MENU
klinika

“Krizat i ke shpikur vetë”/ Presidenca i përgjigjet Bashës

“Kur të takohesh me Metën do e pranosh se 7×7 bëjnë 49”

18.11.2021 - 18:31

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha pas deklaratës së bërë prej tij në një intervistë. Blushi shkruan se ndihet i keqardhur që Basha vazhdon të përfshijë presidentin në krizat që ai shpik pa u lodhur.

Ai citon katër pika të cilat i cilëson si katërkëndëshi i përgjegjësive të tij madhore, duke nisur nga bojkoti i reformës territoriale, reformës në drejtësi, djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor. Blushi shprehet se Meta e pret Bashën në presidencë për çdo sqarim që ka nevojë ndërsa me ironi shton se kur ky takim të ndodhë Basha ta pranojë përfundimisht 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

“Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur.

Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:

Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
Bojkoti i reformës në drejtësi;
Djegia e mandateve të deputetëve;
Zerimi i opozitës në pushtetin vendor;
që sollën kapjen totale të shtetit.

Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë.

Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET!

Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Tedi Blushi.