MENU
klinika

Çfarë thonë shokët e nxënësit shembullor

Dyshohet se i dha fund jetës për shkak të sfidës në “Tik-Tok”

22.11.2021 - 11:23

Një 13-vjeçar i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur me një spango në dhomën e tij të gjumit. Ngjarja tragjike është regjistruar pasditen e së shtunës në fshatin Golem të Lushnjës.

Fëmija Arjet Sulovari u gjet i vetëvarur nga prindërit e tij, të cilët e dërguan me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ishte tepër vonë për të. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për të bërë një video për rrjetin social “TikTok”, ku djali ishte tejet aktiv në këtë rrjet dhe në rrjete të tjera sociale.

NGJARJA

Pasi djali u zhduk papritur, prindërit e Sulovarit kanë bërë kërkime të shumta në lagjen ku ata jetojnë në fshatin Golem. Pasi e kanë thirrur disa herë, duke pyetur gjithashtu edhe fqinjët, ata kanë shqyer derën e dhomës pasi ajo ishte e mbyllur nga mbrapa. Pas këtij momenti, ata janë përballur me skemën tragjike, duke zbuluar djalin e tyre të vetëvarur, ndërsa në tokë ishte e rrëzuar një karrige.

“Rreth orës 18:00, në Spitalin e Lushnjës është sjellë nga prindërit pa shenja jete, djali i tyre 13-vjeçar, banues në fshatin Golem, i cili dyshohet se është vetëvarur në banesë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”, sqaroi shkurtimisht Policia.

POSTIMET NË RRJETET SOCIALE

Fillimisht, u dyshua se i mituri humbi jetën për shkak të një sfide që ai realizonte në rrjetin social “Tik-Tok”, por e vërteta e ngjarjes tragjike nuk do të zbulohet dot kurrë. Duke u nisur nga dyshimet se 13-vjeçari mund të ketë qenë duke realizuar një sfidë për rrjetet sociale, hetuesit kanë këqyrur përmbajtjet që Arjet Sulovari shpërndante në profilin e tij në “Tik-Tok”, ku rezulton se ai ka shpërndarë video. Në videot e shpërndara nga djali me një profil nën emrin “Djali i keq”, flitet për vetmi të thellë, ndërsa mungojnë fotot e tij. I mituri shkruante se “vetmi nuk do të thotë të jesh vetëm, por të kesh një zemër të vetmuar”, “jeta ime është mbushur me errësirë, prandaj unë rri në errësirë”. Ndërkohë, në një tjetër video shkruante: “jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”.

Nisur nga këto shprehje grupi hetimor ka dalë në konkluzion se 13-vjeçari ka kryer një vetëvrasje në kushtet e depresionit. Edhe pse nuk ka një version zyrtar të Policisë për ngjarjen, ajo çfarë tregojnë jashtë kamerës shokët e të miturit, mësohet se 13-vjeçari ishte një nxënës shembullor dhe zëvendëssenator i klasës, por një përdorues shumë i rregullt i rrjeteve sociale. Shokët dhe shoqet e klasës se tij mëngjesin e se dielës kanë vendosur lule ne bankën e 13-vjeçarit, ndërsa media nuk është lejuar të xhirojë brenda ambienteve të shkollës.

Ministrja Kushi: Emergjencë shoqërore, kontrolli i fëmijëve në internet

Duke reaguar mbi aktin ekstrem të 13-vjeçarit në Lushnjë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha se është e tronditur nga ngjarja e rëndë. Sipas ministres, ekspozimi i gjatë i fëmijëve në rrjetet sociale dhe me informacione të pakontrolluara për moshën e tyre, ka sjellë pasoja shqetësuese. “Jam e tronditur nga ngjarja e fundit e 13-vjeçarit në Lushnje! Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre është një nga çështjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme. Edhe para pak ditësh e ngrita si alarm në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit ‘Shkolla për Shëndetin’ ku theksova nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore. Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale!”, thuhet në reagimin e ministres Kushi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Detaje tronditëse! U gjet i varur në dhomë

Shoku i 13-vjeçarit: Po realizonte video për Tik Tok