Mjeku shqiptar në Madrid Kita Sallabanda deklaroi se janë dy faktorë që po ndajnë me “thikë” shtetet e ndryshme sa i takon nivelit të të infektuarve me COVID. Sallabanda tha se disa vende që kanë pasur valë të madhe rastesh dhe viktimash si Spanja dhe Italia, sot janë në trendë më të ulëta. Ndërkohë theksoi se një tjetër faktor është niveli i vaksinimit të popullsisë që ka ndikuar në imunizimin e qytetarëve.
“Të gjithë do ta kalojnë dhe ata vende që nuk kanë pasur numër të lartë të infektuarish, tani po rritet numri i të infektuarve. Po b ëhet një ndarje mes vendeve të vaksinuara dhe ato që nuk janë vaksinuar. Ka dy faktorë. E para është vaksina dhe vala e infektimeve, Vendet që kanë vuajtur më shumë raste të infektuarish, numri sot është më i vogël. Për shembull Spanja dhe Italia që kanë pasur numra të lartë viktimash. Spanja sot ka deri në 29 viktima në ditë, një numër shumë i vogël krahasuar me Gjermaninë ose vende të tjera.
Nëse do marrim në konsideratë, situatën që është sot në Gjermani, kemi një rritje të numrit të viktimave në vendet që nuk janë të vaksinuar. Ata që janë të vaksinuar mund të infektohen por e kalojnë sëmundjen në formë më të lehtë, nuk shtrohen në spital dhe kanë më pas rrezik për fatalitet. Përqindja mbrojtëse tek ata që janë vaksinuar me dy doza ka filluar të bjerë, prandaj po theksohet për dozë të tretë”, deklaroi Kita Sallabanda.
Ai u shpreh se në Spanjë, vaksinimi nuk ka qenë asnjëherë i detyruar, e megjithatë një numër i lartë qytetarësh e kanë marrë vaksinën. Një e dhënë e rëndësishme, shtoi ai është fakti se prej disa kohësh nuk ka më një variant të ri të COVID, duke na bërë të mendojmë se ajo po kthehet në një sëmundje endemike. Shkak, është numri i lartë i vaksinimit të qytetarëve.
Një tjetër kontrast që solli Sallabanda, ishte edhe ai i mbajtjes së maskës në rrugë nga qytetarët në Spanjë, edhe pse kjo masë nuk është e detyrueshme. Kita mori shembullin e asaj që ka vënë re në Shqipëri ku prej kohësh maska nuk mbahet më në ambientet e hapura.
“Në Spanjë vaksinimi nuk ka qenë asnjëherë i detyruar dhe njerëzit e kanë marrë në formë masive. As për mjekët nuk ka pasur detyrim. Kjo ka ndodhur në Francë, Gjermani apo Austri. Akoma shkencërisht nuk e kemi të qartë se çfarë efektiviteti ka për të pasur doza e tretë. Në mënyrë masive njerëzit në Spanjë të cilëve u është rekomanduar të bëjnë dozën e tretë, po e bëjnë. Njerëzit pak nga pak po bëhen koshientë që do jenë të detyruar për një dozë të tretë vaksine. Dy doza duhet të bëhen në mënyrë të detyrueshme. Dozën e tretë unë do e kisha rekomanduar te njerëz që vuajnë nga sëmundje të tjera.
Një e dhënë pozitive është se nuk kemi një variant tjetër të COVID. Kemi dy tre muaj që nuk kemi variante të reja. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme sepse dalëngadalë po kthehet në sëmundje endemike. Kjo vjen për shkak se njerëzit të vaksinuar. Në përgjithësi te njerëzit që nuk janë të vaksinuar, krijohen mutacione të reja.
Në Spanjë edhe pse janë liruar masat e shtrëngimit, po të dalësh në rrugë gati 80% e popullatës mbajnë maskë në rrugë. Njerëzit janë të ndërgjegjshëm dhe kërkojnë që të mbrohen nga njëri tjetri. Përdorimi i maskës është vërtetuar që ul 58% rrezikun e infeksionit. Në Shqipëri ndihesh si ufo nëse mban maskë pas qytetarët në mënyrë masive nuk mbajnë më maska”, deklaroi ai.