MENU
klinika

''Kongresi i Alfabetit''

Kuvendi i Udhës së Shkronjave

14.11.2021 - 12:17

        Fati i kishte rezervuar popullit shqiptar vetëm sfida. Gjuha e lashtë, gjithmonë shënjestra e pushtuesit. Pareshtur vijonte përpjekja intelektuale shqiptare, për të shkruar shkronjat e arta. I hershëm interesi i albanologëve të huaj. Fatin e gjuhës së dashurisë për Zot e për Atdhe, do ta vuloste Kongresi i Manastirit./Konica.al

Njehsimi i shkronjave për një alfabet, do të tejshkonte errësirë e kohërave. Klubi i Manastirit “Bashkimi” ndërmori organizimin e një kongresi kombëtar, prej 14-22 nëntor 1908. Jo vetëm qëndrimi ndaj shkronjave shqipe, por do të diskutohej një program për realizimin e kërkesave shekullore të shqiptarëve. Ditëve të kongresit u hartuan 18 pikat, ndërsa u autorizua Shahin Kolonja, për t’ua dërguar për realizim deputetëve shqiptarë në Stamboll.

Sipas disa burimeve nga shtypi i kohës, vërehet lajmërimi i qeverisë turke që të mos japë leje për përdorimin e shkronjave latine dhe për hapjen e shkollave shqipe. Sipas një dokumenti nga arkivi i J. Jovanoviçit, përgjigjja e qeverisë turke: “Problemi i hapjes të shkollave shqipe është çështje që duhet të diskutohet në parlament e sa u përket shkronjave, ajo është çështje e shtypshkronjave”.

Nëpërmjet arritjes së mbledhjes së Kongresit të Manastirit, u trajtuan dy anë të të njëjtit qëllim me karakter politiko-shoqëror, ngase nëpërmjet shkronjave shqipe mori hov të madh përhapja e arsimit, sa edhe lëvizja kombëtare shqiptare.

Jehona e kongresit mori përmasa të gjera, ashtu siç njofton prof. Kristaq Prifti, jo vetën në tokat shqiptare, por edhe jashtë. Për këtë shkruan gazetat në Francë, Itali, Zvicër etj.: “se shqiptarët, do të mblidheshin në Kongres për qëllime politike ose kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë, se Kongresi mund të shndërrohej në një bashkim politik”.

Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për të vendosur mbi çështjen delikate dhe të ndërlikuar të alfabetit shqip. Ky tubim u organizua nga shoqëria “Bashkimi” dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri, i cili e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ai në revistën e tij “Lirija”, ndër të tjera shkruan “… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.”

Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë: Atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi, nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi, nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni dhe Bajo Topulli dhe familja Qiriazi, nga Manastiri.

Kongresi zgjodhi komisionin me njëmbëdhjetë anëtarë, nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës, për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. Ishte unanime që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe françeskani Atë Fishta, i cili, shpjegoi se sido që ishte i dërguar prej shoqërisë ”Bashkimi”, aty nuk ishte thjesht për të mbrojtur abc-në, por për të gjetur rrugën për bashkimin e përgjithshëm.

U shqyrtuan tre alfabetet kryesore: alfabeti i shoqërisë letrare ”Agimi” të Shkodrës, propozuar nga dom Ndre Mjeda; ai i shoqërisë letrare ”Bashkimi” të Shkodrës, hartuar nga imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, hartuar ky nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e ”Bashkimit”, si më praktik për botimet, pa shkronja jolatine.

U shqyrtuan edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi dhe alfabeti arab, që shumë myslimanë të devotshëm, Maqedoni e Kosovë kryesisht, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje, shumë kohë pas Kongresit.

Kongresi prej shoqërisë “Bashkimi” u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: ”Liria” dhe ”Dituria”.

Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë.

Morën pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga Atë Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa unanime ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Po me votë unanime u vendos të shkruhet gjuha shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabeti i sotëm.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila, u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendimi i të parit Komision Letrar

“Le të përdoren të dy dialektet”

Ngjarja më e rëndësishme...

Albanologët dhe alfabetet e shqipes