MENU
klinika

“Mitsotakis kur do ndalesh së gënjyeri”?

Kryeministri grek përplaset me gazetaren

10.11.2021 - 12:20

Një episod jo i mirë ka ndodhur gjatë konferencës për shtyp, të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe homologut të tij holandez, Mark Rutte. Gazetarja holandeze Ingeborg Beugel iu drejtua kryeministrit të Greqisë, duke e pyetur se kur do ndalonte së gënjyeri. Gazetarja e akuzoi kryeministrin grek për “abuzim narcist” gjatë konferencës së tij me kolegun holandez në Athinë.

“Kryeministër Mitsotakis, kur, më në fund, do të ndalesh së gënjyeri? Duke gënjyer rreth kthimit (të emgirantëve), duke gënjyer për atë po ndodh me refugjatët në Greqi? Ka pasur dëshmi dërrmuese e ju vazhdoni të mohoni e të gënjeni. Ky është abuzim narcist. Pse nuk je i sinqertë? Pse nuk thua: “Bruksel, na lini vetëm, kemi pritur gjashtë vjet, askush nuk bëri asgjë. Tani e kam fjalën dhe po, unë bëj kthime mizore, barbare (të emigrantëve)”, ”, iu drejtua gazetarja holandeze, kryeministrit grek.

Ajo po u referohej pretendimeve të grupeve për të drejtat e njeriut dhe organizatat si UNHCR-ja e OKB-së se Greqia në mënyrë të paligjshme po i kthen azilkërkuesit në Turqi në kufijtë e saj tokësorë e detar.

Kryeministri e mbrojti politikën e qeverisë së tij, duke e quajtur të ashpër por të drejtë dhe tha se Greqia ka shpëtuar qindra njerëz nga viti 2015, kur ka qenë në frontin e krizës së emigrantëve në Evropë.

Mitsotakis po ashtu shtoi se autoritetet po i pengojnë barkat në det në përputhje me rregulloret e BE-së dhe se u kanë dhënë azil 50.000 personave, përfshirë “dhjetëra mijëra afganë”.
“Kuptoj që në Holandë, ju keni një kulturë të shtrimit të pyetjeve të drejtpërdrejta ndaj politikanëve, që unë e respektoj shumë. Ajo që nuk do ta pranoj është që në këtë zyrë ju të më fyeni mua ose popullin grek me akuza e shprehje që nuk janë të mbështetura në fakte materiale. Shiko, ti nuk do të vish në këtë ndërtesë e të më fyesh mua. A jam shumë i qartë për këtë? Kjo është politika jonë, do të qëndrojmë prapa saj dhe unë nuk do ta pranoj askënd që e drejton gishtin nga kjo qeveri dhe që e akuzon për sjellje çnjerëzore”, – i tha kryeministri.