MENU
klinika

Gjyqi ndaj sulmuesit francez

Merret vendimi final për Benzema, burg dhe gjobë

24.11.2021 - 12:33

Është dhënë vendimi final për sulmuesin francez Karim Benzema, teksa është dënuar me një vit burg me kusht dhe 75 mijë euro gjobë për përfshirjen e tij në tentativën e shantazhit ndaj ish-bashkëlojtarit Mathieu Valbuena me një kasetë seksuale.

Vendimi i një gjykate në Versajë e shpalli Benzema bashkëpunëtor në këtë aferë dhe i jep fund një sage ligjore që daton prej vitit 2015, kur Benzema u përjashtua nga kombëtarja e Francës. Ai qëndroi jashtë kombëtares së “gjelave” për gati 6 vite.

Benzema nuk mori pjesë në gjyqin treditor muajin e kaluar. Avokati i tij përmendi arsye profesionale, me 33- vjeçarin që duhej të stërvitej me Real Madridin përpara ndeshjes ndaj Barcelonës. Çështja përfshinte një video me përmbajtje seksuale, të cilën prokurorët thanë se një tjetër i pandehur, Axel Angot, e zbuloi në telefonin celular të Valbuena, pasi atij iu kërkua të transferonte përmbajtjen në një pajisje të re.

Angot dhe një i pandehur i tretë, Mustapha Zouaoui, u përpoqën ta përdornin videon për të zhvatur para nga Valbuena, i cili atëherë luante me Lyon dhe Francën. Ata rekrutuan një të pandehur tjetër, Youness Houass, përpara se të ktheheshin përfundimisht te Karim Zenati, shok fëmijërie i Benzema, i cili, sipas prokurorëve, rekrutoi sulmuesin si “ndërmjetës”.

Valbuena kontaktoi policinë, e cila nisi operacionin për të zbuluar përgjegjësit. Benzema foli me Valbuena për videon në kampin stërvitor të Francës në tetor 2015. Karim mohoi çdo keqbërje të tij, duke thënë se po përpiqej të ndihmonte zgjidhjen e situatës.

Ai e kishte paralajmëruar shokun e kombëtares që “të jetë i kujdesshëm”, duke i përshkruar shantazhuesit si “kriminelë të mëdhenj”. Megjithatë, policia, prokurorët dhe gjykata e interpretuan ofertën e Benzema si nxitje të skemës së shantazhit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-sulmuesi i Juves dhe i Italisë

Ish-trajneri i Dinamos përfundon në burg