MENU
klinika

Një kërshëri evropiane...

Miss Durham viseve shqiptare

15.11.2021 - 14:10

          Udhëtarja e pazakontë, si artiste, si etnografe, si antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste është e njohur për konributin e madh e të veçantë Shqipërisë. Për afro gjysmë shekulli, jeta e saj u motivua prej ballkanasve e veçanërisht, shqiptarëve. Krahas veprimtarive me karakter politik, social e shkencor, Miss Durham shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit. “Shqipëria e Epërme”, shkruar më 1909, është vepra më e njohur e saj, ajo më pikantja po ashtu. Libri erdhi si një udhërrëfyes mirëfilli i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë së Veriut./Konica.al


Mary Edith Durham (1863-1944) vinte nga një familje e madhe dhe e pasur nga veriu i Londrës. Ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët ishin kryesisht të suksesshëm në karrierat e tyre përkatëse në mjekësi, inxhinieri dhe administratën publike. Ajo ndoqi ”Bedford College” në Londër (1878-1882) dhe më tej, studioi pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve. Në këtë kuadër, në vitin 1899, ajo bëri ilustrimet për një vëllim të kolonës ”Cambridge Natural History” dhe më vonë, ka lënë skica edhe piktura të shumta nga Ballkani.

Si vajza më e madhe dhe e fundit e mbetur në shtëpi, asaj i kishin besuar detyrën që të kujdesej për të ëmën e moshuar dhe të sëmurë. Kjo jetë monotone bëri që pas një farë kohe, ajo të ishte në prag të një krize nervore. Mjeku e këshilloi të shkëputej nga gjithçka dhe të udhëtonte.

Kështu, në vitin 1900, Edith Durham 37-vjeçare, u nis me një mikeshë të saj, për një udhëtim me vapor përgjatë bregut të Adriatikut, deri në Kotor. Udhëtimi e magjepsi dhe përtëriu. Një vit më pas, u kthye dhe udhëtoi gjerësisht në Malin e Zi dhe më vonë, deri në Luftën I, çdo vit ajo kalonte të paktën dy muaj në Ballkan, vendi pas te cilot do tw apasionohej, duke u bere shpëtimi i saj.

Në vitet 1902-1903, pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham bëri një udhëtim në Serbi për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Through the Landsof the Serb [Përmes trevave të Serbit], Londër 1904, ribotim 2015.

Ky libër përfshin edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodrën dhe Kosovën e Perandorisë Osmane.

Ishin udhëtime të jashtëzakonshme, që kërkonin guxim dhe këmbëngulje, veçanërisht për një femër që udhëtonte vetëm. EdithDurham i kishte që të dyja këto cilësi.

Në fund të vitit 1903 u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas (Macedonian Relief Committee).

Ky udhëtim dhe gjendja e llahtarshme humanitare në zonat kryengritëse të Maqedonisë, përshkruhen në librin ”The Burden of the Balkans” [Brenga e Ballkanit], Londër 1905, ribotim 2015, i cili përfshin edhe rrëfimin e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e jugut dhe të mesme.

Gjatë viteve të mëpasshme udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Some Tribal Origins, Lawsand Customsof the Balkans [Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit], Londër 1928, shqip Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve, Tiranë 2009, me ilustrime të autores.

Politika ekspansioniste e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilën e kishte hasur në udhëtimet e saj, u bënë shkas që ajo t’i kthente shpinën këtyre vendeve dhe t’i përqendronte më shumë vëmendjen dhe simpatitë e saj mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në verën e vitit 1908 Edith bëri një udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohur ”High Albania”, Londër 1909, ribotim 2015 – ”Shqipëria e Epërme”, Tiranë 2012.

Edhe sot e kësaj dite shumë lexues janë të mendimit se ky është libri më i këndshëm në gjuhën angleze i shkruar ndonjëherë për Shqipërinë.

Me kalimin e kohës, Edith Durham bëri mjaft emër ndër shqiptarët e veriut për interesin e treguar dhe mbështetjen për çështjen shqiptare, ndaj shumë shpejt zuri të njihej në malet e veriut si ”krajlica e malesorëvet”.

Madje tek-tuk ndër shqiptarët u përhapën edhe fjalë se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë.

Libri tjetër, The Struggle for Scutari (Turk, Slavand Albanian), Londër 1914, ribotim 2015, ”Lufta për Shkodrën’: turq, sllavë e shqiptarë”, Shkodër 2005, përqendrohej mbi rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës, në kohën e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky është ndoshta libri i saj më ambicioz, një përshkrim i dhimbshëm i luftës, urisë dhe katastrofës humanitare. Gjatë asaj kohe, Durham vizitoi edhe jugun e Shqipërisë, ku konstatoi se gjendja nën pushtimin grek atje, nuk ishte aspak më e mirë.

Pas Luftës së Parë Botërore botoi  ”Twenty Years of Balkan Tangle”, Londër 1920, ribotim 2015, shqip ”Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Tiranë 1944 – libër që përbën kulmin dhe sintezën e shkrimeve të Durhamit. Ai përfshin periudhën nga udhëtimi i saj i parë në Ballkan, në vitin 1900, deri në Luftën I dhe në një farë mënyre, mund të konsiderohet si memoaret e saj.

Vizitën e fundit në Ballkan, Edith Durham e ndërmori në vitin 1921. Pas kësaj, kryesisht për arsye shëndetësore, ajo nuk ishte më në gjendje të kryente udhëtime të tilla të mundimshme. Megjithatë, mbështetja e saj për Shqipërinë nuk reshti gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues.

Durham ishte anëtare themeluese e Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) në Londër dhe shkroi artikuj të shumtë shtypi, si dhe “letra botuesit” të panumërta, për t’iu kundërvënë mendimeve të gabuara dhe për të tërhequr vëmendjen mbi Shqipërinë dhe vuajtjet e saj.

Po ashtu, ishte autore e shumë artikujve shkencorë mbi kulturën popullore shqiptare dhe malazeze, si dhe për historinë dhe politikën e Ballkanit.

Shumë prej këtyre shkrimeve u përmblodhën kohët e fundit në vëllimet ”Albania and The Albanians, Selected Articles and Letters 1903-1944”, Londër 2001 dhe ”The Blaze in the Balkans: Selected Writings, 1903-1941” – [”Zjarri në Ballkan: shkrime të përzgjedhura, 1903-1941”], Londër 2014.

Në këtë periudhë u botua edhe libri i saj i fundit, tashmë ndoshta i harruar, ”The Serajevo Crime” – ”Krimi në Sarajevë”, Londër 1925, ku flitet për rrethanat e vrasjes së Arqidukës Franc Ferdinand të Austrisë, vrasje që u bë shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Në vitet e mëvonshme, shtëpia e saj në Londër u bë vend takimi për miq të Shqipërisë dhe për shqiptarë në mërgim. Vdiq në nëntor 1944, dy javë para ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri.

Koleksioni Fotografik i Edith Durhamit

Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti, Edith Durham bleu një aparat të vogël fotografik të markës Kodak Brownie. Me sa duket, aparatet e firmës Kodak ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan.

Shqipëri, Krujë: Qeveria e Përkohshme e “Republikës së Shqipërisë Qendrore”, krijuar nga Esat Pashë Toptani (Foto Edith Durham, 1913)

Në Londër, pas udhëtimeve, Durham iu prezantoi fotografitë e saj anëtareve të Institutit Mbretëror Antropologjik (Royal Anthropological Institute) ku ishte edhe vetë anëtare dhe veçanërisht para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare që kishte themeluar. Pas vdekjes së saj, pjesa më e madhe e koleksionit ruhej në Institut, por ka edhe fotografi të tjera në Muzeun Britanik në Londër dhe në muzeun ”Pitt Rivers” në Oksford.

Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën “Njeriu” (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë. Sa edhe. me mendje të ndritur e plot bujari, ajo e kuptoi menjëherë shpirtin e shqiptarëve. Pa frikë dhe kompromis, ajo i tregoi botës për ato që kishte mësuar.  Në malet e Shqipërisë, që i njohu shumë mirë, lajmi për vdekjen e saj bëri bujë te të njohurit e shumtë, por edhe tek ata që kishin dëgjuar për të.

Letra që Mbretëresha e Maleve u dërgon shqiptarëve të Amerikës më 1917:

“Me këtë rast dëshironj t’u heq vërejtjen tërrë patriotëve shqiptarë se një nga kundërshtimet që kanë të huajt për një Shqipëri të pavarur është se shqiptarët janë të përçarë dhe zihen kaq shumë midis tyre sa, megjithse e dëshirojnë lirin’ e Shqipërisë, nuk e shohin dot se si mund të realizohet, edhe në u realizoftë si mund të mbahet.

Se ka të këtilla përçarje unë shumë mirë e di, por besoj se shqiptarët mund ta kapërcejnë këtë rrezik po të jenë të gatshëm t’i lenë mënjanë çështjet vetiake dhe fetë, dhe të mendojnë vetëm për të mirën e përbashkët.

Është një mjerim për Shqipërinë që ka tre fe të ndryshme kundërshatre. Më të shumtatat e lufrave dhe mjerimeve të kësaj bote janë shkaktuar prej feve. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë të gjithë për njerëzimin e jo për një parti apo fe të veçantë.

Një komb, si një njeri i veçantë, lipset të rritet vetë, si një trup. Asnjeri tjetër nuk mund ta bëjë këtë punë për të. Fati i Shqipërisë qëndron në duart e shqiptarëve. Në qoftë se shqiptarët do t’i lenë mënjanë mendimet e tyre të pathemelta dhe dëmprurse për hir të lirisë të kombit, besoj se Shqipëria do të ketë një të pritme të madhe. Por në qoftë se kundërshtimi midis Veriut dhe Jugut dhe mërzitja midis feve pason, atëhere nuk mund të shoh veçse ndarjen e Shqipërisë, gjë për të cilën do të më vinjë shumë keq.

Në kohën e tanishme e para pyetje që më bëhet është: – “Në qoftë se ju jepet shqiptarëve liria ç’qëllojnë të bëjnë ? Ç’farë qeverie mund të formojnë? Cilët janë njerëzit që kanë besimin e popullit?” – pyetje për të cilat asnjeri nuk mund të përgjigjet sot.

U lutem ua bëni të njohura këto shqiptarëve të Amerikës.

Unë po përpiqem të bëj atë që mund për t’i shërbyer çështjes shqiptare; por është një gjë shumë e vështirë se nuk mund të përgjigjemi në tërrë pyetjet me rëndësi duke mos patur shqiptarët vetë një politikë të përbashkët dhe të vendosur”

Nga shënimet shumta dhe vlerësimet të Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të veçonim këtë paragraf, nga libri i saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”.

“Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme! Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kolonja myslimane me 100 shtëpi...

Çfarë dalloi Edith Durham në Shqipërinë e Jugut

Të huajt për Shqipërinë

Kulti i shqiptarëve është atdheu