendimit të DASH dhe përgjigja që ka pasur Berisha ka qenë nuk më intereson partia por vetëm dinjiteti personal i imi.
“Çdo anëtar që synon të përçaje PD-së, vetëpërjashtohet nga partia. Nuk është në tagrin e kryetarit apo timin përjashtimi i Berishës, por e institucioneve. Që pas shpallës nga SHBA non grata ka pasur një proces të gjatë 3-mujor bisedimesh dhe negociatash. Ka patur një kërkesë nga partnerërt tanë për distancim dhe përjashtim. Qëndrimi i PD-së ishte mbështetje ndaj Berishës por duhej një zgjidhje që të kënaqte edhe partnerët tonë. Përgjigja që ka pasur Berisha ka qenë nuk më intereson partia por vetëm dinjiteti personal i imi. Kur ne kemi përpara dikë që thotë këtë atëherë përgjegjësia jonë ëhtë të mbrojmë dinjitetin e demokratëve”- tha ai.