MENU
klinika

Një përrallë diktatorit

Fili i vezirit

05.11.2021 - 16:43

           At’ Zef Pllumi ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e vyera për shpresën dhe besimin. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22- vjeçare, ai arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Më 1958 shugurohet meshtar dhe për 12 vjet, shërben si meshtar i Dukagjinit. Kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar, në vitin 1967, At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vjet, vuan dënimin në burgjet e kampet në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që, ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt, vetëm se deshën lirinë. Veprat testament të At’ Zef Pllumit, janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje” dhe “Saga e fëmijnisë”. Me dhimbje, pa urrejtje, At’ Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e tij për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.

… Kur At’ Zef Pllumit, bashkëvuajtësit i kërkuan që t’i shkruante diktatorit Hoxha për vujtjet çnjerëzore në burg, ku vuajti për 25 vjet, “i mendshëm” si kurrkush, ai u kallëzoi këtë histori.

Fili i vezirit

Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit.

Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët.
Prandej, kur s’e xeshin dyert e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh dhe aq i fuqishëm, sa të shtinte frigën. Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush s’mund t’i delte para. Të gjithëve u hini hataja.

Prandej në nji ditë xhuma gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të Vezirit. Folën e folën, dikush thumbit, dikush patkoit, me shkue atje nalt në Kala e me i thanë vezirit këto fjalë:

“Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyert e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej ati fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatërron gjithshka, se nuk e durojmë ma”.
Populli i Shkodrës caktoi aty për aty dhet vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani mai mendshëm se tjetri gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej.
Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: “Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.” “Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.”

Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: “Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka rëndësi. Kam niji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetëm: a më lejoni?” “Shko!”

Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: “Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllunnë Pazar sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?” Kështu me radhë, njanimbas tjetrit, praqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbërrijnë te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë.

Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? “Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’ duhet i dyti? Njani ka për t’folë. A e qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjalë, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot.”; doli tjetri e u largue.
Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë.

Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, m’ka dërgue për me t’u falë nderës.” “Hë, ju bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue prue njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?… Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimbsen degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës.

Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!” Ndërkaq erdh kafja e turkut, e gota e ujit në tabake e veziri foli: “Ndigjo, o burrë i mirë, thueji miletit të shkodrës se do të baj çmos me ua plotësue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!”
Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodrës po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotësonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsëri te Xhamija e Tophanës. Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?” “Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryt tem se bahçet tueja.”

“Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?” “Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer rrënon mure, then pemët me gjithë degë… Po ju kalanë njaty e keni, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftëse bahçet tueja u dhimbsen ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën.”