MENU
klinika

“Doza e tretë të jetë ‘Pfizer’

Komisioni i Shëndetësisë do kërkojë nga Ministria që të mos…

23.11.2021 - 12:45

Përshpejtimi i procesit të vaksinimit, edhe përmes politikave detyruese, nuk ka arritur të frenojë valën e 4-t të pandemisë.

Shtetet sot po përballen me shifra të larta fatalitetesh dhe infeksioni, duke bërë që të rikthehen masat kufizuese, e bashkë me to edhe protestat qytetare

KËRKESA

Në kushtet ku ndodhemi, zgjidhja po shikohet tek aplikimi i dozës përforcuese. Prej fillimit të këtij muaji në vendin tonë ka nisur të injektohet doza e tretë e vaksinës kundër koronavirusit.

Të vetmet vaksina që s’mund të kombinohen janë vaksina ruse “Sputnik” dhe “AstraZeneca”.

Kjo do të thotë që personat e vaksinuar me “Pfizer” dhe vaksinën kineze “Coronavac” si dozë të tretë të injektojnë çdo vaksinë tjetër. Por kjo nuk vlen për të vaksinuarit me “Sputnik” dhe “AstraZeneca”, pasi janë të panjohura efektet që mund të shkaktojnë.

Por me kërkesë të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, Komisioni i Shëndetësisë do të kërkojë zyrtarisht që doza e tretë e vaksinës për Covid-19 të jetë “Pfizer”.

E pranishme dje në Kuvend, Zv.ministrja Eugena Tomini tha se rekomandimi i paraqitur do të dërgohet për pranë Komitetit të Vaksinimit, i cili vendos edhe mbi strategjinë që do të ndiqet.

Pavarësisht apelit të vazhdueshëm, mbulesa vaksinale vijon të jetë e ulët. Sipas informacioneve zyrtare, prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer rreth 2 milionë doza, nga të cilat vetëm 943 mijë persona kanë kryer të dyja dozat anti-Covid.

Ndërkohë, në harkun e tri javëve janë injektuar edhe rreth 48 mijë doza të treta apo përforcuese.

SITUATA

Lidhur me situatën epidemiologjike, në 24 orët e fundit ka pasur një rënie të rasteve të infeksionit, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për fatalitetet, të cilat janë rritur sërish. Të hënën janë shënuar 9 humbje jete.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit ka 9 humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv: një qytetar nga Shkodra 56 vjeç, tre qytetarë nga Tirana 63-83 vjeç, një qytetar 74 vjeç nga Përmeti, dy qytetarë nga Fier 78 dhe 87 vjeç, një qytetar nga Lushnja 79 vjeç dhe një qytetar nga Korça 86 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar. Lidhur me rastet e reja, në 24 orët e kaluara janë regjistruar 218 persona të prekur. “Janë kryer 2008 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 218 qytetarë, në këto bashki: 97 qytetarë në Tiranë, 13 në Berat, 11 në Fier, 9 në Lushnjë, Gjirokastër, 8 në Belsh, 6 në Kurbin, 5 në Lezhë, Mallakastër, Vlorë, Përmet, 4 në Krujë, Kamzë, Sarandë, Tepelenë, 3 në Mirditë, Korçë, 2 në Has, Selenicë, Elbasan, Skrapar, Gramsh, 1 në Shkodër, Kukës, Durrës, Kavajë, Roskovec, Delvinë, Këlcyrë, Memaliaj, Maliq, Pogradec, Kolonjë, Peqin, Librazhd. Janë 7,993 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin”, theksohet më tej në njoftim.

NË SPITAL

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i pacientëve të shtruar është i reduktuar, por janë trajtimet post-Covid ato të cilat po njohin rritje.

Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 155 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar.

Ndërsa sipas drejtoreshës së Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala, janë 25 pacientë të cilët po marrin mjekim në pavijonet e Sanatoriumit.

Kryesisht janë të moshave mbi 50 vjeç, që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera dhe të pavaksinuar.

“Ka ngarkesë në këto kohë me rastet postCovid. Unë shikoj që çdo ditë rritet numri i rasteve. Prandaj ne themi të vaksinohemi. Post-Covid-i i rëndë dhe i zgjatur është më tepër këto ditë tek ata të pavaksinuar”, tha doktoresha.